Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha të enjten se udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, do të mbaj përgjegjësi pas një sulmi iranian në spitalin Soroka në Izrael.

“Diktatori frikacak iranian rri në bunkerin e tij të fortifikuar dhe po qëllon me raketa të synuara spitalet dhe ndërtesat e banimit në Izrael. Këto janë krime lufte të llojit më të rëndë dhe Khamenei do të mbajë përgjegjësi për krimet e tij”, shkroi në një postim ministri izraelit i mbrojtjes.

Ministri shtoi se i kishte urdhëruar ushtrisë të “intensifikonte sulmet” ndaj Republikës Islamike.

“Kryeministri dhe unë kemi urdhëruar Forcat Mbrojtëse të Izraelit të rrisin intensitetin e sulmeve kundër objektivave strategjikë në Iran dhe kundër objektivave qeveritare në Teheran, me qëllim eliminimin e kërcënimeve ndaj Shtetit të Izraelit dhe minimin e regjimit të ajatollahëve”, shtoi ai, në reagimin e tij pas sulmeve iraniane ndaj Izraelit.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb