NGA: FATMIRA NIKOLLI*
Ali Pasha 1744-1822 e qeverisi Epirin për 32 vite (1788-1822), pjesë të Shqipërisë, Maqedonisë, Greqisë e deri në Shkup. Ai qeverisi në mënyrë mizore, por edhe me drejtësi… Gjatë qeverisjes së tij, Janina u bë një qendër ndërkombëtare tregtare, politike, ekonomike dhe kryesisht intelektuale. Ai u martua në një moshë të madhe me një dasme të krishterë me legjendaren zonjën Vasiliqi, e cila e sundoi atë tërësisht. Gjatë qeverisjes së tij të fuqishme, ai ndërtoi disa kisha dhe asnjë xhami… Vdekja e tij ishte tragjike…” (Tabela informuese në greqisht e anglisht)

Muzeu i Ali Pashë Tepelenës gjendet në ishullin e liqenit të Janinës. Në një shtëpizë dykatëshe pranë manastirit të Shën Pandeleimonit, të cilën e përdorte për pushime (me shkallë të brendshme, ballkon të drunjtë, e mbuluar me rrasa guri) ai do të vritej, për t’ia dërguar mandej kokën në Stamboll e për të lënë në Janinë trupin, që ende prehet në një varr të thjeshtë, rrethuar me kangjella, në zonën e brendshme të kalasë së tij, përkarshi xhamisë.

Në hyrje të ishullit, sapo zbret nga varka, një reklamë e madhe tregon pashain e mbështetur në prehrin e Vasiliqisë. Po aty, një shigjetë të tregon rrugën për tek muzeu, ku lajmërohet se gjendet edhe dyfeku i tij i artë, një prodhim i veçantë, i vitit 1804, punim artizanal prej ari e argjendi, ku është gdhendur emri i pashait. Rrugëve të kalldrëmta të ishullit ndjehet era e tymit të druve, ndërsa shtëpitë përdhese të lyera me gëlqere të bardhë kanë ruajtur të gjitha të njëjtin peizazh, si edhe rruginat e ngushta.

Muzeu, armët e Vasiliqia
Presidenti i muzeut, Mihail Pantulas, e mban fjalimin përshëndetës në oborr, ku gjendet i gjithë grupi pjesëmarrës në Ditët e Bashkëpunimit Kulturor e Turistik shqiptaro-grek në Janinë. Mes tyre përmendim zv/ministrin e Kulturës, Zef Çuni; drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi; nëndrejtorin Dorian Koçi; deputetin Fatmir Toçi, drejtoren e Institutit të Librit dhe Promocionit Irena Toçi (një prej organizatoreve të eventit, bashkë me Qendrën Kulturore e Bashkisë së Janinës dhe Shoqatën e Hotelierëve të Qarkut të Janinës), konsulli i Shqipërisë në Janinë Andrea Kaso; shkrimtari Dinos Kubatis dhe gazetarë të mediave shqiptare e greke që ndjekin aktivitetet.

Mandej, përmes shkallëve të jashtme dalim në kat të dytë, ku në një ekspozitor të thjeshtë në qendër të dhomës gjendet dyfeku i artë. Është objekti i fundit i ardhur në muze. Patulas thotë se ajo ruhej në një familje aristokrate janinjote (për të cilën nuk jep të dhëna). “Familja u largua nga Janina më 1930-ën. Pak kohë më parë, një prej tyre kontaktoi me drejtorin e muzeut, Fotis Rapakusis, duke i treguar se kishte në pronësi një objekt të rëndësishëm të Ali Pashës. Më i moshuari i asaj familjeje kishte lënë amanet se nëse një ditë do të ishin të detyruar ta shisnin atë armë, ajo duhej të vinte në Janinë”. Ndërsa amaneti u përmbush dhe arma sot ekspozohet në muzeun e pashait, as Pantulas as Rapakusis, nuk japin shifrën që ka kushtuar arma, ndërsa kur i pyet sa kushton ajo sot, thonë “sa do ta shisnit ju fëmijën tuaj?”.

Nuk vihet në dyshim se dyfeku ka qenë i pashait. Emri i gdhendur në një pllakëz e vogël prej argjendi e dëshmon këtë. “Emri i tij është i dukshëm dhe nuk gjendet asnjë armë tjetër që të ketë të shkruar emrin e Ali Pashës mbi të”, thotë Pantulas. Dyfeku dihet se ka qenë dhuratë, por në këtë pikë, se kush ka qenë dhuruesi versionet janë disa.

“Kur mori titullin Vezir nga Sulltani pas pushtimit të Sulit, ndoshta miqtë i dhuruan këtë armë për të tërhequr vëmendjen e tij. Gjithashtu, supozohet që të jetë dhuratë nga mbreti Xhorxh i Britanisë së Madhe pas hapjes së konsullatës britanike. Dihet dashuria e veçantë e pashait për armët. Ai i ekspozonte në një dhomë të veçantë në saraje (çka dihet nga pikturat e tij) ku priste miqtë dhe ua tregonte atyre”, thuhet në tabelën sqaruese të dyfekut. Gjithsesi, shton Pantulas, dhuruesi ka qenë me siguri në gjendje shumë të mirë ekonomike, sepse kjo armë është shumë e shtrenjtë për kohën. Arma nuk është shkrehur kurrë. Ai thjesht krenohej me ‘koleksionin’ e tij dhe mendohet se me to tregonte edhe fuqinë e vilajetit që qeveriste.

Vasiliqia
Muzeu ka në ambientet e veta disa armë, piktura, si edhe stoli të ndryshme, vëthë, unaza, varëse, togëza prej argjendi e prej ari. Ka kostume popullore të zonës, veshje të Konicës e Sulit, enë prej materialesh të ndryshme; ka një ‘shpellë’ me mjete të përdorura për tortura dhe mbi të gjitha, ka edhe një veshje autentike të Vasiliqisë. “Kjo veshje ka ardhur nga pasardhësit e Vasiliqisë. Është dhuratë e familjes Mela, e cila ia dhuroi këtij muzeu qysh prej vitit 1958”, sqaron Pantulas. Në muze ekspozohet edhe fotoja e çastit të dhurimit, por aty nuk ka asnjë veshje të Ali Pashait. Pasardhësit e Vasiliqisë tashmë kanë shkuar deri në Australi dhe muzeu ka humbur kontaktet me ta.

“Varri i Vasiliqisë është në një qytezë të vogël në Mesolongi dhe banorët e kësaj qyteze e mirëmbajnë”.
Në dysheme, të mbuluar me xham janë 6 plumba. Pikërisht në atë vend, më 5 shkurt të 1822-it, Ali Pasha u qëllua. Plumbat e shkrehur nga kati i parë kaluan përmes dërrasave të dyshemesë dhe ranë mbi pashain në kat të dytë. Plumbat nuk janë origjinalë, por janë të njëjtë me ata që përdoreshin në fillimshekullin e 19-të. Tani, në krah të tyre, ekspozohet dyfeku i tij prej ari i vitit 1804, sendi më i fundit që i shtohet fondeve këtij muzeu, një dhuratë e veçantë dhe e kushtueshme bërë vezirit.
Pak metra larg muzeut të Ali Pashës, gjendet edhe muzeu i Revolucionit Grek, ku mes të tjerash ekspozohet edhe kama e Apostol Arsakit. Është Pantulas që na e vë në dukje. Suliot nga origjina e largët, presidenti i muzeut këndon shqipe “Të bukurën More”, edhe pse vëren se mes Shqipërisë e Greqisë ka më shumë gjëra që i bashkojnë se i ndajnë dhe vë theksin te bashkëpunimi, fqinjësia e mirë e historia e përbashkët.

Marrëveshjet
E firmosur mes Irena Toçit për Institutin e Librit dhe Promocionit dhe Kostantinos Gogos, Qendra Kulturore e Janinës, marrëveshja përfshin kinematografinë, artet pamore, muzikën etj. Në kuadër të saj, në Janinë u çel ekspozita e Edi Kojanit dhe Zeqir Alizotit “Gjirokastra dhe Janina”. Ndërkaq, pritet të bëhet promovimi i librave të shkrimtarëve Dinos Koubatis dhe Telemak Koca në Janinë, ndërsa autorë grekë do të jenë të pranishëm në stendën e “Toenës” në Panairin e librit në Shqipëri. Në vijim të saj është rënë dakord që Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore të mbajë koncert në Janinë, Pargë, Artë, Prevezë dhe Igumenicë e po ashtu pritet të ketë gjatë këtij viti edhe një koncert të orkestrës së Radio Televizionit Shqiptar në Janinë. Pjesa e Armando Borës, “Ata hynë pa trokitur” do të shfaqet po ashtu gjatë 2016-ës në Greqi.

Mes të tjerash, gjatë Ditëve të Bashkëpunimit Kulturor e Turistik shqiptaro-grek në Janinë u firmos edhe një memorandum për turizmin. Memorandumi i nënshkruar në Janinë pritet të sjellë investime në turizëm me projekte të përbashkëta. Sipas tij, Shqipëria dhe Greqia angazhohen të rrisin bashkëpunim për të nxitur promovimin e turizmit dhe investimet në këtë sektor nëpërmjet projekteve të përbashkëta. Nëpërmjet një memorandumi të nënshkruar në Janinë, synohet promovim i përbashkët i destinacioneve mes dy vendeve.

Me ndërmjetësimin e Institutit të Librit dhe Promocionit Kulturor Tiranë dhe nën kujdesin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Janinë, u nënshkrua në Janinë një memorandum bashkëpunimi midis Shoqatës Shqiptare të Turizmit dhe Shoqatës së Hotelierëve të Janinës. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga kryetari i Sektorit të Hoteleve në ATA, Zak Topuzi dhe kryetari i IRHA, Konstandin Vllaho. Në takimin që delegacioni shqiptar i kryesuar nga Drejtore e Përgjithshme e Institutit të Librit dhe Promocionit Kulturor Tiranë znj. Irena Toçi pati me kryetarin e Bashkisë së Janinës, Thomas Begas dhe prefektin e Janinës, Alekos Kahrimanis, theksi u vu te promovimi i turizmit dhe investimet në këtë sektor nëpërmjet projekteve të përbashkëta, duke filluar nga programet europiane IPA II për të cilat kërkohet një bashkëpunim ndërkufitar.

Një ndër objektivat e përbashkët të kësaj marrëveshjeje ishte koordinimi për promovimin e përbashkët të destinacioneve Shqipëri e Greqi, veçanërisht të zonave ndërkufitare, për të siguruar një pozicionim më të mirë në tregjet ndërkombëtare, që lidhen me turizmin dhe vlerat e tij ekonomike.

Aktiviteti “Ditët e Bashkëpunimit Kulturor e Turistik Shqiptaro-Grek” u organizua nga Instituti i Librit dhe i Promocionit, Tiranë; Bashkia Janinë; Qendra Kulturore e Janinës; Prefektura e Epirit; Konsullata e Përgjithshme Shqiptare, Janinë; Shoqata e Hotelierëve të Qarkut të Janinës dhe Shoqata Turistike Shqiptare. Grupi pjesëmarrës vizitoi Kalanë e Janinës, Ishullin e Janinës, Amfiteatrin e Dodonës, Muzeu Historik “Vreli” (me punime në dyllë), Mecovon dhe galerinë e saj, etj.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb