Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka treguar punën e bërë nga njësia antikorrupsion. Ai tha se janë konstatuar probleme në dhënien e legalizimeve në Kadastrat e Durrësit dhe Sarandës.

Manja theksoi se ka kërkuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës të shkrijë të gjithë drejtorinë e Kadastrës në Durrës, ndërsa shtoi se kanë në duar shumë praktika që implikojnë këto dy drejtori.

“Pjesëtarët e njësisë antikorrupsion, mjafton të marrin rastet dhe praktikat që kanë në tavolinë dhe në të gjitha gjasat do të ketë shkelje në mos të natyrës penale do të ketë shkelje të natyrës administrative. Kadastra e Durrësit, atje kemi çuar si masë për shkarkim nga detyra thuajse të gjithë drejtorinë. Ne i kemi referuar drejtorit të përgjithshëm të Kadastrës, shkrirjen e kësaj drejtorie. Janë 215 dosje legalizime objektesh që janë marrë në shqyrtim nga inspektorët tanë. Në këto dosje ka rezultuar se mungonin dokumentacionet më të rëndësishme të ligjit. Pa harta, pa ortofoto e një sërë shkeljesh të tjera. Është një guxim i madh e gjitha në shkelje.

Emetimi i lejes së legalizimit pa pasur në dosje dokumentacionin e plotë është në kundërshtim me ligjin. Emetimi i lejes së legalizimit për objekte të pa qëndrueshme është në kundërshtim me ligjin. Pasi drejtoria antikorrupsion ka tërhequr dosje dhe ka nisur kontrollet drejtoria e ASHK Durrës është përpjekur të ndryshojë dosjet duke i shtuar të dhëna të tjera. Kjo e rëndon më shumë punën e tyre. Janë bllokuar rrugë që sipas numrit zhvillimor do të ishte rrugë qyteti.

Rasti i dytë është një kundërvënie ndaj një vendimi gjykate. Punonjësit e agjencisë së Kadastrës Sarandë e konsiderojnë veten mbi gjykatën kanë dhënë leje legalizimi edhe pse godina e legalizuar prek rrugë. Edhe pse gjykata në rastin e parë ka kërkuar pezullimin e procesit, të dy objektet janë legalizuar dhe tashmë janë hipotekuar. Në Sarandë kemi disa praktika të tjera që po trajtohen nga njësia antikorrupsion”, tha Manja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb