Ish-deputeti i LSI, Endrit Braimllari, komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, paketën “Anti-KÇK”, që ka nisur operacionet në terren, prej ditës së hënë. Ish-deputeti tha se kjo nismë e qeverisë po bëhet thjesht dhe vetëm për të tërhequr vëmendje nga hallet, që kanë shqiptarët sot.

“Kjo nismë, në këtë mënyrë si po bëhet, është thjesht një mënyrë për të tërhequr vëmendjen nga hallet e njerëzve. Është në ekstrem ajo që ka ndodhur. Është krijuar një forcë, që i jep fuqi antikushtetuese Policisë së Shtetit, dhe i bie që prokurori i përgjithshëm dhe SPAK të jenë në varësi të ministrit. Pra, kjo nismë bëhet për të tërhequr vëmendjen nga hallet e qytetarëve, si dhe iu jep një goditje të rëndë institucioneve të drejtësisë. Të gjithë duam luftën kundër krimit të organizuar, por kjo nismë është selektive dhe nuk përbën atë që kërkojnë partnerët. Rama e ka pasur në dorë të luftojë krimin e organizuar, por në këto 3 vite krimi u fuqizua aq shumë, sa tani kontrollojnë edhe vetë qeverinë. Është e turpshme, kur sheh si dalin oficerët e policisë, të veshur me atë uniformë, për të bërë show. Kur, në fakt, vlerësim maksimal duhet të ketë RENEA, që është përballur me grupet kriminale”, tha Braimllari.

Intervista:
Nëse do ishte goditje ndaj institucioneve të reja të drejtësisë do ishin shqetësuar partnerët…
Patjetër, po t’i dëgjojmë me vëmendje partnerët, gjithë linja e komunikimit të tyre shkon te SPAK. Shqiptarët prisnin rezultate konkrete nga SPAK. Duhet të vazhdonim me SPAK, ishte dosja 184, që nuk e di si u kthye në Dibër sërish, kur aty janë zyrtarët e PS.

Mund të jetë përpjekje për të çelur negociatat?
Kjo qeveri, por edhe opozita, kanë përballë nëntë kushtet e Bundestagut, që duhen plotësuar, për të çelur negociatat. Një pikë ishte Reforma Zgjedhore, ku opozita mori përsipër angazhimin maksimal, tetë pikat e tjera janë të qeverisë. Rama shkatërroi konsensusin historik të Reformës në Drejtësi dhe përdori gjithë mekanizmat për ta kapur atë. Reforma në Drejtësi sot do të kishte filluar zbatimin dhe do kishte dhënë frytet e para, por Rama pati për qëllim kapjen e saj. Rama shkatërroi këtë reformë, tre muaj pas votimit, me zgjedhjen e prokurores së përgjithshme në kundërshtim me ligjin.

Ka një qëndrim të dyzuar të opozitës tek organet e reja të drejtësisë…
Ne e suportojmë dhe e mbështesim Reformën në Drejtësi, ne kemi dhënë votën tonë. Besimi vazhdon, nëse respektohet Kushtetuta, ashtu siç është shkruar. Nëse i iket Kushtetutës, siç ka bërë Rama, atëherë nuk ka më besim. Krijimi i SPAK është një sinjal pozitiv dhe ne mezi e presim që të krijohet, së bashku me BKH, por duhet të tregojë që është i besueshëm. Dosja 184 e kompromentoi këtë strukturë. LSI është pro Reformës në Drejtësi, pro luftës ndaj krimit të organizuar.

Reforma Zgjedhore, çfarë po ndodh në atë front?
Opozita e bashkuar ka marrë të gjithë angazhimin maksimal për të pasur një reformë gjithëpërfshirëse dhe që t’i japë zgjidhje dekriminalizimit. Tryeza e reformës tregoi që ky parlament është ilegjitim, kërkohet të bëhet një Reformë Zgjedhore që forcon institucionin e demokracisë në vend, por edhe që krimi të mos jetë më pjesë e zgjedhjeve, e partive politike, si dhe të ketë transparencë sa i përket financimit të partive. LSI ka qenë e para forcë politike në vend, që çdo aktivitet e bën publik me faturë nga kanë ardhur fondet. Por, më e rëndësishme është që të zbatohen rekomandimet e OSBE, sa i përket Kodit Zgjedhor dhe dekriminalizimit të votës. Grupet e punës po punojnë, do shkojmë me një draft të rakorduar. Besoj që nga ana e opozitës ka vullnet pozitiv për t’i shkuar deri në fund. Deri në këto momente po shqyrtohen mundësitë e një reforme, me një draft përfundimtar të konsultuar me partnerët. Jam optimist, sepse e gjithë klasa politike ka një shans historik, t’iu japë shqiptarëve një Reformë të drejtë Zgjedhore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb