I pandehuri nga Fieri, Bledar Jambelli i cili akuzohet se urdhëroi vrasjen e ish-drejtorit të policisë së Vlorës, Artan Cuku në shenjë hakmarrje, pasi ai e kishte arrestuar si të dyshuar për një vrasje, nuk do të ekstradohet në Shqipëri, sipas një vendimi të marrë nga Gjykata e lartë greke.

Pikërisht për ekstradimet dhe rastin në fjalë është pyetur sot në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, edhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

“Kemi kryer veprimet proceduriale tonat në rastet e dërgimit të kërkesave për ekstradim. E di që me rastin Jambelli ka pasur një zhvillim gjyqësor, me sa dëgjova sot Gjykata e Lartë ka vendosur të mos e ekstradojë. Ne kemi vetëm një njoftim nga Interpoli që është vendosur mosekstradimi. Nuk dimë më shumë në lidhje me këtë rast”,- tha ajo.

E pyetur në studio nëse ka informacione që Jambelli është lënë i lirë në shtetin fqinj, Gjonaj shtoi: “Nuk di t’jua them nuk e kam këtë informacion. Prokuroria do e shpallë sërish në kërkim dhe ai arrestohet përsëri për llogari të gjykatave shqiptare”.

Kujtojmë që procesi ndaj eksponentit të njohur të krimit, në gjykatën për Krime të Rënda u pezullua për një periudhë 1 vjeçare, sikurse parashikon ligji kur të pandehurit janë në mungesë. Por, pas këtij zhvillimi të ri, prokuroria për Krime të Rënda tha se do të shqyrtojë argumentat dhe do të mbajë qëndrim në seancë gjyqësore. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe zyra e kryeprokurores së përkohshme.

PSE E ARRESTOI KOMISAR CUKU VRASËSIN
Mikel Shallari ekzekutori i kryekomisarit Artan Cuku pranoi të rrëfejë njeriun që e pagoi për vrasjen duke rikthyer historinë e një arrestimi në vitin 2012, kohë kur Cuku ka qenë nëndrejtor policie në Vlorë. Ai iu dha prokurorëve emrin e Bledar Jambellit, i njohur ndryshe si Rikard Muho, 38 vjeç nga fshati Mbrostar i Fierit. Jambelli ka qenë i arrestuar nga policia, si vrasës me pagesë në dhjetor të vitit 2012.

Ky arrestim, sipas Shallarit ka qenë motivi që Jambelli ka kërkuar ekzekutimin e Artan Cukut, pasi me iniciativën e tij ishin rihapur hetimet për disa vrasje në Vlorë.
Një vit më pas, në 2013, Artan Cuku u lirua nga detyra me urdhër të Drejtorit të atëhershëm të Policisë, Artan Didi.

Ndërkohë, pavarësisht rihapjes së hetimeve për vrasjen tek Pusi i Mezinit, Bledar Jambelli u lirua nga burgu, pasi në atë kohë u tha se nuk u gjetën prova. 4 vite pas arrestimit ai gjeti njeriun që pranoi të ekzekutojë Artan Cukun.

Arrestimi që i kushtoi jetën komisarit kishte të bënte me një zinxhir vrasjesh që nisnin që nga përplasjet mes bandave të Vlorës në vitin 1997 dhe vazhdonin përmes hakmarrjes dhe trafikut të drogës dhe prostitutave në Spanjë.

Bledar Jambelli u dyshua për vrasjen me pagesë të Amarildo Delajt në shtator të vitit 2012 dhe të fortit të Vlorës, Shpëtim Muka, në vitin 2006 te Pusi i Mezinit.

Dy ngjarjet lidhen mes tyre, pasi viktimat kishin krijuar konflikte në Spanjë me Sokol Ramën. Dy atentatet mendohej se u realizuan nga i njëjti person, Bledar Jambelli.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb