Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë fjalës së saj në Konferencën e 19-të të Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Evropës Juglindore, theksoi rolin e Shqipërisë si një shtet stabil dhe faktor paqeje në rajon. Ajo deklaroi se Shqipëria është gjithnjë e më pranë Bashkimit Europian, falë përkushtimit të të gjitha forcave politike ndaj rrugës së integrimit.
“Sot, shqiptarët masivisht duan Bashkimin Europian. Është një dëshirë dhe një vizion i përbashkët që ka bashkuar të gjitha partitë politike në Shqipëri – në të shkuarën, në të tashmen dhe do të mbetet i tillë edhe në të ardhmen,” u shpreh Spiropali.
Ajo vuri në dukje se vendi po unifikon politikat e tij me ato të BE-së dhe është gati për të hapur negociatat në të gjitha grup-kapitujt. Sipas saj, Shqipëria është tashmë një shembull i fqinjësisë së mirë, i bashkëpunimit rajonal dhe i kontributit për stabilitetin në Ballkan.
Elisa Spiropali në Konferencën e 19-të të kryetarëve të parlamenteve në Janinë: Shqiptarët masivisht e duan Bashkimin Europian. Të gjitha partitë politikë në Shqipëri kanë qenë, janë dhe do jenë në një mendje, sa i përket integrimit europian të vendit. Shqipëria po unifikon politikat e saj me BE dhe vendi ynë është bërë një shtet që ofron stabilitet në rajon. Të çelim brenda negociatat për të gjitha grup-kapitujt.
Fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali
I nderuar z. Kryetar Kaklamanis,
Të nderuar kolegë,
Zonja e zotërinj,
Tema e diskutimit për këtë sesion adreson një çështje jetike të rajonit të Ballkanit Perëndimor, të Nismës Adriatiko-Joniane, të Bashkimit Europian si edhe të gjithë kontinentit të Europës.
Duke pasur parasysh zhvillimet e sotme në botë, Bashkimi Europian, si një ndër projektet më të bukura të qytetërimit bashkëkohor, po përballet me sfida të shumta.
Këto sfida kërkojnë një Europë më të madhe, më të fortë, më të sigurt, më solidare, kërkojnë një Europë të re në një botë re, e cila po ndryshon dramatikisht. Në këtë Europë të re kufijtë politikë do të afrohen gjithnjë e më shumë me kufijtë gjeografikë dhe kulturorë të saj. Zgjerimi, më tepër se asnjëherë më parë, nuk përbën më një barrë, por një zgjidhje dhe vendet e Ballkanit Perëndimor nuk përbëjnë më një problem të shtuar, por një vlerë të shtuar për Bashkimin Europian. Kjo e vërtetë e pranuar më herët prej vendeve tona, po pranohet tashmë edhe nga institucionet europiane dhe nga vendet anëtare.
Zhvillimi i Samitit të Gjashtë të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, i pari Samit që mbahet në një vend të Ballkanit Perëndimor dhe në një shtet anëtar të Nismës Adriatiko-Joniane, rikonfirmoi rëndësinë e rajonit dhe angazhimin e Shqipërisë ndaj projekteve tona të përbashkëta.
Të nderuar miq,
Në 11 maj Shqipëria zhvilloi zgjedhjet parlamentare, të cilat rikonfirmuan shumicën qeverisëse, madje me një rezultat më të qartë dhe më solid se katër vjet më parë. Por më i rëndësishëm dhe më domethënës se rezultati është fakti që shumica qeverisëse u rikonfirmua për shkak të planit të qartë për perspektivën europiane të Shqipërisë. Ne kemi vendosur si objektiv strategjik kombëtar anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda vitit 2030 dhe përfundimin e procesit të negociatave teknike brenda vitit 2027.
Tashmë ky objektiv është shndërruar në një plan të dakortësuar me institucionet europiane, Parlamentin Europian, Komisionin Europian, si edhe ka fituar mbështetjen e vendeve anëtare. Këtë mbështetje e kanë shprehur Presidentja e Komisionit Europian, Von der Leyen, Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, si dhe na kujton sa larg kemi arritur. Ne jemi mirënjohës që vendet anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane, njëkohësisht shtete anëtare të BE-së, Greqia, Italia, Kroacia dhe Slovenia, janë mbështetëse të fuqishme të anëtarësimit të Shqipërisë.
Javën e kaluar, gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, Presidenti i Francës, Macron, shpalli mbështetjen e Francës për këtë objektiv kombëtar të Shqipërisë.
Këtë mbështetje e bëri të qartë edhe Kryeministrja e Italisë, Meloni, dhe udhëheqës të shteteve anëtare të Bashkimit Europian gjatë Samitit të Gjashtë të Komunitetit Politik Europian.
Mbajtja e këtij Samiti në Shqipëri rikonfirmoi vizionin tonë për bashkimin me BE-në, si vendi kandidat që ecën më shpejt dhe më vendosmërisht drejt këtij qëllimi.
Do të dëshironim që edhe vendet e tjera të rajonit të avanconin në këtë proces për sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë popujve tanë. Shqipëria ka vetëm një Plan A drejt destinacionit të saj të ardhshëm dhe ky është Bashkimi Europian. Anëtarësimi në BE gëzon një mbështetje të fuqishme popullore. Sondazhet tregojnë që 95 përqind e popullsisë mbështet anëtarësimin. Kjo e bën Shqipërinë vendin më pro BE-së në Europë.
Anëtarësimi në Bashkimin Europian ka një mbështetje të plotë dhe konsensuale në Kuvendin e Shqipërisë. Ka raste që parlamentarët shqiptarë, nuk bien dakord as për orën, as për motin, por për të ardhmen tonë europiane të gjitha partitë politike dhe të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kemi qenë, jemi dhe do të jemi në një mendje. Ne e kemi të qartë që anëtarësimi nuk është një dhuratë, as një zgjidhje pragmatiste gjeopolitike apo për shkak të konjukturave ndërkombëtare.
Jemi tërësisht të vetëdijshëm që ky është një proces i bazuar në merita dhe po punojmë për të gjithë kapitujt dhe kriteret që të garantojmë mirëqenien dhe demokratizimin, sundimin e ligjit, konsolidimin e institucioneve demokratike, pavarësinë e degëve të qeverisjes dhe konsolidimin e një sistemi drejtësie të pavarur.
Brenda një kohe të shkurtër progresi, siç njihet nga institucionet evropiane është shumë i madh, madje i vrullshëm dhe me një shpejtësi të pandalshme. Shqipëria fitoi statusin e vendit kandidat në vitin 2014 dhe në vitin 2022 ka filluar mbajtjen e konferencave ndërqeveritare me Bashkimin Europian për çeljen zyrtare të negociatave. Prej 19 korrikut 2022, kur në Bruksel, u mbajt Konferenca e Parë, janë zhvilluar deri tani pesë konferenca ndërqveritare, e fundit prej të cilave u mbajt dje, më 22 maj, në Bruksel.
Shqipëria synon që brenda vitit 2025 të çelë negociatat për gjithë kapitujt. Rritja ekonomike e qëndrueshme, politika e fqinjësisë së mirë, lidershipi në proceset e bashkëpunimit rajonal, unifikimi njëqind përqind i politikës së jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Europian, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kontributi aktiv dhe i vlerësuar si anëtare e NATO-s, mbrojtja prej influencave joperendimore dhe jodemokratike, mund të them pa hezitim se e kanë bërë Shqipërinë një vend lider në zhvillimin e integrimet rajonale kontributin për siguronë në Ballkanin Perëndimor.
Plani i Rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Miratimi i parafinancimit për rajonin, si pjesë e Planit të Rritjes, do të nxisë zhvillimin ekonomik, do të ndërtojë infrastrukturën lidhëse kombëtare e rajonale, dhe do të ndihmojë në zbatimin e reformave të nevojshme për integrimin tonë në tregun e Bashkimit Europian.
Vendimi i Parlamentit Europian për të hapur në Tiranë Zyrën Rajonale për Ballkanin Perëndimor është një tjetër shenjë e bashkëpunimit tonë të ngushtë Vendet tona kanë potencial të madh. Shqipëria do të vijojë të nxisë bashkëpunimin rajonal, për ti sjellë më pranë popujt dhe vendet tona.
Ju faleminderit.