TIRANE– Nënkryetarja demokrate e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku zhvilloi sot një takim me disa nga tregtarët e vegjël në Tiranë.

Tregtarët u shprehën kundër përfshirjes së tyre në skemën e TVSH-së, ndërsa deputetja Tabaku, u njoh me gjendjen e tyre financiare, që sipsa tyre po i çon drejt falimentimit.

Arsyet e pragut të falimentit, sipas bizneseve, janë taksa e Bashkisë së Tiranës për shkollat, të cilën e paguajnë brenda një njësie bashkiake, tre herë, rënia e fuqisë konsumatore, emigrimi i qytetarëve, që do të thotë më pak blerje dhe fitim dhe barra e re e përfshirjes në tvsh nga data 1 Prill. Po ashtu ata u ndalën tek taksa e “Rrugës së Kombit”, ndërsa theksuan se ajo do të dëmtojë importet, por edhe fuqinë blerëse nga zonat veriore të vendit, të cilët do t’i drejtohen tani qyteteve më të afërta në Kosovë, si Prizreni ose Gjakova.

“Jemi të marrë fund”, thotë një tregtar, i cili prej 25 vitesh, së bashku me familjen drejton një biznes veshjesh. “Po më dridhen këmbët nga këto taksa. Ky shtet nuk ka stabilitet të ligjeve fiskale. Parimi i tyre është që të godasin më shumë ata që paguajnë më shumë taksa. Kam 25 vite që i jam përkushtuar biznesit. Kam bërë gati pasaportat e familjes të iki. Po si të iki? Unë kam bërë gabimin më të madh në jetë, që kam mësuar fëmijët e mi të duan Shqipërinë. Kam bërë gabimin më të madh që nuk i kam larguar nga këtu”, u shpreh me lot në sy, një tregtar në bashkëbisedim me deputeten Jorida Tabaku, i cili nuk donte të identifikohej për shkak të frikës nga tatimorët. Deputetja Tabaku, theksoi se ky është realiteti me të cilën përballen shqiptarët sot”.

“Jemi përpjekur që të bisedojmë me bizneset që preken nga ndryshimet e taksave që hyjnë në fuqi me 1 Prill. TVSH-ja e biznesit të vogël, që fillon nga pragu 2 milion, taksa e re e pronës dhe tarifa e “Rrugës së Kombit”. Bizneset në këtë treg preken në mënyrë masive nga të treja. Po të shikoni, pothuajse gjysma e bizneseve kanë mbyllur qepenat. Bizneset që nga janari kanë pasur qiranë e rritur nga 30 deri në 50% si rezultat i rritjes së taksës së pronës, dhe nga tarifa e “Rrugës së Kombit”, sepse një pjesë e madhe e të gjithë blerësve tek bizneset, vijnë nga vendet të cilat duhet patjetër të kalojnë në “Rrugën e Kombit”. Ka rënie të konsumit. Bizneset më thonë se konsumatorët blejnë më pak. Është prekur nga emigracioni, sepse një pjesë e madhe e blerësve të këtij tregu kanë qenë nga ajo shtresë që tashmë ka emigruar. Duke pasur parasysh edhe rritjen e çmimit të energjisë, rritja e taksës së tatimfitimit deri në 15%, tatimin mbi dividentin që e kanë shtuar këtë vit për bizneset që konsiderohen si më të mëdha. Ka rritje masive të përgjithshme të shpenzimeve që shkojnë për taksa. Në fund të ditës, në xhepin e biznesit mbetet 15% e të gjithë xhiros së biznesit, që është vetëm për të mbuluar shpenzimet për mbijetesë. Kjo është shprehja që të gjitha bizneset kanë thënë; jemi në kushtet e mbijetesës” theksoi zonja Tabaku, pas takimit me tregtarët.

Rritja e taksave dhe vendosja e bizneseve të vogla në skemën e TVSH-së është kundërshtuar nga Fondi Monetar ndërkombëtar, Dhoma Amerikane e Tregtisë, Shoqata e Biznesit të Vogël shqiptar, si një skemë falimentuese. Rritja e taksave për biznesin vogël vjen paralelisht me uljen e taksave për miqtë dhe klientët e Edi Ramës, të cilët me hotelet e tyre me 5 yje do të paguajnë zero tatim fitim dhe 6 përqind TVSH.

thumbnail_7516762576_ES1A3648

thumbnail_7516762576_ES1A3649

thumbnail_7516762576_ES1A3650

thumbnail_7516762576_ES1A3653

thumbnail_7516762576_ES1A3658
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: