Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të shoqatave të personave me aftësi të kufizuara, ku dëgjoi nga afër shqetësimet e tyre sa i takon dhe situatës për shkak të pandemisë. Basha gjatë bisedës u njoh me problematikat me të cilat përballen këta persona, ndërsa lideri i demokratëve iu bëri thirrje kësaj kategorie që të tregojnë kujdes nga virusi duke qene se sipas tij qeveria nuk ka ofruar ndihmë për ta.

“Situata për ju ka qenë një makth i vërtetë edhe para nisjes së pandemisë. Ka qenë e tillë sepse ka reflektuar në situatën e përgjithshme të shoqërisë e cila është zhytur në depresionin ekonomik dhe në pamundësi financiare”, – tha Basha.

Ndërkohë, përfaqësuesit e PAK, treguan gjendjen e vështirë të kësaj pjese të shoqërisë që në këtë përballje të vështirë nuk kanë marrë asnjë mbështetje. Kreu i Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj tha se ata kanë 100 muaj që gënjehen nga kjo qeveri.

“Përveçse jemi të sëmurë dhe e kemi plus tani edhe pandemia na është bërë dyfish edhe e kemi dopjo ngarkesë, stresi, të gjitha. Por këto kanë ardhur edhe nga problemet ekonomike. Ajo paketa që ngritët dhe që ia propozuat qeverisë, për ne ishte diçka shumë e mirë sepse do të ndihmonte sadopak, ta ulte domethënë nivelin e padëshiruar të gjendjes ekonomike sidomos të aftësisë së kufizuar”, – tha Mark Zefi, kreu i shoqatës së Invalidëve të Punës.

Mirela Juka nga fondacioni “Dawn Sindrom Albania” tha se kjo kategori ndjehet e diskriminuar duke mos u përfshirë në paketat e ndihmës. “Po nis nga fillimi duke qenë se ne si organizatë që ofrojmë shërbime sociale menduam që të kishim dhe ne një paketë mbështetje në momentin që kaluam në Lock Down. Kjo nuk ndodhi dhe biles patëm një diskriminim në publik duke thënë që donatorët vazhdojnë dhe i mbështesin organizatat dhe kjo nuk ishte e vërtetë nuk kishte një studim për këtë dhe u bë një paragjykim si të thuash gjithë organizatat u vendos që të mos ishin pjesë e paketave. Fëmijët që nuk marrin shërbime është një dëmtim i shoqërisë si ekonomike si sociale dhe është problem shumë i madh në të ardhmen. Një problem tjetër që pamë në këtë periudhë ishin problem psikologjike stresi dhe të gjitha në familje”, – u shpreh Juka.

PJESE NGA BSHKEBISEDIMI
Lulzim Basha:
Prej kohësh kemi qenë në dialog me njëri-tjetrin. Jam në dijeni të problemeve tuaja, jemi në dijeni të problemeve tuaja. Me disa prej shoqatave kemi avancuar edhe në platformën e propozimeve dhe ofertës për dhënien e zgjidhjes së problemeve në rrugën e mbarë. Jam shumë i vetëdijshëm për vështirësitë e mëdha që keni kaluar që keni kaluar në këto vitet e fundit, sikundër dhe për disa probleme që janë të mbartura edhe më përpara. Madje kemi diskutuar disa herë për këto hapur në një frymë shumë transparente, të sinqertë, të çiltër, reflektuese dhe miqësore. Natyrisht problemi kryesor sot është pandemia dhe nuk mund ta nis këtë takim pa shpreh në radhë të parë kënaqësinë që jeni mirë me shëndet. Dhe së dyti, pa ju kërkuar edhe ju, edhe familjeve tuaja të marrin të gjitha masat e nevojshme që kjo gjendje e vështirë e cila bëhet dyfish më e vështirë për shkak të mungesës të një plani adekuat masash nga ana e qeverisë, të na gjej me një kujdes maksimal dhe me një vëmendje maksimale. Edhe në këto kushte, edhe në praninë tuaj, gjëja e parë dhe kryesore që unë ndjej si detyrën time si lider i opozitës, është të kërkoj zbatimin e propozimeve që i kemi vënë qeverisë përpara që më shumë se 6 javë. Që janë propozime të ardhura nga ekspertët, të bazuara në përvojën më të mirë botërore. Në veçanti rritjen e testimeve, rimbursimin e paketës së ilaçeve, forcimin e kapaciteteve spitalore, që do të thotë edhe hapjen e spitaleve rajonale, mos të përplasen të gjithë në Tiranë. Ndërkohë që po ndodh e gjithë kjo katastrofë shëndetësore dhe ekonomike. Ndërkohë që pasi e ka rrënuar ekonominë, qeveria dhe kryeministri, me indiferencën dhe mos marrjen e masave ndaj pandemisë bëhet bashkëpërgjegjës edhe për jetët e humbura, edhe për rritjen e numrit të infektimeve, kemi dhe një front tjetër i cili nuk është zhdukur, është fronti i të gjithë të tjerëve që kanë nevojë për kujdes dhe vëmendje shëndetësore apo sociale. Tani vijmë tek kategoritë që ju përfaqësoni, situata për ju ka qenë një makth i vërtetë edhe para nisjes së pandemisë. Ka qenë e tillë sepse ka reflektuar në situatën e përgjithshme të shoqërisë e cila është zhytur në depresionin ekonomik dhe në pamundësi financiare. Dhe një shoqëri në gjendje të tillë ka nevojë për ndihmë akute, por shtresat më vulnerabël do të jenë të parat që do të marrin këtë ndihmë. Dhe këtu dua ta përfundoj këtë fjalë nisje duke ju falenderuar dhe njëherë që më keni mirëpritur në selinë tuaj për të dëgjuar drejtpërdrejt nga ju se si ju ka afektuar kjo situatë gjatë vitit të pandemisë, gjatë këtij viti. Çfarë masash duhen marrë urgjent për t’ju ndihmuar në ato aspekte që janë rënduar për shkak të pandemisë dhe sigurisht pastaj të flasim edhe për projektin tonë të pas 25 prillit që është projekti i një marrëdhënie të çiltër dialogu bashkëpunimi në kuadër të zbatimit të praktikave bashkëkohore Europiane sa i përket të gjithëve grupeve të interesit që ju përfaqësoni.

Sinan Tafaj: E vërteta është që ka kaluar po bën 100 muaj dhe ne nuk na u kthye asgjë nga ata që u premtuan përkundrazi ajo që ndodhi është e dhimbshme sepse si mund të mos bësh asgjë edhe e menduam por është e kundërta e asaj që u premtua deri këtu të themi të vërtetën nuk na çoi imagjinata. Megjithatë ne sot jemi këtu për të diskutuar për atë juve thatë, për pandeminë për të diskutuar për mundësitë. Unë ju falenderoj edhe njëherë dhe ju uroj mirëseardhjen me gjithë zemër duke shprehur edhe kënaqësinë time dhe të pjesëmarrësve këtu për praninë tuaj.

Lulzim Basha: Faleminderit!

Mark Zefi: Unë jam Mark Zefi, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Invalidëve të Punës të Shqipërisë. Faleminderit shumë për shqetësimet që ju na i thatë që ekzistojnë, janë reale dhe akute. Me thënë të vërtetën situata nuk është e mirë. Përveçse jemi të sëmurë dhe e kemi plus tani edhe pandemia na është bërë dyfish edhe e kemi dopjo ngarkesë, stresi, të gjitha. Por këto kanë ardhur edhe nga problemet ekonomike. Ajo paketa që ngritët dhe që ia propozuat qeverisë, për ne ishte diçka shumë e mirë sepse do të ndihmonte sadopak, ta ulte domethënë nivelin e padëshiruar të gjendjes ekonomike sidomos të aftësisë së kufizuar. Shoqata jonë ka 73 mijë invalidë pune për të cilët jam plotësisht dakord dhe nuk dua ti përsëris ato fjalë që tha profesor Sinani. Në tetor të 2018-ës na u premtua tek Komisioni dhe nuk na u dha ndërsa tani në Shkurt i bam një ftesë Ministres, na priti , na premtoi edhe për 500 lekëshin , na premtoi edhe për 1 mijë lekëshin e asistencës sociale për të cilat tani në datë 22 tetor kemi qenë edhe në Komisionet e Ekonomisë online edhe përsëri jemi zero. Kjo që na thoni ju, ne nuk jena kundërshtar me asnjë qeveri, ne jena partner, kërkojmë që kërkesat tona të realizohen dhe nuk e kërkojmë ndonjë 100 mijë lekëshe apo 1 milionëshe rrogën apo diçka tjetër e para. Faleminderit!

Lulzim Basha: Të falenderoj shumë!

Mirela Juka: Mirela Juka e fondacionit “Dawn Sindrom Albania”. Po nis nga fillimi duke qenë se ne si organizatë që ofrojmë shërbime sociale menduam që të kishim dhe ne një paketë mbështetje në momentin që kaluam në Lock Down. Kjo nuk ndodhi dhe biles patëm një diskriminim në publik duke thënë që donatorët vazhdojnë dhe i mbështesin organizatat dhe kjo nuk ishte e vërtetë nuk kishte një studim për këtë dhe u bë një paragjykim si të thuash gjithë organizatat u vendos që të mos ishin pjesë e paketave. Tani e nisa nga organizata sepse dua të them rëndësinë e shërbimit që marrin fëmijët me aftësi të kufizuar, intelektuale po flas që të mos përsërite për problemet e aftësisë së kufizuar fizike. Një person që nuk merr shërbime terapeutike sa më herët ose ndërprehet, kalon në një regres dhe humb edhe mbështetjen që ka marrë kjo është një pasojë për familjen për komunitetin për të gjitha. Fëmijët që nuk marrin shërbime është një dëmtim i shoqërisë si ekonomike si sociale dhe është problem shumë i madh në të ardhmen. Një problem tjetër që pamë në këtë periudhë ishin problem psikologjike stresi dhe të gjitha në familje. Të gjitha këto sollën problematika papunësia në rritje, për mos të thënë që papunësia në familjet me aftësi të kufizuar është tashmë sepse një peind detyrohet të qëndrojë në shtëpi sepse mungojnë shërbimet etj. etj. Pra, është një zinxhirë gjithë problematikave ku papunësia u rrit në formë të frikshme dhe kjo bëri që mos marrin shërbime në asnjë lloj forme. Ne kaluam një mbështetje online për 3 muaj pavarësisht se nuk kishim mbështetje gjetëm një mënyrë, humbëm 10 persona nga stafi por vendosëm me vullnetin tonë të mbështesim në mënyrë online. Kjo nuk është mbështetje reale duke qenë se thjesht ndalon regresin. Është shumë e rëndësishme sigurisht sepse ne e kuptuam situatën dhe për këtë nuk kemi ne vendim dhe e kuptuam situatën dhe mbështetëm online por duke pasur parasysh që nuk kemi pasur asnjë mbështetje nga shteti edhe pse na u desh te merrnim si të thuash nga burimet njerëzore tona, me forcat tona e të tjera e të tjera. Një problem tjetër që po shikoj dhe mund të flas nga eksperienca ime , motra ime ka sindromën Down, në momentin që po flasim është në shtëpi dhe mendohet që ka COVID por nuk ka, është në listën e personave që duhet të marrin tamponin por jemi në pritje. Sidoqoftë…

Lulzim Basha:
Sa kohë keni që prisni për ta marrë tamponin?

Mirela Juka: Kemi më shumë se një javë ose…

Lulzim Basha: Për të marrë përgjigjen?

Mirela Juka: Për të marrë tamponin, për të ardhur dikush për të bërë tamponin.

Lulzim Basha: Akoma s’ka bërë tamponin?

Mirela Juka: Jo. Por ne vendosëm që ta çonim për vizitë dhe ka filluar mjekimin, kjo është pjesa e iniciativës tonë si familje. Por çfarë ndodh me familjet e tjera që nuk kanë sit ë thuash as aksesin as network-un dhe nuk marrin dot as mjekimet, as…

Lulzim Basha: Si është gjendja e motrës?

Mirela Juka: Për momentin po merr mjekimin dhe është mirë por që ajo që është problematike është në pjesën e popullatës, si do jetë pjesa e…për të mos folur për çmimet që po diskutojmë që janë të frikshme dhe kanë nevojë për rimbursim patjetër. Që mos të zgjatem këto janë problematikat. Duhet bërë një paketë për të mbështetur organizatat që ofrojnë shërbim, duhet të rimbursohen mjekimet dhe duhet menduar edhe për pjesën psikologjike të prindërve sepse është një problem shumë i madh. Dhe në pjesën e arsimit, në qoftë se ne sërish kthehemi ne mbështetje online, fëmijët me aftësi të kufizuar intelektuale duhet të kenë prioritet sepse nuk po marrin fare arsim.

Lulzim Basha: Të falenderoj Mirela!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb