Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, komenton daljen e tij të parë publike në këtë post, teksa shprehet se jo pa qëllim zgjodhi të komunikonte disa gjetje të një anketimi që ka mbështetur qeveria suedeze për të matur perceptimin e qytetarëve për punën e Policisë së Shtetit.

Në një mesazh në “Facebook”, Çuçi thekson se ky hulumtim shkencor që vjen nga një burim i pakontestueshëm dhe i bërë me po atë metodologji që përdorin sot shumë vende të Bashkimit Europian, dëshmon se në shumë parametra Policia e Shtetit është në mesataren e vendeve të BE-së.

Mesazhi i ministrit Çuçi:

Jo pa qëllim në daljen e parë publike si Ministër i Brendshëm zgjodha të komunikoja disa prej gjetjeve kryesore të një anketimi që ka mbështetur qeveria suedeze për të matur perceptimin e qytetarëve për punën e Policisë së Shtetit. Ndër treguesit e tjerë veçoj, se 66% e publikut shprehet që Policia e Shtetit është duke bërë një punë të mirë, duke pasur parasysh të gjitha detyrat që ajo pritet të kryejë, ndërsa 80% deklarohen se ndihen të sigurt dhe aprovojnë përpjekjen e jashtëzakonshme për rend e siguri publike të mijëra oficerëve që mbajnë veshur këtë uniformë. Ky hulumtim shkencor që vjen nga një burim i pakontestueshëm dhe i bërë me po atë metodologji që përdorin sot shumë vende të Bashkimit Europian, dëshmon gjithashtu se në shumë parametra Policia e Shtetit është në mesataren e vendeve të BE-së. Shifrat e këtij studimi nuk janë të rastësishme, por vijnë si rezultat i reformimit rrënjësor që ne ndërmorëm në Policinë e Shtetit prej vitit 2013. Ka ende shumë punë për t’u bërë dhe reformimi i mëtejshëm është një proces që vijon. #PoliciaQëDuam

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb