Pedagogë janë bashkuar me protestën para Universitetit Politeknik në Tiranë, në mbështetje të studentëve që prej ditësh po protestojnë kundër qeverisë. Pedagogu i Arteve, Ilir Kaso, i cili thotë se proteston që prej vitit 2013 për çështje mjedisore, u shpreh se përpjekjet e tyre ndër vite janë injoruar nga qeveria.
Kaso theksoi për mikrofonin e News24 se protesta e studentëve përfaqëson një shpresë për shqiptarët dhe u bëri thirrje qytetarëve që të solidarizohen dhe të mos tërhiqen. Ai nënvizoi se mësimdhënia mbetet e shenjtë për pedagogët, por se pjesëmarrja në protestë është një sakrificë që e konsiderojnë të nevojshme.
“Kam nisur që prej fillimit, që prej 2013 që protestoj, për lumin Vjosa, po ashtu dhe për Nartën. Në 135 ditë jemi përpjekur që ta mbajmë të qetë protestën, me organizime paqësore. Jemi injoruar nga qeveria, ndihemi të fyer, të paaftë për t’i dhënë një zgjidhje të atillë. Kjo protestë është shpresë e madhe për të gjithë shqiptarët. Fakti që studentët kanë protestuar, është shembull dhe duhet t’i bashkohemi. Të solidarizohemi të gjithë. Mos të mposhtemi. Mësimin e kemi të shenjtë. Nuk duam ta lëmë. Sot po sakrifikojmë një nga gjërat e shenjta që kemi. Ne nuk do të ndalemi!”, tha ai.
