36 ndeshje radhazi pa pësuar humbje është një rekord i ri botëror që mban firmën e Italisë por të paktë ishin “azzurrët” që festuan pas barazimit kundër Zvicrës. Kampionët e Europës rrezikojnë jo pak, kualifikimi për në Katar nuk është një lojë fëmijësh, përkundrazi, pas 5 ndeshjeve e shohin veten në kuotën e 11 pikë, plus 4 në raport me Zvicrën por “helvetët” kanë dy ndeshje më pak. Në Bazel ishte një mundësi e shkëlqyer për tu shkëputur dhe për të qenë më të qetë por “azzurrët” nuk shkuan më shumë se një barazim pa gola, i dyti radhazi. Armatës së Mancinit i mungon shumë njeriu gol, kjo u pa edhe në këtë sfidë ku krijuan një volum të madh loje por ishin të pa saktë në finalizim.

Mancini
Mancini

Një meritë të madhe për këtë ka portieri Sommer por as Berardi dhe Jorginho nuk bënë më shumë, i pari humbi një rast flagrant ndërsa mesfushori i Chelsea shpërdoroi një 11-metërsh. Nuk ishte i qetë në pankinë trajneri Mancini i cili pas ndeshjes theksoi se ekipi i tij luajti më mirë se sa sfida që fituan 3-0 në fazën e grupeve në “Euro2020” por i mungojë ajo shkëndijë për të dërguar topin në rrjetë. Në lidhje me kualifikimin për në Botëror, Mancini ishte më i qetë duke mos menduar më larg se sfida e së mërkurës.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb