Kreu i degës së Partisë Demokratike në Krujë, Aulon Kalaja, ka hedhur akuza të forta ndaj sistemit të drejtësisë në vend, duke paralajmëruar se, sipas tij, priten edhe vendime të tjera lirimi për persona që ndodhen në masa sigurimi apo në burg.
I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Kalaja reagoi pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila vendosi lirimin nga arresti shtëpiak të ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Ai shprehu dyshime për integritetin e gjykatave të larta, duke pretenduar se në to ka ndikim politik.
“Kam dyshime për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, sepse ka njerëz pa integritet, njerëz të lidhur me pushtetin,” u shpreh Kalaja, duke shtuar se vendimmarrjet gjyqësore në disa raste nuk janë të drejta sipas tij.
Sipas tij, edhe vendime të mëparshme kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e funksionimit të institucioneve të drejtësisë, ndërsa theksoi se në gjykatat shqiptare mungon standardi që ai e konsideron të nevojshëm për besueshmërinë e sistemit.
Kalaja u shpreh gjithashtu se pret që në vijim të ketë vendime të tjera gjyqësore që mund të çojnë në lirime nga burgu, duke kritikuar në këtë kontekst Gjykatën e Lartë.
Megjithatë, ai theksoi se respekton parimin e prezumimit të pafajësisë, por sipas tij, mënyra se si po merren disa vendime ngre shqetësime serioze për publikun.
“Unë e besoj prezumimin e pafajësisë, por kjo zonja nuk mund të lirohet në këtë mënyrë nga gjykata e lartë”, u shpreh ai.
