Përpara se t’i japim përgjigje kësaj çështjeje madhore lidhur me humbjen e rëndë, të katërtën radhazi të PD-së në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, megjithë fushatën e saj të bujshme, të pasur me alternativa dhe fytyra të reja, energjinë dhe dinamizmin e jashtëzakonshëm të liderit të saj 81-vjeçar, Sali Berisha, po përmendim kalimthi shkaqet kryesore të humbjes; kjo kryesisht për të treguar ndikimin e tyre jashtë vendit; dhe për të shpjeguar mungesën e mbështetjes diplomatike zyrtare ndaj opozitës dhe PD-së; ndonëse kjo jo vetëm për fajin e saj.
Pa përjashtuar ndikimin e Kodit Zgjedhor ku PD-ja ka rolin dhe siglën e vet qysh me Marrëveshjen e 1 Prillit 2009 Rama – Berisha, incidentet, problemet, parregullsitë zgjedhore dhe “gjynahet“ e njohura qeveritare, prapë faktor kryesor i kësaj humbjeje ishte mungesa e BESUESHMERISE jashtë kampit partiak të PD-së, kryesisht te elektorati “gri“ dhe i lëkundur për shumë faktorë tashmë të njohur.
Pavarësisht nga mobilizimi dhe fryma që krijoi, ndonëse kryesisht brenda kampit të vet, fakti që PD-ja kërkonte të rimerrte pushtetin për të tretën herë, me të njëjtin lider dhe me shumë “xhaketa të vjetra“ si përkatësisht 35 dhe 20 vite më parë ndikoi ndjeshëm në kuotat zgjedhore dhe besueshmërinë e saj politike dhe publike. Mund të kishte ndodhur ndryshe ose të paktën humbja nuk do të kishte të tilla përmasa, pa mohuar ndikimin e “krimeve“ zgjedhore, nëse PD-ja do të kishte dalë përpara gjithë elektoratit me shumë më tepër emra dhe fytyra të reja që në fakt i ka, por i mbajti “në prapavijë“ dhe jo në “skalionin e parë“; vetëm pak prej tyre, emra të mirënjohur të vlerësuar nga SHBA-të dhe BE-ja fituan me dinjitet vendin e deputetit në Kuvendin e ri; ashtu sikurse, ka dhe nga ata/ato që do t’i mungojnë Kuvendit të ri, ndonëse përvoja dhe pesha e tyre e vërtetë zgjedhore është “si nata me ditën“ me anonimët që kanë hyrë atje.
Faktor tjetër madhor ishte se për shkak dhe të ngjarjeve/ gabimeve të PD-së në 5 – 6 vitet e fundit, sidomos djegja e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve vendore, të pasuara nga grindje dhe përçarje brenda saj, një pjesë e madhe e zgjedhësve, sidomos atyre të lëkundur, nuk ishtin gati, të bindur dhe të predispozuar për NDRYSHIMIN e premtuar; në vend të tij, ata ndihen më të sigurt me STATUS KUONE, të joshur, pse jo dhe nga trysnia, kartat/ karamelet zgjedhore të shumicës. Për fatin e keq të opozitës, këto zgjedhje nuk u kthyen dot në Lëvizje masive Proteste përpara dhe pas 11 Majit, edhe pse shkaqe dhe arsye kishte dhe ka sa të duash; për pasojë nuk u mbështetën programet e PD-së dhe as të partive të tjera të reja opozitare. Kjo dhe sepse dihet se midis dy të këqiave, njeriu, e sidomos zgjedhësi priret të parapëlqejë atë që i duket më pak e keqe, dmth statuskuonë.
Ca më tepër në kushtet e një propagande të shfrenuar socialiste, 12 viteve të saj në pushtet, protagonizmit të Edi Ramës, organizimit të përsosur, ndikimit të skalioneve të saj luftarakë, patronazhistëve, medias, folklorizmit politik, etj.
Në këto rrethana tejet të rënduara për opozitën, ajo bëri gabimin tjetër të madh, duke nënvleftësuar kundërshtarin politik, edhe pse më parë PD-ja pati shpallur gjithandej se me këtë qeveri nuk shkohet në zgjedhje, ndaj kërkoi qeveri teknike por pa asnjë trysni brenda dhe sidomos jashtë vendit. Mirëpo, më vonë, me një eufori skandaloze, ajo e konsideroi të mirëqenë, gati – gati formalitet fitoren, madje “madhështore“ më 11 Maj, në vend që të mobilizonte njerëzit me kambana alarmi!
Ky gabim fatal shpjegohet me faktin se PD-ja e krahason gabimisht gjendjen dhe sfidën e saj tani me atë të 1992. Kur në fakt ato janë katërcipërisht të kundërta “me brenda dhe me jashtë“; pavarësisht nga propaganda e tepëruar atëhere, në vitin 1992 gjendja ishte shumë më e favorshme dhe më e lehtë për PD-në dhe opozitën; jo vetëm se kishte rënë Muri i Berlinit dhe Çaushesku, se regjimi monist ishte në grahmat e fundit, se në kushtet e pronës shtetërore njerëzit ishin aty dhe mblidheshin me një “të fryrë të bilbilit”; por mbi të gjitha sepse komuniteti ndërkombëtar, SHBA-ja dhe BE-ja ishin të gjitha, pa përjashtim me opozitën demokratike dhe Sali Berishën, si lideri i ri i shpresës për demokracinë pluraliste.
Mirëpo, krejt ndryshe nga atëhere, sot, pavarësisht problemeve, shqetësimeve dhe aferave të njohura me qeverisjen 12 vjeçare “bijtë e baballarëve“ të monizmit, siç i quan opozita janë në pozita shumë më të forta dhe komode se etërit e tyre politikë; rregjimi i tanishëm është shumë më i fuqishëm nga çdo anë, me shumë përvojë, me një imazh ndërkombëtar të admirueshëm, të promovuar nga vërshimi i turizmit, çelja e negociatave të anëtarësimit në BE, zgjedhja dhe kryesimi në forumet më të larta europiane dhe botërore, modernizimi i infrastrukturës, mikpritja e 5 – 6 samiteve europiane dhe rajonale, përfshi atë të Komunitetit Politik Europian, etj.
Për fatin e keq të opozitës, dhe kryesisht për shkak të interesave pragmatike të aleatëve tanë të mëdhenj, të cilët realisht i kanë spostuar vërtet “prapa liste“ vlerat dhe parimet, shumica e sotme parlamentare ka gëzuar dhe gëzon, madje me tepëri mbështetjen e gjithë bashkësisë ndërkombëtare, të SHBA-ve, BE-së, NATO-s, etj.
Pikërisht nisur nga sa sipër, gjuha dhe qëndrimet politike të opozitës nuk duhet të ishin si 30 vite më parë, pothuajse tërësisht negativiste dhe denoncuese, pa pohuar pothuajse fare arritjet e njohura të kësaj qeverie pavarësisht nga kostoja.
I përmenda këto fakte dhe faktorë, mbasi duke qenë diplomat aktiv për dekada jashtë vendit dhe sidomos në Berlin dhe në Bruksel, e di mirë se si shihen dhe “peshohen“ në kancelaritë perendimore këto akte, fakte, aktorë dhe faktorë, përpara se të japin qëndrimin e tyre në mbështetje të njerës apo tjetrës palë.
Në fakt, problemet e lartpërmendura dhe mosbesimi nga brenda janë pasqyruar dhe në një mbështetje minimaliste zyrtare diplomatike jashtë vendit ndaj PD-në dhe liderit të saj. Veç sa u përmend më lart, kjo dhe sepse lidershipi i saj filloi me shumë vonesë ecejaket nëpër Europë dhe në botë për të siguruar këtë mbështetje, pa të cilën as që mendohet të fitosh në Shqipëri, e sidomos pas 12 viteve në pushtet të PS-së, falë protagonizmit dhe diplomacisë agresive kryeministrore të Edi Ramës.
Padyshim këtu patën ndikimin e tyre tejet negativ shqetësimet madhore që shkaktoi shpallja “non-grata” për Berishën nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Britania e Madhe, kur kjo e fundit qeverisej nga konservatorët, aleatë të PD-së, grindjet, ngjarjet dhe ndarjet brenda saj, problemi i vulës, etj.
Ndër aktorët/faktorët e tjerë negativë diplomatikë në disfatën zgjedhore të 11 Majit mund të thuhet se e para dhe me rëndësi jetike ishte fushata me logon trampiane ”Ta bëjmë Shqipërinë madhështore“ duke përfshirë dhe aktivizimin e bashkëstrategut të fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar dhe fetishizimi i tij i pajustifikuar.
Madje le ta themi se prezantimi i tij i bujshëm i ngjante ” krimeve të marketingut” dmth kur ti krijon shpresa dhe pritshmëri të rreme, duke përdorur emrin e një “agjenti dhe produkti“ të veçantë zgjedhor, siç ishte në këtë rast Chris Lacivita dhe roli i tij; derisa PD-ja e bëri pothuajse fakt të kryer se ai ishte kyçi i heqjes “non – grata“ se pas tij qëndronte Administrata e Presidentit Trump, ndaj fitorja me të ishte e sigurt, “madhështore“ dhe se për Edi Ramën dhe PS-në kishte filluar numërimi mbrapsht; se 11 Maji do ngjyrosej blu!!.
Mirëpo, pikërisht ajo që pritej të ndizte “motorrët“ zgjedhorë të PD-së, heqja e “non-gratës“ së Berishës nuk ndodhi dhe as ka shenja se do të ndodhë. Jo se ajo do të garantonte fitoren, por ishte një MUST, një kusht thelbësor që do t’i kishte zgjeruar hapësirat e veprimit të PD-së, duke i dhënë më shumë frymë, frymëmarrje dhe besim në elektoratin jashtë PD-së dhe në diasporë. Aq më tepër se u paralajmërua me bujë dhe “non grata“ iu hoq shefit të kabinetit të Kryeministrit Viktor Orban.
Veç kësaj, megjithë fushatën pro-trumpiste, nuk pamë asnjë kongresmen apo senator republikan amerikan t’i dilte në krah PD-së në prag dhe gjatë kësaj fushate.
Nga ana tjetër, megjithë dëshirën e mirë, logoja “ Shqipëria madhështore“ për kushtet tona nuk ishte reale, tërheqëse dhe me efekte. Veç të tjerash, ajo është shpërdorur rëndomtë gjatë monizmit me “vepra, kantjere, kombinate dhe arritje madhështore“. Pastaj, nëse në SHBA flitet për Nju Jork, Cikago dhe Uashington madhështor, të flasësh për Peqin, Has, dhe Belsh madhështor krijon më shumë ilaritet se sa realitet! Por, kryesorja, le ta kuptojmë një herë e mirë politikanët tanë, në këtë rast ata të opozitës: zotërinj, nuk do dhe nuk po kërkon njeri “Shqipëri madhështore“ por një shtet normal, të qytetëruar, me standarde perendimore!.
Problemi tjetër është se duke dashur të “kopjojë” fitoren e Trump e duke hequr paralele jashtë çdo realiteti midis tij dhe Berishës u “shenjtërua“ Trump. Në një kohë, kur ai në Amerikë dhe sidomos në Europë nuk është si Bush, Clinton dhe Obama. Dihet tani se lidershipin e BE-së dhe shumicën e shteteve anëtare i “ka zënë halli“ me Trump, ndaj po shkrijnë gjithë artin e tyre diplomatik për “ta mbajtur atë në bord“, për garantimin e sigurisë, stabilitetit dhe paqes në Europë dhe në botë. Prandaj, realisht BE-së nuk kishte si t’i vinte mirë me « Trampizmin » e PD-së, sepse ai ndryshon shumë nga amerikanizmi i deritanishëm Euro-Atlantik.
Me respektin më të madh për disa ekspertë dhe eksperte të shquara të PD-së, me disa prej të cilëve më ka lidhur puna dhe shoqëria, mendoj se ata duhet të ishin treguar më të kujdesshëm dhe të mos kishin ushqyer iluzione nga SHBA-të; sidomos nisur nga doktrina ndonëse e pashpallur politike transaksionaliste e Trump, e cila nuk pothuajse nuk do t’ia dijë për problemet dhe shqetësimet e ngritura nga opozita dhe PD-ja dhe lidhur me shkeljet dhe problemet gjatë zgjedhjeve të 11 Majit. Deklarata e Ambasadës amerikane për 11 Majin ishte një nga dëshmitë e qëndrimit të ri amerikan që, duam s’duam, anon nga qeveria.
Trampizmi ishte një arsye madhore më shumë që BE-ja t’i rrinte larg PD-së, megjithë mbështetjen e saj për disa eksponentë të saj të njohur europianistë.
Ca më tepër kur ndërkombëtarët konsiderojnë partnerë të sigurt qeverinë Rama, e cila në fushatë doli fort me alternativën BE/2030 dhe me pasaportën europiane. Një alternativë që pavarësisht sa e realizueshme është “tingëllon muzikë“ për ta.
Në këtë vështrim, ndoshta do të ishte më e udhës për PD-në që të kishte dalë dhe ajo me alternativën e saj Euro-Atlantike, duke argumentuar me fakte të shumtë nga e kaluara e saj se ajo mund të realizonte anëtarësimin tonë në BE më mirë dhe më shpejt; jo vetëm se ka ekspertë, deputetë dhe ekipe të afta të sprovuara në proceset e integrimit europian por dhe duke e ilustruar me ndihmesën e vet të mëparshme në anëtarësimin tonë në OSBE, në KiE, në NATO, në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asiociimit me BE-në, e cila çoi në pranimin e kërkesës sonë zyrtare nga BE-ja në prill të vitit 2009. Për rrjedhojë, dhe tonet e saj kritikuese dhe akuzuese ndaj shumicës do të ishin më realiste, më bindëse dhe më pozitive; krahas kritikave dhe akuzave jo të pabaza, më pranuese dhe vlerësuese duhet të ishte PD-ja sidomos lidhur me çeljen e negociatave, mikpritjen e disa samiteve të rëndësishme në Tiranë, modernizimin e infrastrukturës, promovimin e turizmit, etj. Kjo fushatë me frymë afirmuese do kishte ngjallur më shumë entusiazëm, besim dhe frymëzim se fushata trampiste këtu, në Bruksel dhe gjetkë në Europë.
Për pasojë, NDRYSHIMIN që nuk e donte elektorati i brendshëm, aq më pak e donte BE-ja. Mbasi i ka provuar në 35 vitet e fundit të gjitha partitë dhe alternativat e tyre, ajo mbështet atë forcë politike që në këto situata të ndërlikuara gjeopolitike garanton statuskuonë, stabilitet dhe siguri. Asaj nuk i hyjnë më në punë eksperimentet me vlera dhe parime përpara interesave pragmatiste gjeopolitike, sidomos në situatat e tanishme të ndërlikuara dhe shpërthyese. Pastaj, siç thuhet shpesh ” e keqja më e madhe është ajo që nuk njihet”. Ndaj, për mirë a për keq, BE-ja e kishte ndarë mendjen të vazhdonte bashkëpunimin me qeverinë Rama, sepse, si të thuash, « ka gjetur rehat me të» pavarësisht nga telashet që i krijon!
Kjo u pa fare qartë dhe në urimet e të gjithë liderëve europianë për Kryeministrin Rama të pranishëm në Samitin e Komunitetit Politik Europian, më 16 Maj, në mes të Tiranës! Dhe nuk ishin thjesht urime mirësjelljeje diplomatike, por përgëzime domethënëse, duke mos lënë vend për dyshime e duke ”i vënë praktikisht kapakun” politik 11 Majit.
Sa për Berishën, deri vitin e kaluar BE-ja zyrtare dhe diplomatike nuk mund ta ftonte atë në Bruksel, sepse ”do t’i ngelej hatri” Administratës së Presidentit Biden; por as këto muajt e fundit nuk ia vlente, siç e thamë dhe më lart. Fakti qe si BE-ja dhe SHBA-të ftuan deputetë të veçantë të spikatur të PD-së, por jo Berishën, e përforcon dhe më shumë ” sikletin” e tyre diplomatik me të.
Ndaj, përveç partive të djathta, nuk u pa asnjë lëvizje, deklaratë dhe qëndrim zyrtar Euro-Atlantik në përkrahje të opozitës. Asnjë ftesë për Berishën në Bruksel nga kancelaritë zyrtare; po, u ftua në Valencia, në Strasburg dhe në Bruksel, por nga grupi i Partive Popullore Europiane dhe Internacionalja e Djathtë; por dhe prej tyre tepër vonë, kur ” e kishte marrë ferra uratën”! Po kështu, asnjë lider europian apo qoftë dhe Komisioner i BE-së nuk e takonte Berishën në Tiranë dhe këto javët e fundit, kur mori vulën dhe EPP-ja e njohu si Kryetar i PD-së!
Po, është e vërtetë që Unioni Demokratik Botëror( IDU) që përfshin të gjitha partitë e qendrës së djathtë dhe Grupimi i Partive Popullore Europiane ( EPP) miratuan muajt e fundit 4 rezolutat e njohura të propozuara nga PD-ja; madje, Berisha u ftua me emër dhe në Kongresin e EPP-së në Valencia dhe më 17 Maj në Bruksel në takimin e IDU-së, ku foli dhe takoi disa kryeministra europianë. Mirëpo, problemi është se IDU është forum partiak, pa ndonjë rol të veçantë vendimarrës as te qeveritë e saj; edhe EPP-ja ndonëse është grupimi më i madh në Europarlament dhe në KiE në Strasburg; por gjithsesi pa shumicë absolute dhe ai nuk mundi të propozojë miratimin e një rezolute të tillë të fortë nga gjithë Parlamenti Europian për vendin tonë. Për pasojë dhe rezolutat partiake të EPP-së, megjithë rëndësinë e tyre nuk « ngjitën » dot në elektoratin tonë të mësuar tashmë me to, siç do kishte ndodhur me miratimin e Europarlamentit.
Ndonëse edhe rezolutat dhe konkluzionet e tij e kanë humbur forcën e mëparshme politike dhe morale; veç faktit që ato nuk janë të detyrueshme për zbatim nga institucionet e BE-së apo dhe qeveritë europiane, madje dhe ato që bëjnë pjesë në EPP. Edhe pse vërtet partitë e saj janë në pushtet në 90 për qind të shteteve anëtare të BE-së, kur vjen puna te Realpolitika e përditshme, qeveritë janë të pavarura dhe as nuk duan t’ia dinë për rezolutat partiake; por dhe kur vjen puna për të raportuar në parti, Kryeministrat përkatës ”e hedhin lumin“ duke pranuar problematikat e tyre në parim; por nga ana tjetër ato përmendin se pavarësisht nga problemet dhe mangësitë e qeverive të ndryshme jashtë BE-së, ato kanë bashkëpunim shumë të mirë me qeverinë shqiptare, ndaj më mirë le të priten rezultatet e zgjedhjeve të reja e pastaj « duke parë dhe duke bërë». Kujdes, në Perëndim nuk ka ”parti shtet”!
Në fund të fundit sipas tyre është populli që vendos dhe jo ne dhe këtu mbyllet problemi. Dhe kjo u pa qartë kur disa kryeministra të shquar, në Valencia dhe Bruksel i pamë të shtrëngonin duart me Berishën për mirësjellje dhe solidariet partiak; por disa ditë më vonë, më 16 Maj në Tiranë po ata e përgëzonin për ” masakrën ” zgjedhore dhe i thurnin me zë dhe me figurë lavde Kryeministrit Rama në Tiranë!! Kjo nuk do shumë mend për t’u kuptuar, se Realpolitika qëndron mbi çdo rezolutë partiake!
Vërtet që dhe në takimin më të fundit të Komitetit të Stabilizim – Asocimit me Parlamentin Europian më 18 – 19 Qershor 2025 në Strasburg përfaqësuesit e PD-së denoncuan farsën zgjedhore, sipas tyre, dhe mëkate të tjera të qeverisë; por të gjitha këto dhe akte të tjera të saj vetëm se ekspozojnë dhe denoncojnë, por aq; ato nuk shpien në mosnjohjen e rezultatit zgjedhor. Ca më keq akoma, aty sërish nuk u ra dakord për një Deklaratë të përbashkët midis qeverisë dhe opozitë, duke mbajtur secila palë obsionet e veta. Siç u përmend më lart, dokumentet dhe përfundimet e tyre arkivohen dhe shërbejnë më tepër si burim reference për raporte të tjera europiane, por pa asnjë forcë detyruese dhe sanksionuese. Ka të drejtë një gazetar i njohur tek thotë se gjërat në këtë vend nuk ndryshojnë me raporte/ rezoluta, ca më tepër kur Kryeministri “ njerin lider e ka vëlla, tjetrën motër….“.
Si dëshmimtar aktiv i farsës dhe dhunës zgjedhore me 26/28 Maj 1996 dhe i pranishëm në takimet e opozitës në Bruksel dhe Strasburg në Qershor/Korrik 1996, shoh se këtë radhë nuk patëm dhe nuk kemi një ” alarm“ indinjatë të vërtetë dhe lëvizje të kancelarive zyrtare europiane si atëhere që të trondiste sadopak qeverinë. Kjo dhe për shkak se atëhere opozita mbushi rrugët, sheshet dhe qytetet, ndërsa tani nuk kemi parë pothuajse asnjë shenje dhe frymë proteste brenda vendit, veç konferencave rutinore të shtypit.
Ja pse për fatin e saj të keq, dhe aleatët e saj më të fortë nuk mund të bënin dot më shumë për PD-në e ca më pak për Berishën. Kështu republikanët amerikanë kanë pak muaj në pushtet, konservatorët britanikë janë në opozitë, CDU/CSU-ja gjermane sapo ka ardhur në pushtet, në Itali “Forca Italia“ dhe vetë Meloni janë ”të mpleksur” me qeverinë Rama, ndërsa Mitsotakis nuk kishte se çfarë të bënte më shumë veç Belerit, pas “traumës“ që kaloi verën e kaluar dhe interesave të tjera me qeverinë Rama dhe telasheve që ka vetë brenda vendit. Pastaj, Shqipëria sipas tyre tani duhet t’i zgjidhë vetë problemet, si anëtare e KiE-së, OSBE-së, e NATO-s dhe vend aspirant i BE-së! Nuk jemi më në vitin 1996, 2006 apo dhe 2016!
Nga ana tjetër, Rama e njeh më mirë se kushdo tjetër teknologjinë dhe makinerinë politike dhe diplomatike të BE-së, veç imazhit dhe marrëdhënieve shumë të ngushta që ka me liderët e saj, duke përfshirë këtu dhe « nderet» politike tashmë të njohura ndaj tyre. Dhe sipas logjikës gjeopolitike, kjo sjellje do shpërblyer në forma të ndryshme. Njera prej tyre është indiferenca ndaj opozitës, duke patur parasysh dhe « yçkëlat « e saj që u përmendën më lart. Ja për shembull, në Itali Rama « e ka pisk » me partinë simotër social-demokrate, por nuk do t’ia dijë fare, mbasi e « ka fjollë » me Melonin dhe « Forca Italia » aleatin e PD-së. Veç faktit se në pikpamje zgjedhore është lideri socialist më i suksesshëm në Europë, ku qeveritë e majta vërtet « numërohen me gisht» Ndërsa Berishën nuk e ka pritur asnjë ministër i jashtëm dhe as ndonjë Kryeministër, as Mitsotakis në Athinë, Meloni në Romë dhe Merz në Berlin, as të djathtët në pushtet në Bruksel dhe gjetkë!
Në këtë vështrim dhe disa deputetë apo personalitete të huaja që folën në mitingjet e PD-së nuk patën ndikim, jo vetëm se ishin me status personal, por se “ua kemi pirë me kohë lëngun”. Pastaj Rama nuk do t’ia dijë, se e «ka grurë“ me bosët e tyre.
E pra, ja ky është realiteti i hidhur gjeopolitik për opozitën ku ajo vitet e fundit, ndryshe nga tradita e mëparshme nuk ka qenë agresive dhe me vonesë i kanë çelur vetëm kanatet partiake por jo portat dhe postat e tyre zyrtare.
Ndonëse në PD ka diplomatë dhe ekspertë të njohur dhe me përvojë, në vend që të dilnin orë e çast në media, ata do të kishin bërë më mirë të kishin punuar shumë më tepër, shumë më herët dhe pa bujë ”në hije dhe nën rrogoz”, duke shfrytëzuar kontaktet, lidhjet dhe miqësitë e lidhjet e tyre, fjala vjen me komisionerë dhe drejtues në Komisionin Europian, në Ministritë e Jashtme dhe kancelaritë qeveriare; me synim ndërgjegjësimin e tyre dhe instancave përkatëse për realitetet politike në Shqipëri dhe për t’i dhënë mbështetjen zyrtare diplomatike PD-së.
Në këtë drejtim, pa mohuar demarshet e PD-së, ata janë shumë më mbrapa eksponentëve të PS-së dhe në vitet 90, të cilët patën efektivitet shumë më të madh në këtë fushë dhe pa kontrata disa milionëshe; mjafton të përmend demarshet e tyre të suksesshme lidhur me ndërkombëtarizimin e Çështjes NANO dhe Referendumin Kushtetues më 1994, farsën zgjedhore të vitit 1996, kur krahas drejtuesve partiakë priteshin dhe nga qeveritarët kryesorë në Europë dhe në SHBA.
Dhe prapë kjo është vetëm gjysma e të keqes. Sepse kjo mungesë mbështetjeje për opozitën nga aktorët dhe faktorët ndërkombëtarë me peshë mund të vazhdojë t’i kushtojë shumë betejës opozitare në javët e ardhëshme për mbrojtjen sipas saj të votës së lirë. Pas euforisë së shprehur nga të 54 liderët e BE-së dhe të pjesës tjetër të Europës në Samitin e Komunitetit Politik Europian më 16 Maj është akoma më naive të besosh në ndonjë mrekulli nga OSBE/ODIHR. Dëshmi tjetër ishte Konferenca e 5-të Ndërqeveritare me BE-në më 22 Maj në Bruksel, ku u çel dhe grupi tjetër i kapitujve të negociatave të anëtarësimit; një rast tjetër i volitshëm për shumicën qeverisëse, ku BE-ja rinkonfirmoi mbështetjen e saj ndaj qeverisë, pavarësisht problemeve me 11 Majin zgjedhor, dhe pse vështirë të bëhet fjalë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Brenda Qershorit do të çelet dhe grup kapitulli tjetër, ndoshta i fundit i negociatave me BE-në, një tjetër promovim për qeverinë dhe shpërfillje “me lezet“ për shqetësimet e opozitës, në pritje të vendimit të ODIHR-it. Ndërsa më 25 Qershor në Samitin e NATO-s në Hagë do të bëhet publik njoftimi se në vitin 2027 Shqipëria do të mikpresë Samitin e NATO-s, më i rëndësishmi!
Në këto kushte dhe ODIHR në hartimin e raportit të tij përfundimtar ka shumë të ngjarë të mbetet në kuadrin e konstatimit të difekteve dhe parregullsive teknike, siç do të bëjë dhe Asambleja Parlamentare e KiE-së këtë javë në Strasburg. Pastaj, nën ndikimin e faktorëve politikë dhe zyrtarë të lartpërmendur do të mjaftohet me citimin e këtyre difekteve dhe rekomandimet e zakonshme, për t’u shqyrtuar deri në vitin 2027, siç është përcaktuar dhe në Kornizën e Negociatave me BE-në.
Kjo do të ndodhë dhe raportin që do të miratohet nga Parlamenti Europian më 8 korrik, ku pritet që zgjedhjet e 11 Majit, pavarësisht nga problemet serioze do të cilësohen të mirëorganizuara, konkuruese, të qeta dhe të pranueshme. Dhe me këtë do të mbyllet procesi zgjedhor i 11 Majit, me të drejtën e çdo force politike për t’i drejtuar ankesat dhe pretendimet e rastit në organet përkatëse, të cilat dihet se si përfundojnë, veçanërisht pas një fitoreje të tillë të thellë të shumicës parlamentare. Pastaj të tjerat, më tha ky dhe tha ai, janë llafe boshe që i merr shumë shpejt era.
Ashtu si në vitin 2001, kur pati akuza të rënda ndaj PS-së për “Dushkun e madh“, kriza u zgjidh duke i lejuar opozitës që të propozonte kandidatin e saj për President të Republikës dhe aq. Ndërsa tani, nëse do të ketë elementë krize, kjo punë mund të zgjidhet fare lehë, duke i “tërhequr pak veshin“ shumicës, duke i dhënë opozitës ndonjë kryetar komisioni më tepër, duke i ridhënë asaj Kryetarin e Komitetit të Integrimit, me kërkesën për një reforme të re zgjedhore dhe “u lamë“!
Ja pse tani, pa mohuar kursesi trysninë ndërkombëtare ndaj shumicës parlamentare dhe qeverisë për kusuret e tyre të shumta në këtë mes, “topi ndodhet në zonën e rreptësisë“ së opozitës, lidershipi i të cilës do të duhet të paguajë një çmim të majmë politik për këtë humbje, e cila duhet doemos t’i çelë rrugën reformimit dhe ripërtëritjes së saj në të gjitha kapilarët dhe formatet; se vetëm kështu mund të ketë shans, edhe pse jo të garantuar për t’i marrë revanshin PS-së mbas 16 vitesh në pushtet. Opozita duhet ta rifillojë gjithçka mbi të gjitha dhe seriozisht nga brenda, përpara se të qajë e të kërkojë nga jashtë; për më tepër, se dhe jashtë sot nuk i duan ata që qajnë dhe ankohen, me të drejtë ose pa të drejtë.
Këtu PD-ja duhet të mbajë mirë parasysh se po, çdo forcë politike ka të drejtën e vet për të zgjedhur liderin që ajo dëshiron pa imponim nga askush; ama, dhe askush nuk mund t’u imponohet ose të paragjykojë zgjedhësit që të shprehin pëlqimin/ mospëlqimin apo dhe alergjinë e tyre për zgjedhjen që bën opozita dhe për lidershipin e saj ekzistues ose dhe të ri. Dhe mbi këtë bazë zgjedhësit do të votojnë pro statuskuosë qeverisëse ose pro ndryshimit opozitar. Ndryshe, nga opozita do të vazhdojmë të dëgjojmë refrenin e vjedhjes së votës, ndërsa PS-ja dhe Rama “do të shtrojnë trasenë“ për fitoren e mandatit të pestë radhazi në vitin 2029, duke thyer kështu rekordet politike të Kohlit, Thatcher dhe Merkelit. Dhe përgjegjësinë për këtë “rekord“ do ta mbajë kryesisht opozita e sidomos PD-ja.
(BalkanWeb)