Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Ceno Klosi është kallëzuar në prokurori nga ish drejtoresha e mbledhjes se Detyrimeve Tatimore të Papaguara Shilda (Kamberi) Hasanaj, e cila ka qenë në këtë detyrë deri në Tetor të vitit qe shkoi.

News24 zbardh detaje të reja dhe skandaloze për mënyrën sesi funksionon drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me në krye Ceno Klosin. Në kallëzimin që Shilda Hasanaj ka paraqitur në prokurori, shpjegon mënyrën sesi është vënë nën presion nga “shpura” e Klosit, me qëllim që t’iu bindej urdhrave të tij, por edhe të sulmonte punonjësit për t’i larguar nga puna, edhe pse ishin profesionistë.

Në kallëzim ajo denoncon se në momentin kur nuk ka pranuar të zbatojë urdhrat verbale e të paligjshëm të drejtorëve të Ceno Klosit, ky i fundit e ka thirrur në zyrë dhe i ka bërë presion.

Sipas kallëzueses, Ceno Klosi i është drejtuar në zyrën e tij me fjalët: “Kush të ka sjellë ty këtu, që më tregon mua ligjin? Dil përjashta se e di mirë se kush je. Dhe nuk dua të dëgjoj më se kjo është në kundërshtim me ligjin”. Ish-drejtoresha e shkarkuar shpjegon me tej se Klosi dhe drejtorët pranë tij i bëjnë presion psikologjik administratës në varësi, për të kryer veprime në kundërshtim me ligjin.

Në kallëzimin e saj Shilda Hasanaj shkruan se ka punuar në administratën e Tatimeve nga viti 1999 deri në 2022, kur edhe u largua përmes një urdhri të paligjshëm sipas saj. Ajo denoncon se Klosi “drejton një komision pa integritet, të varur prej tij dhe nuk është fare prezent në seancat e komisionit”.

Sipas Hasanajt që ka punuar në Tatime 23 vite, që me ardhjen e drejtorit të përgjithshëm dhe atyre që i konsideron “suitën” e tij, ka pasur gjithmonë probleme. Klosi dhe njerëzit e tij kanë tentuar në mënyrë të vazhdueshme të ushtrojnë ndikim të paligjshëm në ushtrimin e detyrës së saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb