Nga: DARINA TANUSHI*, VORE-Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Vorës, njëherësh edhe kryetari aktual i kësaj bashkie, Fiqiri Ismaili premton për votuesit e tij, çeljen e një epoke të re shërbimesh dhe standardesh evropiane të drejtimit të kësaj bashkie. Ai pretendon marrjen e mandatit të 4-rt të drejtimit të Vorës, që tashmë do të ketë në përbërje edhe Prezën, Domjen e Bërxullin. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Ismaili premton se edhe në këto njësi do të shërbehet dhe punohet me përkushtim, ashtu si me Vorën në 12 vjet.
Zoti Ismaili, a mund të na flisni për jetën tuaj, formimi, karriera juaj cila është?
Unë kam mbaruar studimet e larta në degën Agronomi. Në të njëjtën kohë pastaj kam përfunduar edhe studimet për Master. Më pas, nga viti 1990 jam marrë me biznesin tim privat, duke krijuar dhe duke e bërë edhe një nga kompanitë më të mëdha në vend kompaninë “Agroblend”, një kompani-lider në tregun shqiptar të imputeve bujqësore. Në vitin 2003 më ftoi Partia Demokratike të kandidoja për Bashkinë e Vorës dhe me votën plebishitare të qytetarëve të Vorës nga viti 2003 e deri më sot vazhdoj të jem kryetar i Bashkisë së Vorës për 3 mandate rresht. Tashmë kandidoj për mandatin e katërt.
Cili është slogani, motoja juaj e fushatës?
Motoja e fushatës sime për mandatin 2015-2019 është: Punësim, mirëqenie, shërbim. Pra kjo moto më ka karakterizuar gjatë punës sime në këto mandate, por unë në këtë mandat do t’i vë një rëndësi të veçantë punësimit. Nëse deri më tani në buxhetin e bashkisë gjatë këtyre 12 viteve, 60% të fondeve të buxhetit i kemi kaluar për investime publike dhe 40% për shërbime, në buxhetin e ri të bashkisë pas zgjedhjeve të 21 qershorit, ne do ta balancojmë buxhetin, duke bërë 50% investime publike dhe 50% investime të tjera. Arsyeja është se në Bashkinë e Vorës, sot që flasim, ka përfunduar puna në 90% të investimeve që lidhen me infrastrukturën rrugore, ujësjellës, depo uji, parqe, sportklube, por gjithmonë puna as ka mbaruar dhe as do mbarojë ndonjëherë. Por, zona më problematike do jetë Bërxulli, për arsye se nuk është investuar gjatë këtyre viteve dhe për arsyen tjetër se komunat kanë pasur të ardhura të vogla dhe nuk është investuar shumë. Ndaj, duke balancuar këtë buxhet në investime publike, ne do t’i kushtojmë rëndësi edhe punësimit. Jemi të gjithë familjarë dhe e kuptojmë shumë mirë që, në një varfëri ekstreme dhe kur lufton ashpër për të mbijetuar, nuk të hyjnë në punë as asfalti dhe as rruga. Kjo familje kërkon punësim, ndaj do t’u kushtohet rëndësi politikave sociale. Ka familje që kanë probleme shëndetësore. Pra në këtë buxhet ne do t’i japim rëndësi aspektit social. Do t’i kushtojmë rëndësi punësimit, kryesisht të të rinjve. Administrata e re e bashkisë do të jetë edhe më e gjerë dhe aty do të mbizotërojë rinia. Do të punësojmë agronomë, juristë, ekonomistë, të rinj që kanë mbaruar politikat sociale, gjuhët e huaja etj., për t’i dhënë edhe këtij brezi të ri frymëmarrje dhe për të punësuar njerëz të rinj. Votuesit do të zgjedhin kryeshërbëtorin e tyre më 21 qershor dhe është detyra ime pastaj të zgjedh administratën që do t’i shërbejë më së miri këtyre qytetarëve.
Çfarë keni bërë si kryetar i Bashkisë së Vorës, gjatë drejtimit tuaj?
Në mandatin e parë ne bëmë një ndryshim rrënjësor. Arsyeja pse qytetarët e Vorës votuan kandidaturën time ishte për të bërë një transformim në të gjithë Bashkinë e Vorës, një ndryshim tërësor të të gjithë infrastrukturës së kësaj bashkie, por edhe një ndryshim të strukturës që institucioni i bashkisë kishte. Ne ngritëm një administratë funksionale shërbimi për qytetarët, duke ndryshuar vizionin dhe idenë e administratës së vjetër që ishte, duke ndërtuar një institucion të vërtetë në shërbim të qytetarëve, për të përcjellë tek ata vlera njerëzore dhe qytetare. Në të njëjtën kohë ne bëmë ndryshime të mëdha kudo, në infrastrukturën rrugore, ujore, shkollore, nga parqet e gjelbëruara, nga zhurmat e qytetit. Ndryshuam politikat sociale të qytetit apo politika të tjera që sollën përmirësimin e cilësisë së jetës. Dhe baza, misioni dhe vizioni im kryesor ka qenë: “Të ndryshojmë cilësinë e jetës së qytetarëve”, por në të njëjtën kohë, në idetë dhe strategjitë e mia ka qenë që Bashkia e Vorës të jetë një bashki-model në mënyrën e menaxhimit dhe e them me plot bindje që, gjatë këtyre tri mandateve, Bashkia e Vorës është një histori suksesi, për ndryshimin rrënjësor dhe transformimin rrënjësor të jetës dhe cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve. Gjatë këtyre tri mandateve kemi bërë realitet çdo premtim dhe program që unë kam shpalosur gjatë fushatës elektorale. Po të flasim me shifra, në projektin tim 2011-2015, unë u pata premtuar qytetarëve të Bashkisë së Vorës se do të ndërtoja 116 mijë metra katrorë asfalt, dhe deri më 31 dhjetor të vitit 2014, 6 muaj para kohe, unë kam asfaltuar në njësinë time rreth 225 mijë katrorë asfalt. Në të njëjtën kohë kemi bërë një ndryshim rrënjësor në të tërë infrastrukturën ujore, duke ndërtuar mbi 12 depo uji në të gjithë njësinë tonë. Kemi çuar furnizimin me ujë në të gjithë territorin e bashkisë. Kemi shtrirë me mijëra metra tubacione uji, kemi bërë mijëra metra linearë kanale të ujërave të zeza, kemi shtuar sipërfaqe të gjelbëruara, duke shtuar njëherësh edhe pemë dhe duke përmirësuar kështu mjedisin. Një punë të mirë kemi bërë edhe për shtresa të ndryshme të shoqërisë, siç janë gruaja, rinia dhe pensionistët. Një nga objektivat tanë ka qenë – dhe e kemi realizuar – ulja e papunësisë. Ne jemi ndër bashkitë që dallohen në vend që kemi miratuar masterplanin e bashkisë dhe kjo i ka dhënë mundësi edhe zbatimit të politikave liberale lehtësuese që kemi bërë për marrjen e lejeve të ndërtimit. Kemi thithur mjaft investitorë të vendit dhe të huaj dhe duke thithur këto investime ne kemi ulur ndjeshëm papunësinë, kemi rritur të ardhurat e pushtetit vendor, por në të njëjtën kohë është bërë një punë e mirë, pasi Vora sot është një nga zonat më të njohura industriale në vend. Politikë të mirë kemi bërë edhe me rininë. Ne u premtuam qytetarëve gjatë mandatit 2011-2015 që do të formojmë Sportklub Vorën, dhe këtë e bëmë realitet me stadiumin e qytetit, e jemi krenarë sot që dalim para qytetarëve me realizimin e këtyre premtimeve. Kjo është një gjë mjaft e mirë që ne vazhdojmë të mbështesim me fondet e Bashkisë Sportklub Vorën dhe kjo është edhe në objektivat e projektit tim të ri.
Zoti Ismaili, çfarë keni bërë për moshën e tretë, shtresat në nevojë?
Ne kemi bërë një punë të mirë me pensionistët. Kemi hapur disa qendra argëtimi për ta, për të kaluar kohën e lirë. Në të njëjtën kohë ne vazhdojmë të ndihmojmë ndjeshëm edhe shtresat në nevojë, pasi e dimë që vendi po kalon një krizë të madhe ekonomike-financiare. Ne kemi përdorur edhe buxhetin social, që do të thotë se, ata qytetarë që aplikojnë dhe që e fitojnë këtë ndihmë, e marrin atë nga bashkia. Bëhet fjalë për shtresa në nevojë dhe ekstremisht në nevojë. Po kështu, ne mbështesim me ndihmë edhe studentët e vitit të parë që u përkasin familjeve në nevojë. Ne u japim atyre një bursë nga bashkia prej 5 mijë lekësh të reja. Pra, gjatë këtyre mandateve është punuar intensivisht për ta kthyer Vorën në një histori suksesi dhe sot jemi krenarë çfarë kemi ndryshuar, një ndryshim rrënjësor në ide, në koncept, në vizion, një transformim rrënjësor në infrastrukturën rrugore. Sot kemi 90% të të gjitha rrugëve të asfaltuara, kemi ujë të pijshëm në të gjithë njësinë tonë administrative, kemi politika të tjera sociale për rininë, për gruan etj. Pra, sot institucioni është një institucion i standardeve më të larta. Një punë e veçantë është bërë edhe për ndërtimin e një administrate funksionale; kemi një sallë shërbimi për qytetarët, ku mbizotërojnë rregulli, disiplina dhe mikpritja ndaj tyre, për një zgjidhje sa më të shpejtë të problemit. Ne jemi krenarë që në Bashkinë e Vorës, për këto 12 vite që unë kam drejtuar është drejtuar me këtë standard, korrupsioni ka qenë zero, mikpritja ka qenë në lartësinë e duhur. Asnjë nga qytetarët, besoj, nuk ka kundërshtime për këtë punë. Kushdo që ka ardhur në Bashkinë e Vorës, ka kryer punë. Pra, është punuar intensivisht, është krijuar një klimë besimi te qytetarët, është krijuar një klimë respekti. Edhe unë, edhe administrata me të cilën punoj, në parimet tona kemi përcjelljen e vlerave njerëzore e qytetare. Motoja jonë e punës është që ne të punojmë bashkërisht me ta, që të bëjmë më të mirën, të përmirësojmë cilësinë e shërbimeve dhe të jemi pranë qytetarëve brenda të gjitha mundësive ligjore që ne kemi. Ne jemi munduar dhe do të mundohemi që ky institucion të punojë çdo ditë për të arritur këtë ndryshim të madh, cilësor që ne kemi arritur edhe sot. Unë jam sot shumë krenar për gjithçka kemi realizuar. Kemi bërë një punë madhore. Kemi realizuar një transformim rrënjësor. Projekti im vazhdon. Projekti i madh që po shpaloset për mandatin 2015-2019 është një projekt për një epokë të re transformimi të madh, jo vetëm për Bashkinë e Vorës, por edhe për Domjen, Prezën dhe Bërxullin, dhe kjo epokë e re transformimi do të bëjë që edhe këto njësi të reja që i bashkohen tashmë Bashkisë së madhe të Vorës do të bëjnë që kjo bashki të jetë një qendër e rëndësishme, për ta vazhduar këtë mision që ne kemi të shërbimit qytetar, mision për të ndryshuar cilësinë e jetës së qytetarëve, për t’u qëndruar sa më pranë atyre dhe për t’i bartur këto vlera njerëzore edhe në këto pjesë që i bashkohen njësisë. Ne do të bëjmë maksimumin që edhe në projektet e Bashkisë së madhe të Vorës që do të jetë, t’u jepet një përparësi e madhe disa grupeve, siç është rinia, edukimi i tyre, punësimi sezonal i të rinjve, punësimi i tyre në ndërmarrjet ndihmëse që ne si bashki kemi apo që do të krijohen me bashkinë e madhe që do të krijohet, në mënyrë që punësimi të ulet maksimalisht. Në të njëjtën kohë, i jepet një rëndësi punësimit në sektorin privat, që ne e dimë shumë mirë që gjenerator i punësimit është sektori privat dhe ne me politikat tona, me politikën e taksave të ulëta, me lehtësimin e lejeve të ndërtimit dhe me punët e tjera që do të bëjmë me masterplanin e bashkisë, do të krijohet mundësia e ardhjes së shumë investitorëve, për të ulur pastaj papunësinë, për të rritur shkallën e investimeve, për të rritur buxhetin e bashkisë.
Në këto vite, sipas jush, duket se Vora është plotësuar me shërbimet e saj; tashmë i bie që vëmendja t’u kushtohet këtyre komunave të reja që do të bashkohen. A keni biseduar me këta banorë, cilat janë kërkesat e tyre?
Ne kemi mbi 20 ditë që vazhdojmë konsultat publike me grupet e qytetarëve për hartimin e projektit tim madhor 2015-2019. Në konsultat publike që unë kam bërë në të gjitha këto zonat që i bashkohen Bashkisë së Vorës, edhe ato kanë ngritur një sërë shqetësimesh, që nga infrastruktura rrugore për Bërxullin, infrastruktura për pjesën e Domjes, por në të njëjtën kohë edhe për zonën e Prezës. Në këto konsulta publike që janë bërë është marrë edhe mendimi qytetar. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që ky mandat, kjo bashki e re të japë një zgjidhje përfundimtare për shumë probleme e shqetësime që këto njësi kanë. Ndërkohë, i garantojmë qytetarët që edhe projekti 2015-2019 do të jetë një projekt madhor, një epokë e re ndryshimi e transformimi edhe për ta, dhe këtë histori suksesi të punës sime që kam pasur në Bashkinë e Vorës për këto 12 vite, kjo histori suksesi do të përsëritet edhe në këto zona, që Bashkia e re e Vorës të vazhdojë të ecë sipas standardeve të larta evropiane, një bashki-model drejtimi e menaxhimi, një bashki e shërbimit qytetar, e një transformimi rrënjësor, që ka zgjidhur problemet me infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë, probleme që kanë të bëjnë me pastrimin, me kanalet e ujërave të zeza, me kanalet vaditëse, kulluese, politikat sociale, politika për arsimin, për gruan, për rininë… Të gjitha këto janë të gërshetuara në projektin tim edhe për mandatin 2015-2019, që unë do ta bëj publik në ditët në vijim, në takimet që do të kemi me qytetarët, për të shpalosur platformën time të re 2015-2019.
Atëherë rivali juaj e ka shumë të vështirë përballjen me ju?
Standardi i rivalit tim është shumë i dobët. Unë nuk dua të merrem me rivalin. Në të gjitha takimet me qytetarët, edhe në fushatat e tjera, nuk jam marrë në asnjë rast me rivalin, duke e sharë atë, por e them me plot bindjen që, standardi që Bashkia e Vorës ka është një standard i lartë. Standardi i kundërshtarit tim është i një cilësie të dobët. Qytetarët do ta vlerësojnë, por ne do të vazhdojmë t’u shërbejmë qytetarëve edhe pas 21 qershorit.
Me marrjen e këtij mandati, a do ta keni problem të bashkëpunoni me kryeministrin e kësaj qeverie që është në pushtet aktualisht?
Kryeministri është i shqiptarëve. Kryeministri nuk është i Partisë Socialiste, pavarësisht se në një sistem demokratik, kryeministri del nga një forcë politike. Ne nuk e kemi pasur as më të voglin problem dhe as nuk do ta kemi problem të bashkëpunojmë, dhe për hir të interesave të qytetarëve e të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve të bashkëpunojmë jo vetëm me kryeministrin, por me çdo drejtori, me çdo ministri, me çdo departament tjetër që vihet në shërbim të qytetarëve. Kjo nuk na ka munguar as në këto dy vite që në pushtet ka qenë kryeministri i Partisë Socialiste. Ne kemi dërguar gjithmonë projekte në qeveri, në dikastere të ndryshme, do dërgojmë përsëri, do të bëjmë gjithçka për qytetarët, për arsye se ne këtu jemi në shërbim të qytetarëve, pa dallim të bindjeve që kanë ata.
Nëse zgjedhjet do të ishin nesër, çfarë do t’u thoshit votuesve tuaj?
Votuesve të mi, nëse do të ishin zgjedhjet nesër, do t’u bëja thirrje të votonin masivisht alternativën time. Alternative ime është një alternativë reale, e bazuar në fakte, alternativë e bazuar në punën që unë kam bërë deri tani, një histori suksesi e drejtimit të Bashkisë së Vorës, një drejtim-model menaxhimi do të thosha, dhe këtë histori suksesi e këtë punë që është bërë për transformimin e Vorës dhe fshatrave të saj për kaq vite, pra, këtë eksperiencë unë do ta jap edhe në Bashkinë e madhe të Vorës, për të bërë epokën e re të ndryshimit dhe transformimit të madh në të gjithë Bashkinë e re të Vorës. Unë kam një bindje të plotë që fitorja ime është një fitore plebishitare, është një fitore e madhe, për arsye se qytetarët nuk i hanë më mashtrimet false, por duan punën konkrete dhe realitetin. Puna konkrete jam unë, ndryshimi i madh jam unë dhe zgjidhja jam unë. Prandaj qytetarët, kam bindje të plotë që do të votojnë me votë plebishitare kandidaturën time.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: