Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për bllokimin e eksportit të 22 milionë tonë produkteve ushqimore dhe paralajmëroi se nëse portet e saj nuk zhbllokohen, shumë vende do të përballen me krizë ushqimore.

“Komuniteti botëror duhet të ndihmojë Ukrainën të zhbllokojë portet detare, përndryshe kriza energjetike do të pasohet nga një krizë ushqimore dhe shumë vende të tjera do të përballen me të”, tha Zelensky gjatë një takimi me mediat pas bisedimeve me kryeministrin portugez António Costa në Kiev të shtunën, sipas zyrës së presidentit.

“Rusia ka bllokuar pothuajse të gjitha portet dhe të gjitha, si të thuash, mundësitë detare për të eksportuar ushqime – grurin tonë, elbin, luledielli dhe më shumë. Shumë gjëra”, tha ai, sipas deklaratës.

“Do të ketë një krizë në botë. Kriza e dytë pas asaj energjetike që u provokua nga Rusia. Tani do të krijojë një krizë ushqimore nëse nuk zhbllokojmë rrugët për Ukrainën, nuk ndihmojmë vendet e Afrikës, Evropës, Azisë, të cilat kanë nevojë për këto produkte ushqimore

“Ju mund t’i zhbllokoni ato në mënyra të ndryshme. Një nga mënyrat është zgjidhja ushtarake. Kjo është arsyeja pse ne i drejtohemi partnerëve tanë me pyetje në lidhje me armët përkatëse”, tha Zelensky.

Zelensky gjithashtu akuzoi Moskën për “vjedhje graduale” të produkteve ushqimore dhe përpjekje për t’i shitur ato.

“Rusia vë në rrezik miliona njerëz nga uria duke bllokuar portet tona”, shkroi gjithashtu të shtunën në Twitter ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba, duke shtuar se Ukraina ka krijuar me partnerët e saj dy rrugë alternative tokësore për të ofruar eksporte ushqimore dhe “të shpëtojë Afrikën dhe rajonet e tjera nga uria”.

Para luftës, furnizimet me grurë nga Rusia dhe Ukraina përbënin pothuajse 30% të tregtisë globale, dhe Ukraina është eksportuesi i katërt më i madh në botë i misrit dhe eksportuesi i pestë më i madh i grurit, sipas Departamentit të Shtetit të SHBA.

Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara, i cili ndihmon në luftimin e pasigurisë ushqimore globale, blen rreth gjysmën e grurit të tij nga Ukraina çdo vit dhe ka paralajmëruar për pasoja të rënda nëse portet e Ukrainës nuk hapen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb