Kryeministri i vendit Edi Rama ndërsa prezantoi Task Forcën për shëndetin, që do të jetë në terren për të inspektuar masat Covid, tha se ata do të jenë ëngjëjt mbrojtës të njerëzve, që kanë për qëllim vetëm të monitorojnë e jo të gjobisin.

“Ndërsa në Shqipëri gjoba është një mjet për të rritur sensibilizimin, se në fund të ditës edhe kjo vlen. Janë vendosur 2800 gjoba këto 5 ditë, por sa janë evituar? Dhjetëra mijëra të tilla, sepse njerëzit edhe për shkak të gjobës e kanë vendosur maskën. Çfarë duan të mësojnë më shumë për covid ata që nuk e besojnë kur gjithë bota është e alarmuar, çmendet 1 apo 2 por jo gjithë bota. Këto janë marrëzi të papara, të cilat sigurisht stimulohen dhe përhapen nga mediat që para audiencës e klikimeve nuk pyesin as për njerëzit e tyre që punojnë aty, as për familjarët e tyre. Është e pamoralshme dhe e paudhë, por kjo nuk ndodh vetëm këtu, por në çdo vend.

Rjjeti i inspektorëve do jetë kudo, nuk e kemi parë si luftë pushteti, por si luftë të përbashkët ku ne bëjmë detyrën tonë, qytetarët të vetën, e të gjithë bashkë punojmë për një qëllim. Të gjitha inspektoriatet të mos i bëhen havale njerëzve në këto kohë të vështira. Kemi bërë zero taksën dhe TVSH për biznesin e vogël, iu kemi hequr nga qafa inspektorët. Ju jeni ëngjëjt mbrojtës të njerëzve, merreni përsipër këtë proces në bashkëpunim të ngushtë me ministren për detyrat e ditës. Në rast shkeljesh ju thjesht njoftoni policinë, dhe kaq, s’keni bllok dhe laps. Kërkojmë aleancë me njerëzit që t’ja dalim kësaj lufte të mallkuar, që gjithë vija e zjarrit të jetë nën kontrollin e mjekëve dhe infermierëve”,- tha Rama.

Më tej ai ironizoi kryedemokratin Basha dhe Presidentin Meta për deklaratat e tyre të fundit në lidhje me situatën covid.

“Del ky tjetri se janë bërë si Loli me Colin e thotë: Kapacitetet në spitale janë ezauruar, s’ka vend, njerëzit po lihen rrugëve, ca janë këto? Këto janë skandale morale të pagëlltitshme sepse faktikisht sot ne jemi absolutisht të përgatitur për më të keqen, por duhet ta mbajmë larg. Sot kemi ende ¼ e kapaciteteve, nëse nuk bëjmë secili tonën mund të mbushen edhe më shpejt spitalet. Ky është çelësi që duhet të mbajmë në dorë, pa na e marrë armiku i padukshëm.

Edhe trajtimin me plazma e sollëm sa doli në Itali dhe flasin këta se Zoti e desh Shqipërinë dhe Covid nuk erdhi në kohën e këtyre, me spitalet e këtyre, Atëherë do thoshim nuk dimë kush është e keqja më e madhe, covid apo këta. Nuk jemi vetëm në këtë luftë as të vetmit, por një nga hallkat e një zinxhiri shumë të gjatë shtetesh”,- tha Rama ndër të tjera.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: