Profesori i Komunikimit Artan Fuga, në një intervistë në Skype në “News 24”, foli për faktin sesi dy kampet kryesore politike janë duke zhvilluar fushatën elektorale.

Fuga u shpreh se Rama ka zgjedhur të bëjë rolin e “babait” në këtë fushatë, e kjo ishte më e dukshme në faktin se arriti të sigurojë vaksinat ndaj Covid. Profesori shton se opozita ka zgjedhur që të racionalizojë qëndrimet e saj, duke shtuar se shumica e elektoratit është e pavendosur.

Unë e kam parë, nga njëra anë kryeministri Rama ka zgjedhur të luajë në fushatë teknikën dhe strategjinë e komunikimit duke përqëndruar të gjithë projektorët e medias tek ai. Pra, ka një përqëndrim të personalizuar tek ai. Rama kërkon të tregojë realitete ose suksese që ai mendon në fusha të ndryshme. Rama ka zgjedhur të bëjë rolin e “babait”, protektoratit të kombit, tek mungesa e vaksinave.

Tufa e vëllezërve kundër babait autoritar, nëse do citonim Frojdin. Opozita kërkon që të racionalizojë diskursin e vet. Këto strategji shikoj. Këto teknika kanë avantazhet dhe problemet e tyre. Ka ndikuar edhe pandemia në strategjitë e fushatës. Teknika e “babait të kombit” nuk është parë në politikën shqiptare, që para viteve 1990”, u shpreh Fuga.

Artan Fuga thekson se nuk ka 26 prill, siç po iu thuhet shqiptarëve, pasi e sheh si propagandë shprehjen që në këtë datë gjithçka do të ndryshojë si nata me ditën.

“Ka edhe delire kjo fushatë, është e natyrshme. Njëra palë thotë se ka një mision që i takon vetëm asaj, që ka brenda edhe narcizëm. Opozita ka edhe ajo deliret e veta, duke thënë se Shqipërinë e pret një demokraci e menjëhershme, duke thënë se ekonomia hyn në rrugë normale, nuk është kaq e thjeshtë. Unë them se nuk ka 26 prill. Nuk i besoj ndarjes me etapa të sistemeve, i besoj vazhdimësisë.

Mund të ketë ndryshime, por nuk do të jetë që pas diellit do vijë nata ose pas natës do vijë dita. Kjo është fushatë dhe propagandë pastaj. Fushata ka pas edhe interesa ekonomike, politike etj. Nga të dyja kampet, ka interesa të njerëzve. Njerëzit shikojnë interesat, tjetër është të shikosh interesat kombëtare, por ka edhe interesa individuale, familjare dhe grupesh të caktuara. Shqipëria është një vend si foshnjë, që ka nevojë për një “baba” për ta nxjerrë nga kriza”, tha Fuga.

Më tej, Fuga vlerësoi se Shqipëria është ende tek mamuthët politikë, me parti që mendojnë në mënyrë të ngushtë dhe që kanë një strukturë, ku kryetari drejton për interesa të ngushta të një grupimi të caktuar.

Njerëzit shikojnë siglën e partive, njerëzit nuk gjykojnë racionalisht. Kemi elektoral 65 për qind, që nuk dinë se çfarë do bëjnë. Ata janë të pavendosur. Të dyja anët mendojnë se njerëzit janë në anën e tyre, por është vetëm një ndjesi, për shkak se qytetarët iu thonë se janë me ta, kur i takojnë në rrugë a në lagje, sepse njeriu ka predispozitë që të thotë “do të votoj”, kur të sheh në sy. Njëzetë për qind e popullsisë në të dyja kampet janë militante. Çdo forcë politike sot e mbush bulevardin. Ata që votojnë për qeverinë, janë të heshtura, sepse nuk duan që të dalin me slogane. Ata votojnë qartë për interesin e tyre personal. Elektorati i pozitës është i heshtur.

Si opozita, si pushteti nuk kanë interes të nxjerrin njerëzit në rrugë. Pushteti nuk do të tensionojë situatën dhe ndaj ka një heshtje, por janë teknika për të thënë se jemi në dy muajt e fundit dhe gjithë ideja është që të bëjmë shqiptarin të hedhë votën dhe kjo punë të mbarojë. Të dyja anët sikur kanë thënë se nuk duhet të kemi flamuj, jo banderola, që e shikoj jo aq të mirë. Në partitë e vogla ka liderë 30-vjeçarë, që udhëhiqen për interesa personale. Ne jemi akoma tek mamuthët politikë që janë partitë politike”, vlerësoi Fuga.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: