Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin ‘Kjo javë’ në News24 të moderatores Nisida Tufa foli për skandalin e AKSHI-t që po heton SPAK, çështje për të cilën janë dhënë disa masa arresti.
Që në nisje të intervistës, Lala tha se kjo dosje mund të rrëzojë qeverinë ‘Rama’ për shkak të abuzimeve të mëdha të zbuluara, ndërsa disa prej elementeve që kjo çështje është nga më të rëndësishmet që po heton SPAK.
“Dosja e AKSHI-t është një dosje që mund të rrëzojë qeverinë. Këtë e them me përgjegjësi të plotë. Është një kapje e shtetit nga një grup i strukturuar kriminal, jo vetëm për faktin se paracaktoheshin tenderat në AKSH, por për mënyrën se si bashjëpunonte ky grip kriminal, se si pastroheshin paratë apo se si rrëmbeheshin biznesemenët, apo të tjerë frikësoheshin. Kështu që, në këtë aspekt, ndoshta është dosja më e rëndësishme që Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hetuar ndonjëherë. Pse e them këtë gjë? Sepse bëhet fjalë për një institucion shtetëror, një institucion i cili sigurisht menaxhonte një buxhet të rëndësishëm sa i përket parave të taksa paguesve shqiptarë. Kishte të dhëna sensitive që kishte AKSHI. Të sistemit të drejtësisë dhe bankave.
E konsideroj një çështje shumë të rëndësishme për mënyrën se si fillohet që nga pengmarrja, pastrimi i parave, paracaktimi i tenderave e deri tek vjedhja apo hakerimi i të dhënave. Tani lidhur me pyetjen tuaj, Prokuroria e Posaçme pas një hetimi jo më shumë se tre-katër mujor, ka arritur të sekuestrojë në këtë fazë të parë rreth 40 milionë euro pasuri të paluajtshme, por edhe të luajtshme të personave të dyshuar. Dhe bëhet fjalë për Ervis Agasin dhe Ermal Beqirin, të cilët dyshohen si pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Po ashtu janë sekuestruar edhe pasuritë e Mirlinda Karçanaj, ish-drejtoreshë e përgjithshme e AKSHI-t, e cila aktualisht ndodhet në arrest shtëpie.”, tha Lala.
