Mjeku nigerian me emrin Philip Njemanze u bë shumë i famshëm në Kosovë pas deklaratës së tij për mediat serbe se do të japë dëshmi për “trafikim organesh” kundër ish–udhëheqësit të UÇK-së, tani zëvendëskryeministër i vendit, Hashim Thaçi.

Megjithatë, askush nuk u mor me biografinë e nigerianit Philip Njemanze, i cili është i martuar me një shtetase jugosllave, studente nga Novi Sadi.

Republika ka siguruar CV-në e Philip Njemanze, e cila duket shumë e pasur, ndonëse për shumëicën që figuron në të nuk mund të gjendet asnjë dëshmi në motorët e kërkimit dhe hulumtimit online.

Sipas CV-së së tij, Njemanze figuron se ka jetuar në qytetin Rostov në Rusi, i cili njihet si qendër e shërbimit sekret rus, ku edhe i strehojnë të huajt që i shërbejnë pushtetit të Putinit.

Madje, në këtë qytet, pas përkeqësimit të gjendjes në Ukrainë në vitin 2014, autoritet ruse e kishin vendosur edhe ish-presidentin e Ukrainës, Viktor Yanukovych, i cili njihet si mik i afërt i Putinit.

Gjithashtu, në CV-në e tij figuron se Njemanze ka studiuar në Institutin Shtetëror për Shëndetësi në Rostov të Rusisë dhe flet rrjedhshëm gjuhën ruse. Për më tepër, ai ka pranuar edhe disa çmime nga universitete dhe institute të ndryshme ruse, kryesisht në Rostov.

Situata e tensionuar politike në Kosovë, gjatë gjithë këtyre muajve ka qenë lajm me interes për Rusinë, kurse dje është transmetuar LIVE edhe protesta e opozitës në Prishtinë prej televizionit “Rusia Today”, pas të cilit qëndrojnë njerëzit e Putinit, shkruajnë mediat kosovare.

Njemanze, nigeriani

Ky televizion ka rreth 3.5 milionë ndjekës në Facebook. Debati rreth propagandës ruse në Ballkan është temë botërore e diskutimit, por ditë më parë shqetësime për rritjen e propagandës dhe prezencës ruse në Ballkan kishte shprehur edhe Janusz Bugajski, i Qendrës për Politika dhe Analiza Evropiane në Uashington, sipas të cilit Rusia dhe perëndimi kanë synime krejt të ndryshme lidhur me Ballkanin, transmeton Republika.info.

Kurse, ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit, Paul Goble, kishte thënë se Moska po bën çmos për të ndryshuar opinionin në Ballkan. “Mendoj se përpjekjet e Moskës për të ndryshuar orientimin e popujve të Ballkanit deri tani kanë dështuar”, ka thënë Goble.

Anketat e opinionit publik tregojnë se ndikimi rus po forcohet në Ballkan. Në Serbi rreth 72 për qind e popullatës rezulton se ka pikëpamje pozitive për Rusinë dhe institucionet e saj.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb