Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se operacioni nga toka në Gaza është faza e dytë e luftës ndaj Hamasit, duke shtuar se objektivat janë shumë të qarta. Netanyahu konfirmoi praninë e ushtrisë izraelite në atë që ai e quan “kështjella e së keqes”, duke iu referuar Gazës.

“Ushtarët dhe komandantët izraelitë janë tani në Rripin e Gazës, janë dislokuar kudo”, tha Kryeministri i Izraelit. Kryeministri Netanyahu bëri një lidhje midis konfliktit me Hamasin dhe Luftës Arabo-Izraelite midis 1947 dhe 1949, e cila ndodhi kur Izraeli shpalli pavarësinë e tij.

“Lufta brenda Gazës do të jetë e gjatë. Kjo është lufta jonë e dytë për pavarësi. Ne do të shpëtojmë vendin tonë”, tha Netanyahu. Netanyahu tha se faza e dytë e luftës kundër Hamasit ka filluar, me qëllimin e shkatërrimit të krahut të armatosur të grupit dhe qeverisë, dhe kthimin e pengjeve të mbajtura në Gaza në shtëpi.

“Luftëtarët tanë heroikë kanë një qëllim: Të shkatërrojnë këtë armik dhe të sigurojnë ekzistencën e vendit tonë. Kurrë më dhe “Kurrë më”, është tani,” tha Netanyahu gjatë një konference për shtyp të shtunën.

Netanyahu ju përgjigj edhe një deklarate të Presidentit turk Erdogan, që e akuzoi Izraelin për krime lufte. “Mos na akuzoni për krime lufte. Nëse mendoni se mund të akuzoni ushtarët tanë për krime lufte, kjo është hipokrizi. Ne jemi ushtria më morale në botë”, tha ai. Kryeministri konfirmoi se Ushtria e Izraelit po merr masa paraprake për të mbrojtur civilët në Gaza, ndërsa akuzon Hamasin për krime kundër njerëzimit “duke përdorur qytetarët e tyre si mburojë njerëzore”.

Shefi ushtarak i Izraelit tha se sot shënon një fazë të re në luftën e vendit kundër Hamasit dhe se ajo kërkon një ofensivë tokësore. “Kjo është një luftë me shumë faza. Sot, ne kalojmë te tjetra,” tha në një video të publikuar nga IDF, gjenerallejtënant Herzi Halevi, shefi i shtabit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit. “Forcat tona aktualisht po operojnë në terren në Rripin e Gazës. Këto aktivitete po mbështeten nga zjarri i saktë dhe i fortë, të gjitha në shërbim të objektivave të luftës: çmontimin e Hamasit, sigurimin e kufijve tanë dhe përpjekjet supreme për të kthyer pengjet në shtëpi.”

“Objektivat e kësaj lufte kërkojnë një operacion tokësor”, shtoi Halevi, duke thënë, “për të ekspozuar dhe shkatërruar armikun nuk ka rrugë tjetër veçse të hysh me forcë në territorin e tij”.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit njoftuan të shtunën se kishin goditur disa objektiva të Hamasit në Gaza si pjesë e operacionit të saj të zgjeruar tokësor në rrip. “Që nga mbrëmja e së premtes, forcat e kombinuara luftarake të blinduar, inxhinierë luftarakë dhe këmbësoria kanë operuar në terren në Rripin verior të Gazës. Si pjesë e operacionit, ushtarët e IDF identifikuan celula terroriste që përpiqeshin të lëshonin raketa antitank dhe predha mortajash dhe i goditën ato”tha IDF në një njoftim. IDF tha se helikopterët, nën drejtimin e tankeve të IDF, goditën një ndërtesë që përdorej nga Hamasi si një pikë takimi operacionale. Civilët e Gazës thonë se kanë duruar sulmet më të rënda ajrore të konfliktit deri më tani gjatë natës, duke u strehuar nga bombardimet dhe duke mbajtur zi për të vrarët në spitale. Mbi 7 mijë palestinezë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë janë vrarë deri më tani në Rripin e Gazës nga sulmet izraelite.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb