TIRANË

Për Fatbardh Kadillin, ish-anëtar i Kryesisë së PD, socialiste kanë interes që ish-kryeministri Sali Berisha të jetë në parlament.

Ai tha në “Real Story” në News24 se çështja është se PD nuk krijoi dot një gjë që ta zëvendësojë Berishën, një projekt të ri politik, një lidership të ri politik.

“Në qoftë se ka një interes konkret nga socialistët është që Saliu të jetë në parlament. Shpjegimi i kundërshtarit bazuar në anën formale, që të gjithë e dimë se formalisht nuk e pengon dot askush të hyjë në parlament z. Berisha. Ka mandat, merr mandatin nga KQZ-ja, hyn në parlament. Zoti Berisha nuk ka asnjë akt administrativ apo penal në SHBA që të jetë prezent që ta kthesh në një interpretim ligjor. Nuk ekziston baza nga KQZ për të bërë një interpretim të tillë. Ne nuk e kemi çështjen me KQZ. PD nuk mund të kërkojë tek KQZ shpjegimin e vetë. Nuk do ishte shpëtimi nga ne të na i heqë qafe as KQZ as Amerika. Çështja është se nuk krijuam dot një gjë që ta zëvendësojë Berishën, një projekt të ri politik, një lidership të ri politik, jo një individ, që ta bënte të panevojshëm. Fakti që ne dhe sot e kësaj dite mbetemi peng i atij zgjatimi përtac, i cili arrin kulmin në PD…pak ditë më parë patëm zgjedhje dhe çfarë ndodhi, 2/3 e anëtarëve të kryesisë së PD emërohen, 1/3 është me votë. Kjo tregon frikë të madhe të atij që është kryetar partie. Demokratët presin një ndryshim. Vërtetë ka fanatikë të PD, por nuk mund ta drejtojnë një forcë politike fanatikët. Demokratët duan përgjigje, nuk duan t’u përgjigjen demokratëve, shqiptarët do kërkojnë zgjidhje tjetër, të mos e lënë që të krijohet një zgjidhje tjetër se është një zgjidhje që është jashtë të djathtës”, tha Kadilli.

Analisti Skënder Minxhozi deklaroi se çështja e Berishës është një problem që ka të bëjë me mbajtjen pezull të shumë mekanizmave, i fillimit ose jo të një stine shtensionimi dhe negociatash mes Ramës e Bashës, një tavolinë.

Sipas tij, me një Berishë shumë agresiv në parlament duke luftuar për fatin e tij personal, çdo lloj mundësie për një shtensionim do të komprometohej.

“Fakti që për çështjen më të nxehtë politike flet eksponenti parlamentar me valencë politike më të ulët se gjithë të tjerët, që është një zonjë e nderuar, por që nuk ka aspirata politike karriere, nuk është nëpër forume, nuk ka milituar nëpër kuadrate partish, vjen nga bota akademike dhe angazhohet në një moment të caktuar shumë të rëndësishëm…Këtu vijmë tek ai problem që Berisha është një çështje shumë më e gjerë se sa një problem statutor i një partie politike. Është një problem që ka të bëjë me mbajtjen pezull të shumë mekanizmave, i fillimit ose jo të një stine shtensionimi dhe negociatash mes Ramës e Bashës, një tavolinë rregullash, ku Rama është i pari që ka hapur krahun qysh para zgjedhjeve me ftesa të përsëritura. Nëse do të kishte një fillim dikur, duhet t’u kujtoj që Berisha është një nga ata shkëmbinjtë e nënujshëm që nuk evitohen dot. Me një Berishë shumë agresiv në parlament duke luftuar për fatin e tij personal, çdo lloj mundësie për një shtensionim do të komprometohej. Fati i Berishës në Kuvend është një letër lakmuese që do na tregojë jo vetëm se si do ecë sezoni politik në të ardhmen e afërt, por dhe si do shtrohet traseja e punëve në spektrin politik, në qeveri, por edhe në opozitë, për shumë e shumë muaj që vijnë.
Prandaj edhe deklarata e zonjës Bozo, mua më duket që nëse do duam ta marrim në aspektin e saj jo konspirativ dhe jo të pafajshëm të një zonje që lexon formalisht Berisha nuk ka pse të mos hyjë…n.q.s duam të ndërtojmë një intrigë parlamentare në hapje të parlamentit dhe ajo do jetë zonja që do hapë parlamentin, nuk e lexon politikisht, por e lexon në letër. Duhet parë se çfarë do të bëjë Rama. Kam përshtypjen se dhe goditja e Taulant Ballës dhe një deklaratë e fundit e z. Basha e pak ditëve më parë që ne duhet ta fillojmë nga goditja e paketës kushtetuese të vitit 2008, mu duk si një ftesë për të hartuar një axhendë punësh, pra që duhet ta fillojmë dhe unë po propozoj një nga pikat”, tha Minxhozi.

Ish-sekretari i përgjithshëm i PD Arben Ristani i shikon të gjithë bashkë. Ai tha se largimi i njërit fillon efektin domino dhe iu intereson status quo-ja.
“Ju thatë që z. Berisha e pengon një bashkëpunim të mundshëm midis…unë mendoj që ata në thelb janë së bashku, asgjë nuk i pengon. Përkundrazi nëse e formalizojnë bashkëpunimin, ta bëjnë aq të dukshëm, pastaj humbet kuptimin. Në lëvizje unë e shoh Bashën, i cili i garanton Ramës 3 mandate, 4, sa të jetë Basha në krye të PD. Për mua iu intereson status quo-ja, të mos lëvizin, të jenë të gjithë siç janë. Largimi i njërit fillon efektin domino.
Kur ndodhi kjo historia e kilometrit 20 mln euro dhe Rama ka dalë në parlament e ka thënë ‘s’ka më qofte ke daja’, kujt ia tregonte qoftet ai. Dëgjova pastaj që po rivihet në lojë e njëjta histori. Bashkëpunimi është fare i qartë, i lexueshëm, atje ku janë llokmat e mëdha, janë rehat, zënien e kanë për t’u hedh hi syve qorrave”, u shpreh Ristani.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb