Edhe pse vëmendja kryesore është te Botërori i Katarit, lajmi i dorëheqjes së Andrea Agnellit dhe bordit drejtues të Juventusit bëri xhiron e botës mbrëmjen e djeshme.

Agnelli dhe 10 personat e tjerë dhanë dorëheqjen pas kontestimeve të shumta që ka pasur Andrea Agnelli nga agjencia “Consob” në lidhje me rritjen fiktive të vlerës së lojtarëve, si dhe për pagat e futbollistëve në sezonet 2019-2020. Për këtë arsye personat e përfshirë në hetim janë dorëhequr.

Por cili do të jetë presidenti i ri i Juventusit? Ai është Gianluca Ferrero, që ka bërë kontabilistin, pedagogun, kryetarin e bashkisë dhe drejtorin e kompanive të ndryshme. Është njeriu që drejton “Exor”, kompaninë holding të familjes “Agnelli-Elkann”, që kontrollon Juventusin.

“Exor” do të komunikojë listën e plotë të kandidatëve për rinovimin e Bordit Drejtues brenda afateve ligjore, pra 25 ditë përpara mbledhjes së aksionarëve të datës 18 janar 2023.

Nga zgjedhja e Ferreros për presidencën bardhezi, synimi i “Exor” del në pah për të hartuar një bord të fortë për Juventusin, me profil teknik, të aftë për të trajtuar të gjitha çështjet ligjore dhe korporative në procedurat e ndryshme të hapura.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb