Eurodeputetja italiane Cristina Guarda ka reaguar pas vizitës së saj në Shqipëri ku mori pjesë në protestën antiqeveritare që po mbahet prej 42 ditësh në Tiranë. Në një postim pas pjesëmarrjes në mbledhjen ndërparlamentare të Delegacionit BE–Shqipëri, duke ngritur shqetësime për mbrojtjen e mjedisit dhe respektimin e standardeve evropiane.
Në një postim të publikuar pas vizitës, Guarda tha se gjatë qëndrimit në Shqipëri ka dëgjuar shqetësimet e qytetarëve dhe ka parë, sipas saj, një përplasje mes interesave ekonomike dhe mbrojtjes së natyrës.
“Kam dëgjuar shqetësimin e shumë njerëzve në terren, si edhe kam parë qëndrimin e papranueshëm të atyre që, në politikë, vazhdojnë ta vendosin mbrojtjen e mjedisit dhe të njerëzve në plan të dytë. Sepse për ta, fitimi vjen i pari”, u shpreh eurodeputetja.
Ajo u ndal te zona e mbrojtur Vjosa–Nartë, duke e cilësuar si një nga rastet më problematike, por theksoi se kjo nuk është çështja e vetme që kërkon vëmendje.
Sipas Guardës, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të bazohet në respektimin e vlerave evropiane, mbrojtjen e mjedisit dhe përfshirjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të ndodhë në frymën e mbrojtjes së këtyre vlerave, të respektit për mjedisin dhe të angazhimit të komunitetit”, deklaroi ajo.
Eurodeputetja përmendi gjithashtu parimin e “moskthimit pas” në politikat mjedisore, sipas të cilit standardet e mbrojtjes së natyrës nuk duhet të dobësohen me kalimin e kohës.
Cristina Guarda tha se do të vijojë ta ndjekë këtë proces dhe të informojë për zhvillimet e mëtejshme.
“Ky (dhe jo vetëm ky) është ai që pashë në Shqipëri javën e kaluar.
E tregova dhe ndava përvojën time gjatë mbledhjes ndërparlamentare të Delegacionit BE–Shqipëri.
Kam dëgjuar shqetësimin e shumë njerëzve në terren, si edhe kam parë qëndrimin e papranueshëm të atyre që, në politikë, vazhdojnë ta vendosin mbrojtjen e mjedisit dhe të njerëzve në plan të dytë. Sepse për ta, fitimi vjen i pari – një model zhvillimi ekonomik i papajtueshëm me shëndetin e territorit.
Zona e mbrojtur Vjosa–Narta është rasti shumë i rëndë mbi të cilin u përqendruam. Por nuk është i vetmi dhe mund të shërbejë si një mundësi për të reflektuar politikisht mbi vlerat evropiane.
Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të ndodhë në frymën e mbrojtjes së këtyre vlerave, të respektit për mjedisin dhe të angazhimit të komunitetit, duke garantuar pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.
Ai duhet të marrë parasysh edhe parimin e “moskthimit pas” në mbrojtjen e mjedisit (non-regression), që nënkupton se standardet e mbrojtjes së mjedisit nuk duhet të dobësohen.
Do të vazhdoj ta ndjek këtë proces dhe t’jua tregoj zhvillimet edhe në vijim”, deklaron ajo.
