Deputeti Luçiano Boçi, në fjalën e tij në 32 vjetorin e krijimit të PD në këtë qytet, u ka nërë thirrje demokratëve të lënë mënjanë interesat e ngushta dhe të bëhen bashkë për të bashkuar këtë parti.

Si kandidati për kryetar bashkie në Elbasan, Boçi foli edhe në lidhje me zgjedhjet lokale të 14 majit.

Ai tha se kandidimi i tij nuk është vetëm sfida e tij politike apo lufta e tij personale por beteja e çdo qytetari për të çuar deri në fund qëllimin për të cilin u krijua Partia Demokratike.

Fjala e plotë:

Mirë se keni ardhur në këtë festë të 32-të të krijimit të degës së PD-Elbasan për të risjellë në kujtesë atë ditë, kur gratë dhe burrat kurajozë të Elbasanit, të frymëzuar nga studentët e Azem Hajdarit dhe nga intelektualët e kohës të drejtuar nga Sali Berisha, i dhanë jetë PD në qytetin ku bashkohej paradoksi i urtësisë nga mençuria e dija me brutalitetin industrial të çeliktë të diktaturës.
Dhe çdo herë që vjen ky përvjetor, secili prej nesh në ligjërim, mundohet të gjej veçantinë e saj.

Dhe për mua veçantia e festimit të saj qëndron në kohën që së bashku kalojmë.

Sepse në kohë luftërash, njerëzit kanë nevojë për dasma si dëshmi e triumfit të jetës mbi vdekjen.

Ndërsa në kohë regjimesh, Partitë politike opozitare kanë nevojë për festat e tyre, tek të cilat dëshmohet se e mira do ta mundë të keqen, se shpresa do lindë e besimi do vendoset. Prandaj jemi kaq shumë sot, e jo më kot përulemi me respekt para themeluesve sepse ata që e sollën mes nesh, në Tiranë, Elbasan dhe gjithë Shqipërinë, ishin ëndërrues, humanistë të pashoq, liberatorë vizionarë, idealiteti i të cilëve ishte i sinqertë, i vërtetë, racional, hyjnor dhe tokësor.

Disa prej tyre nuk janë sot me ne, pasi janë ndarë fizikisht, të tjerë ndoshta koha dhe rrethanat i kanë lënë me kokën mënjanë, dikush dhe mund të ketë kapërcyer politikisht, si moment personal, por megjithatë, ata të gjithë sot meritojnë nderim e respekt, sepse kauza që ata shpallën në ato ditë ishte më sublime se çdo sakrificë, me e madhërishme se çdo shtatore, më e vërtetë se çdo ideologji dhe më njerëzore se çdo sentiment. Kjo kauzë ishte liria dhe demokracia.

Dhe të gjitha këto i mbrojtën në forcën politike, në Partinë Demokratike e cila me bekimin e Zotit dhe të njeriut, me fuqinë që të jep e drejta dhe jeta mposhtën një nga diktaturat më kanibale dhe paranojake të kohës. Egërsia e regjimit Hoxhist, si makineria kryesore që e kishte mbajtur atë në pushtet, nëpërmjet dhunës, vrasjeve e terrorit, u zvenit përballë forcës morale të të rinjve e të rejave, përballë qartësisë progresiste të intelektualëve që e udhëhoqën atë, përballë vendosmërisë së atyre njerëzve, fati i të cilëve kishte ecur zbathur në kalvarin e vuajtjeve të ferrit komunist.

Sigurisht, prirja për kontribut ekziston tek çdo individ, por nëse ndonjëri nga ne e realizon duke ndryshuar gjëra të vogla, themeluesit e PD e bënë duke ndryshuar historinë, duke sjellë ndër ne heroizmin, shembullin e kurajos dhe të angazhimit, për të ngjallur vlerat e denja të ekzistencës njerëzore.

Partia Demokratike, jo thjeshtë rrëzoi një diktaturë e ndryshoi historinë, por dhe projektoi një të ardhme, një të ardhme të vërtetë, ku secili nga ne, gjithmonë ka dashur të ketë një vend të merituar, të ketë një kontribut të paharruar dhe një vlerësim të padiskutuar. Ndër vite, ajo u demostrua se ndryshoi Shqipërinë dhe e zhvilloi atë, si realizim i një projekti gjigant qytetërimi, se është mbartësja dhe sjellësja e çdo suksesi kombëtar e individual, sepse çliroi energjitë e pathëna, frymëzoi ekonominë e lirë, na bëri pjesë të vendeve më të sigurta të NATO-s, zgjeroi horizontin përtej kufijve realë, psikologjikë e mendorë, ndërtoi mentalitete e rrugë europiane.

Të nderuar demokratë! Të gjithë ju që jeni këtu në këtë sallë, por dhe të tjerë të papranishëm që na mbështesin, jeni misionarë, misionarë politikë. Misionarë që ‘i kemi hyrë detit në këmbë’ do thoshte Sali Berisha, për të ecur në marshimin mitik, e për të dalë si dikur Moisiu në bregun e shpëtimit të vendit e pluralizmit.

Sepse ne e duam votën e lirë, e dashurojmë demokracinë dhe e adhurojmë familjen, besimin dhe atdheun.

Personalisht, unë jam një prej anëtarëve të kësaj partie dhe kam vendosur bashkë me ju si misionar ‘t’i hyjë detit në këmbë’, për t’i kthyer Elbasanit jetën, ndriçimin dhe zhvillimin që meriton.

Kandidimi im nuk është sfida ime politike dhe nuk është as lufta ime personale. Ajo është beteja e çdo qytetari, beteja e çdo demokrati për të çuar deri në fund qëllimin për të cilin u themelua kjo forcë e mrekullueshme politike.

Si ditë feste, le të jetë kjo dhe një ditë refleksioni për të gjithë ne, për të lënë pas inatet, mëritë, keqkuptimet, interesat e ngushta dhe së bashku të ndërtojmë komunikimin dhe bashkëpunimin e idealeve të përjetshme, për një Parti Demokratike të suksesit e të fitoreve, për një Parti Demokratike të bashkuar. Gëzuar të gjithëve!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: