Një burim zyrtar nga Ministria e Jashtme e Katarit, konfirmoi – gjatë një deklarate për agjencinë e lajmeve QNA të premten në mbrëmje – se Shteti i Katarit ndjek me shqetësim të thellë raportet mediatike mbi aktet e spiunimit dhe piraterimit ndër vite nga ana e Emirateve të Bashkuara Arabe në bashkëpunim me një kompani izraelite, kundër personaliteteve të vendeve të tjera, përfshirë personalitete qeveritare të Katarit.
Burimi shtoi se “Nga këto raporte del qartë që provat për këto akte ekzistojnë dhe i janë bashkangjitur dosjeve gjyqësore. Ky zbulim pasqyron se problemi që kanë vendimmarrësit e politikës së jashtme të Abu Dhabit është i thellë dhe i vjetër. Ai ngre shumë pikëpyetje në lidhje me rrënjët e krizës aktuale të Gjirit, dhe sesa kohë kanë shpenzuar shkaktarët e kësaj krize për të planifikuar shkatërrimin e lidhjeve vëllazërore dhe bashkëpunimit mes vendeve e popujve të Gjirit”.
Gazeta amerikane The New York Times, theksoi të premten se emailet e rrjedhura e të shkëmbyera mes kompanisë izraelite “NSO” dhe zyrtarëve emiratas rreth teknologjive të spiunazhit, tregojnë se Emiratet e Bashkuara Arabe janë përpjekur të interceptojnë telefonatat e personaliteteve të larta në rajon, ku më kryesori ishte Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani.
Burimi nga ministria e jashtme katariane vuri në dukje se “Kriza aktuale e Gjirit nisi me një akt kriminal kibernetik duke piratuar faqen e Agjencisë së Lajmeve të Katarit (QNA). Sot, këto raporte mediatike vërtetojnë se seria e shkeljeve shtrihet shumë kohë para atij akti dhe mesa duket vazhdojnë ende”.
Ministria e Jashtme e Katarit dënoi çdo përpjekje për shkeljen e privatësisë individuale dhe cënimin e sovranitetit të shteteve nëpërmjet përgjimeve kibernetike ndaj zyrtarëve të këtyre vendeve. “Shteti i Katarit i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të rregullojë ligjërisht fushën e sigurisë digjitale, pasi kjo fushë nuk mund dhe nuk duhet të mbetet pa sanksione ligjore, të cilat ndëshkojnë krimet e përgjimeve dhe shkeljet e privatësisë”.
Gjithashtu, Ministria u bëri thirrje zhvilluesve të teknologjive të tilla të tregojnë shkallën minimale të vlerave dhe të etikës e t’i përmbahen ligjeve dhe normave ndërkombëtare në këtë drejtim.
Në të njëjtin kontekst, Komisioni Kombëtar Katarian për të Drejtat e Njeriut dënoi “shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të privatësisë nga ana e Emirateve të Bashkuara Arabe përmes përdorimit të spyware-ve izraelitë prej më shumë se një viti”. Komisioni tha se emiratasit kanë tentuar në vijimësi të interceptojnë dhe regjistrojnë thirrjet telefonike të zyrtarëve, gazetarëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut në Katar.
Komisioni Kombëtar Katarian për të Drejtat e Njeriut theksoi se do të sigurojë gjithë mbështetjen e nevojshme për viktimat e prekura prej akteve të spiunazhit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe konfirmoi se në koordinim me avokatët, organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtare relevantë, do të vazhdojë procedurat për të ndjekur penalisht autorët e shkeljeve të tilla.
Emailet e shkëmbyera mes kompanisë izraelite dhe zyrtarëve të lartë emiratas nxorrën në dritë faktin se përveç personaliteteve katarianë, Abu Dhabi ka kërkuar interceptimin e telefonave të ish-ministrit të gardës kombëtare saudite princit Mutab bin Abdullah, kryeministrit libanez Saad Hariri, si dhe aktivistëve dhe anëtarëve të stafit të Amnesty International në rajon.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: