GREQI

Kryeministri i Greqisë ka folur për mediat greke pas varrimit të minoritarit grek Kostandinos Kacifas, i cili u vra me 28 tetor pas një shkëmbimi zjarri me forcat RENEA në Bularat, në ditën Kombëtare të Greqisë.


Kryeministri Tsipras ka dhënë një intervistë të gjatë, duke u referuar e komentuar të gjitha çështjet kritike për Greqinë aktualisht, në kanalin televiziv Alpha, në edicionin qendror të lajmeve.

Në lidhje me çështjen Konstandinos Kaçifas dhe reagimin zyrtar të palës greke , ka deklaruar se:“Sot është një ditë zie për homogjenët dhe për familjen, nuk do doja të bëja një koment të veçantë, sepse kuptoj ditët e zisë, kuptoj nënën e shkretë, prandaj dhe këto orë janë tepër të kuptueshme dhe zemërimi, hidhërimi, nervozizmi, nuk e kundërshtoj këtë. E vetmja gjë për të cilën ju siguroj është se Greqia veproi siç duhet, siç parashikohet në raste të tilla.

Nga momenti i parë kontaktoi zv/ministri i Jashtëm me homologët në nivel ministror, kontaktuan autoritetet policore, kërkuam të sqarohen urgjentisht rrethanat e ngjarjes, dërguam ekip policor të marrin pjesë në hetime deri në përfundimin e tyre, si dhe u premtua se prokuroria shqiptare do dorëzojë dosjen hetimore me rrethanat e ngjarjes. Sidoqoftë, po shfrytëzoj rastin të theksoj se kjo ngjarje kaq e hidhur nuk duhet të bëhet shkak të ndryshojmë strategjinë tonë për të ardhur më afër me vendin fqinj, duke zgjidhur çështje shumëvjeçare.

Ngjarja e hidhur largoi nga kujtesa çfarë po ndodhte vërtet atë ditë në Bularat? Në këtë fshat të minoritetit grek në Shqipëri, më 28 tetor, në varrezën ushtarake po zhvillohej varrimi i eshtrave të dëshmorëve tanë në malet shqiptare si dhe mesha, ceremonia përkatëse, me prezencën e ministres së Kulturës, pas mbi 70 viteve. Siç e kuptoni, këto zhvillime kanë shumë vlerë, nuk duhet t’i harrojmë, t’i anashkalojmë. E hidhur ngjarja, shkaktoi trishtim të thellë, por nga ana tjetër, le të hedhim hapa përpara.

Përse duhen hedhur hapa? Në mënyrë që minoriteti grek në Shqipëri të mundet të ketë të gjitha të drejtat, siç parashikohet në të drejtën ndërkombëtare. Pra, hapi tjetër në këto negociata është të sigurojmë se do të atribuohen të gjitha këto të drejta tek homogjenët tanë. Ne do të vazhdojmë dialogun! Një tjetër objektiv është të përcaktohet Zona Ekonomike Ekskluzive e Greqisë, vija ndarëse detare, që për mua është shumë e rëndësishme.

Domethënë, përveç shtrirjes të ujërave territoriale 12 milje, do përcaktohet dhe zona ekskluzive ekonomike me Shqipërinë. Qeveria jonë ndjek një strategji për zgjidhjen esenciale të problemeve shumëvjeçare në politikën e jashtme, kemi lënë pas kulturën e mosveprimit, të neglizhencës, sepse kanë kosto politike. Do thyejmë vezë, se ndryshe nuk ha omëletë, do kemi dhe kosto, do kemi dhe probleme, po nuk ka rrugë tjetër” ka përfunduar komentin për çështjen Kacifa dhe marrëdhëniet Greqi-Shqipëri kryeministri grek Aleksis Cipras.

(n.m/BalkanWeb)