Të paktën 17 persona kanë humbur jetën dhe 10 të tjerë janë plagosur në një aksident të rëndë rrugor në veri të Pakistan, sipas autoriteteve lokale.
Ngjarja ndodhi kur një autobus që po udhëtonte nga rajoni Swat drejt Peshawar-it pësoi një defekt teknik dhe u ndal në anë të rrugës. Pasagjerët zbritën dhe qëndruan pranë mjetit ndërsa po kryheshin riparimet.
Në atë moment, një kamion ka dalë nga kontrolli dhe është përplasur me grupin e njerëzve që ndodheshin pranë autobusit, duke shkaktuar një tragjedi të rëndë. Sipas zyrtarit të ekipeve të shpëtimit, Bilal Ahmad Faizi, të paktën 17 persona kanë vdekur, ndërsa më shumë se 10 të tjerë janë dërguar në spital, disa në gjendje kritike. Edhe mjekët lokalë kanë konfirmuar bilancin e viktimave.
Shumë prej pasagjerëve po udhëtonin për t’u kthyer në shtëpi në prag të Bajramit, një nga festat më të rëndësishme fetare, çka ka shtuar edhe më shumë tragjedinë e ngjarjes.
