Prokuroria e Tiranës sekuestroi pasuri të familjes së Sajmir Alimehmetit, i njohur me nofkën “Dentisti”, ndërkohë që në dhjetor të 2018-ës ai u dënua nga një gjykatë federale në Manhattan me 22 vjet burg për ofrim të mbështetjes materiale ndaj grupit ekstremist Shteti Islamik (ISIS) dhe për mashtrim me pasaportën.

Alimehmeti kishte qenë nën vëzhgim të autoriteteve që nga viti 2014, kur iu refuzua hyrja në Britani në dy raste, pasi synonte të udhëtonte në Siri. Sipas FBI-së, ai kishte blerë thika dhe pajisje ushtarake dhe kishte luajtur video ku shfaqej një luftëtar i ISIS-it duke ekzekutuar të burgosur. Ai kishte deklaruar gjithashtu se planifikoi të udhëtonte drejt Sirisë së bashku me vëllanë, i cili më pas u arrestua.

Në vitin 2015, Alimehmeti kishte aplikuar për një pasaportë amerikane të re, duke mashtruar për humbjen e saj dhe duke fshehur vulat e refuzimit britanik, për të shmangur dyshimet e autoriteteve. Në 2018, ai pranoi fajësinë për gënjeshtra në aplikimin për pasaportë dhe për mbështetje materiale ndaj ISIS-it. Gjykatësi i Manhattanit, Paul Engelmayer gjatë seancës gjyqësore të 2018-ës, e përshkroi Alimehmetin gjatë shpalljes së vendimit si “një bombë e kurdisur”, duke theksuar rrezikun që paraqiste për sigurinë. Ndërkohë, sot prokuroria e Tiranës bllokoi disa llogari bankare të familjarëve të tij, që sipas organit të akuzës nuk i justifikonin burimet e ligjshme.

Pasuritë e bllokuara:
Llogaritë e shtetasit Z.A. me gjendje lekë 39.49, Usd 4.74, si dhe depozitat në vlerën USD 50,109.56 dhe Lekë 3,862,244.93;
Llogaritë e Shtetases V. A. me gjendje Eur 15,001.09; dhe
Llogaritë e shtetasve Z.A. dhe V.A. me gjendje Lek 11,734,250.00.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: