Vetëm pak orë pasi Partia Demokratike depozitoi në Kuvend një projektligj për deklasifikimin e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit në periudhën 1944–1991, mazhoranca është kundërpërgjigjur, duke prezantuar dy projektligje për ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe për një ndryshim në ligjin Nr.45/2015 “për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”.

Me ndryshimet që mazhoranca propozon në ligjin NR. 10019, Datë 29.12.2008, rezulton se neni 63 për pastërtinë e figurës së kandidatëve për deputetë ose kryetarë bashkish, do t’i shtohet edhe neni 63/1 me këtë përmbajtje, i cili kërkon prej tyre që të paraqesin një kërkesë dhe formular aplikimi te Autoriteti i Dosjeve të ish-Sigurimit, për të vërtetuar pastërtinë e figurës lidhur me të shkuarën komuniste.

Neni 63/1 për procesin e “verifikimit të pastërtisë së figurës” parashikon që:

1.Subjekti zgjedhor, 70 ditë para datës së zgjedhjeve, për listën e kandidatëve, për deputet, për kryetar bashkie dhe për këshillat vendorë, paraqet kërkesën dhe formularin e plotësuar të aplikimit pranë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në lidhje me ekzistencën për ta, të informacioneve në dokumente të ish-sigurimit të shtetit, për qëllime të transparencës së pastërtisë së figurës.

2.Kandidati i pavarur për deputet, për kryetar bashkie dhe për këshillat vendor, 70 ditë para datës së zgjedhjeve paraqet kërkesë dhe formularin e plotësuar të aplikimit pranë Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në lidhje me ekzistencën për të, të informacioneve në dokumente të ish-sigurimit të shtetit, për qëllime të transparencës së pastërtisë së figurës.

3.Në çdo rast Autoriteti me marrjen njoftim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, lidhur me regjistrimin e listës së kandidatëve 50 ditë përpara ditës së zgjedhjeve që konkurrojnë për zgjedhjet e radhës, kryen procesin e verifikimit dhe përgjigjet në përputhje me përcaktimet e nenit 26 dhe 30, të ligjit nr. 44/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqiqërisë”, të ndryshuar, duke informuar subjektin që ka bërë kërkesën dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ndërkohë projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar, është nisëm e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, në vijim të shkresës së Autoritetit për Informim mbi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH ose Autoriteti) drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë më datë 26.07.2022, lidhur me shqetësimet mbi pastërtinë e figurës së personave të zgjedhur apo të emëruar në detyra shtetërore dhe publike.

Sipas Grupit të PS, raste si ai i fundit lidhur me e-mail anonim të ardhur në adresë të AIDSSH për agjentin me iniciale I.M., janë flagrante dhe shqetësuese.

Në relacioni shpjegues të këtij projektligjit theksohet nga mazhoranca se figura të rëndësishme të shtetit të pajisur me Certifikatën e pastërtisë së figurës në fakt rezultojnë në dokumentat e krijuara të ish-Sigurimit të Shtetit, ndaj kërkojnë një adresim dhe reagim të menjëhershëm.

Më tej nënvizohet se për këto raste duhet të kryhet transparencë e plotë dhe pengesat në legjislacionin ekzistues duhet të adresohen me qëllim zbardhjen e të vërtetës sipas vlerave demokratike të drejtësisë si përgjegjësi për brezat e ardhshëm, por mbi të gjitha detyrim për ata që vuajtën nën regjimin e kaluar.

Nisma ligjore propozon shfuqizimin e pikës 4 të nenit 29 të Ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar, ku shprehimisht thuhet:

Kërkesa për informim mbi zyrtarë përpara emërimit ose ngritjes në detyrë: … 4. Autoriteti nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike kur ata kanë marrë certifikatën e pastërtisë së figurës nga institucionet përgjegjëse, sipas ligjit nr. 8001, datë 22.9.1995, “Për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare”, si dhe ligjit nr. 8043, datë 30.11.1995, “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik””.

Nisma ligjore konsiston në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve pavarësisht nëse kanë ose jo një çertifikatë të mëparshme pastërtie, nën dritën e fakteve dhe të vërtetës që zbulohet gjatë veprimtarisë së punës së Autoritetit.

“Zbardhja e të vërtetës për personat që ushtrojnë detyra shtetërore, mbi të gjitha për ata persona që kanë pasur dhe kanë detyra të larta shtetërore, është një domosdoshmëri dhe një simbolikë e fuqishme për të dënuar krimet e të kaluarës por padyshim në funksion të së tashmes, për krijimin e një shoqërie të bazuar në parimet dhe vlerat demokratike”, thuhet në relacionin shpjegues.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb