Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi të enjten se Huthitët në Jemen do të “pësojnë goditje të rënda” nëse vazhdojnë të qëllojnë Izraelin.

Katz tha se forcat izraelite janë “të përgatitura për çdo mision”.

Katz akuzoi udhëheqjen iraniane për financimin dhe armatosjen e Houthëve. “Epoka e ndërmjetësve ka mbaruar dhe boshti i së keqes është shembur”, tha ai.

Ai tha se Teherani mban “përgjegjësi të drejtpërdrejtë” dhe paralajmëroi se “atë që i bëmë Hezbollahut në Bejrut, Hamasit në Gaza, Asadit në Damask dhe Huthitëve në Jemen, do t’jua bëjmë edhe juve në Teheran”.

Forcat Huthi, të cilat kontrollojnë pjesën më të madhe të Jemenit verior, kanë shënjestruar Izraelin dhe anijet e lidhura me Izraelin që nga nëntori i vitit 2023, duke cituar solidaritetin me palestinezët. Sulmet më vonë u zgjeruan duke shënjestruar anijet amerikane.

Të martën, Shtetet e Bashkuara dhe Huthit ranë dakord për një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Omani për të ndërprerë sulmet. Megjithatë, grupi Huthi pretendoi se do të vazhdonte të niste sulme kundër Izraelit derisa Izraeli të përfundonte ofensivën e tij në Gaza dhe të hiqte bllokadën kundër palestinezëve.

Të mërkurën, Huthitët pretenduan se kishin nisur sulme të reja me dronë drejt Izraelit, megjithëse nuk u raportuan dëme. Sulmet erdhën një ditë pasi Forcat Ajrore Izraelite dëmtuan rëndë Aeroportin Ndërkombëtar të Sanaas, të kontrolluar nga Huthit, dhe portin e Hodeidah në Detin e Kuq në një seri sulmesh ajrore vdekjeprurëse .

 

(A.A/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb