Në kulim e karrierës së tij, ky trofe ishte “qershia mbi tortë”, për më tepër me shiritin në krah. Për Berat Gjimshitin kjo është një ëndërr, një sukses i jashtëzakonshëm që i jep më shumë ngjyra këtij sezoni fantastik, ku vetëm pak ditë më parë humbën një tjetër finale, atë kundër Juves. Qendërmbrojtësi kuqezi nuk i fshehu emocionet për këtë sukses, ndërsa zbuloi se vetëm pak përpara finales kishte mësuar se do të ishte ai kapiteni:

“Është e vështirë të gjesh fjalët tani, nuk po arrij ta kuptoj se çfarë kemi realizuar. Është një sukses kaq i madh, për më tepër pas finales së humbur, është e pabesueshme pasi morali i ekipit nuk ishte aq i mirë. Tani as që më bëhet vonë për tre finalet që kam humbur”, u shpreh Gjimshiti duke vijuar:

“Jam shumë krenar, vetëm përpara ndeshjes e mësova që do të isha kapiten, por ky është një grup fantastik. Ndaj Leverkusen nuk kishte fare histori, luajtëm mirë dhe e merituam fitoren”, theksoi Gjimshiti duke u rikthyer më pas në kohë, në momentin kur erdhi tek Atalanta:

“Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë. Kur erdha këtu situata ishte ndryshe, pritshmëritë ishin të tjera, luhej për të mbijetuar. Ardhmja e Gasperinit transformoi gjithçka. Pas disa viteve nisa të ëndërroja momente të tilla, mbase jo Europa League, por për Kupën e Italisë. Kemi kaluar edhe momente negative, por tani e merituam këtë trofe”, u shpreh ndër të tjera kapiteni Gjimshiti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: