Edhe gjatë mbrëmjes së kaluar pati një fluks të shtuar të automjeteve të tonazhit të rëndë të transportit ndërkombëtarë që hyjnë nga pika kufitare e Bllatës.
Dhjetëra kamion me dhe pa ngarkesë kanë hyrë gjatë ditëve të fundit nga kjo pikë doganore për shkak të dëmtimit të rrugës nacionale Librazhd – Pogradec.
Autoritetet shqiptare në marrëveshje me ato të Maqedonisë së Veriut kanë devijuar trafikun e automjeteve të transportit ndërkombëtarë nëpërmjet pikës kufitare të Qaf Thanës – Maqedoni e Veriut – Bllatë Dibër – Rruga e Arbrit.
Sipas të dhënave nga pika doganore e Bllatës çdo 24 orë kalojnë mbi 250 mjete të transportit ndërkombëtarë.
Po ashtu, mësohet se për t’i ardhur në ndihmë personelit modest të kësaj pike doganore, janë dërguar 3 doganier dhe një patrullë e antikontrabandës.
Shtimi i mjeteve të tonazhit të rëndë ka rritur fluksin në rrugën e Arbrit dhe po bëhet pengesë për lëvizjen e automjeteve të vogëla për shkak se mjetet e tonazhit të rëndë qarkullojnë në autokolonë dhe është e pamundur parakalimi i tyre.
