Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk ka asnjë njohje me oligarkun rus Oleg Deripaska, për të cilin po hetohet në SHBA ish-zyrtari i lartë FBI-së Charles McGonigal.

Sipas tij, akuzat për lidhje me oligarkun rus janë gënjeshtra të opozitës.

“Me oligarkun rus Shqipëria nuk ka asnjë lidhje, qeveria asnjë lidhje, unë jo e jo”, tha Rama.

“Mund të them që kompanitë për të cilat flitet, kanë marrë kontrata e peshqeshe direkte nga qeveria e mëparshme dhe që në rastin e qeverisë sonë s’kanë marrë asnjë kontratë. Qeveria jonë nuk ka bërë asnjë peshqesh për asnjë kompani duke dhënë fusha nafte pa garë. Kemi bërë garë ndërkombëtare. Flluskë e jashtëzakonshme sepse nëse ka kërkime për të bërë për origjinën e kompanive dhe si kanë hyrë e dalë në vendin tonë, mund ta bëjë kushdo që ka durimin t’i shkojë në gjenezë kësaj historie. Kanë marrë copa Shqipërie peshqesh nga qeveria e mëparshme. Bërtet kapni hajdutin, ai që është hajduti vetë.
Në rast se do ishim në pozita të kundërta do ngrinim pyetje, do kërkonim debat por kurrë s’do i thoshim shqiptarëve është tradhti kombëtare dhe i akuzuar është kryeministri.
Nuk ka asnjë implikim as timin as të një zyrtari të lartë apo të ulët shqiptar sepse ndryshe do ishin në aktakuzë. As personi A apo B nuk janë”, tha Rama.

Ai mohoi të ketë pasur njohje dhe me Agron Nezën dhe se ia ka prezantuar vet McGonigal.

“McGonigal e kam takuar së bashku me një shqiptaro-amerikan që ma prezantoi si mikun e tij. Nuk e kam takuar me biznesmenë. Nuk kemi diskutuar për asnjë lloj biznesi apo për ndonjë lloj përfitimi”, tha Rama.

I pyetur nëse do ishte surprizuar nëse drejtësia shqiptare do të niste hetim, ai tha se këtu nuk ka çështje.
“Nuk më surprizon asgjë por këtu nuk ka çështje se po të kishte do e hapnin ata që nuk falin as presidentët e ish presidentët e tyre por shkojnë në shtëpi dhe e kontrollojnë”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: