Emisioni “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala në News24, siguron dosjen hetimore në lidhje me vdekjen e 41-vjeçares, Bedrie Loka në Durrës, e cila i dha fund jetës duke pirë fostoksinë. Po ashtu janë siguruar edhe dëshmitë e bashkëshortit të së ndjerës, Xhemal Loka, dhe tre fëmijëve, Destan, Rozilnda Loka dhe të djalit të vogël.

Në dëshminë e Xhemal Lokës, i cili akuzohet se ka shtyrë bashkëshorten drejt vetëvrasjes, thuhet se 41-vjeçarja nuk përballonte dot fotone publikuar në platformën TikTok, ndërsa ka përshkruar momentet kur ka gjetur Bedrie Lokën të shtirë të dhoma e ndenjjes, pasi kjo e fundit kishte konsumuar fostoksinë.

Dokumentari:

Bedrie Loka u gjet në grahmat e fundit në katin e parë të banesës së saj, në fshatin Vardardhë të Sukthit, në orën 07:30 të mëngjesit të datës 2 Janar, për të humbur jetën vetëm disa orë më pas në një nga pavionët e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë.

Policia raportoi se shkaku i vdekjes, së 41-vjeçares, nënë e katër fëmijëve, ishte përdorimi i fostoksinës, por në fakt shkaku i saj i vërtetë i vdekjes, nuk ishte thjesht një medikament helmues vdekjeprurës, por u bë një helm njerëzor që e kishte përfshirë atë në një intrigë që më pas do të përfundonte me dhunën e vazhdueshme të bashkëshortit të saj, që e çoi edhe drejt aktit final të vetëflijimit.

E ndjera, e cila punonte në një fabrikë fasonësh në zonën ku jetonte, ishte prej një viti skenë e një poshtërimi publik, të ndërmarrë nga persona end të paidentifikuar, të cilët e kishin vënë në shënjestër, duke hapur një profil të rremë në Tik-Tok, një profil që cenonte rëndë nderin e saj si grua dhe nënë. Akt të cilin Bedrie Loka e kishte denoncuar prej më shumë se një viti në polici dhe më tej në prokurori, q pavarësisht këtij denoncimi, këto dy organe nuk ndërmorën asnjë veprim, për të zbardhur të vërtetën se kush ishte dora që fshihej pas këtij profili që synonte të çnderonte imazhin e saj si grua, ku vetë viktima e këtij sulmi, kishte dhënë në polici edhe emra konkret, të personave që ajo mendonte se ishin investuar për ta fyer publikisht.

“Unë quhem Bedrie Loka. Jam paraqitur përballë jush sepse sot rreth orës 16.00 jam njoftuar nga familjarët e mi se mua më kanë hapur një llogari në TikTok, ku kanë hedhur një foto timen dhe kanë shkruar shumë fjalë denigruese dhe ofenduese për mua. Dyshoj se këtë faqe e kanë hapur dy persona që banojnë në lagjen 4. Quhen Albina D. rreth 30 vjece dhe bashkëshorti i saj Bilbil D. Arsyeja është se kjo vajza Albina D., punon me mua dhe të gjitha komentet që i ka shkruar i ka bërë rreth punës time dhe prandaj unë dyshoj te kjo. Unë punoj tek një firmë e përpunimit të litarëve që ndodhet në vendin e quajtur Mbikalimi i Fllakës. Unë kërkoj të gjendet se kush ma ka hapur mua këtë profil dhe pse e ka bërë”, thuhet në denoncimin në policisë të së ndjerës.

Por pavarësisht këtij profili dhe gojëve të liga të botës, ndërsa Bedrie Loka i qëndroi e fortë për afro një vit dhe i rezistoi presionit të opinionit publik, ajo nuk mundi të jetë e tillë përballë terrorit psikologjik dhe dhunës që i shkaktoi bashkëshorti i saj, Xhemal Loka. Ai u kthye nga Greqia në ditët e fundit të vitit në banesë dhe sipas dëshmive të dhëna tashmë edhe nga fëmijët e çiftit, ai nisi të rrihte gruan dhe nënën e tyre, ku shkak thuhej se ishte profili i hapur në tik-tok që denigronte figurën e saj.

“Mami dhe babi gjithmonë kanë pasur debate me njëri tjetrin e nuk i kanë pasur mirë marrëdhëniet. Ata debatuan fort edhe dhe një ditë para se mami të pinte helm dhe të vdiste. Babi nuk e lejonte mamin të shkonte të shtëpia e gjyshes dhe filloi duke e sharë.

Debati atë natë filloi nga ora 19.00 deri në orën 23:00. Babi kur ka qenë në Greqi, gati një vit më parë, ka marrë në celular mamin dhe i ka thënë që; unë ty do të bëj të vrasësh veten, mbaje mend”, ka deklaruar djali i Bedrie dhe Xhemalit, Destan Loka.

Dhunën e babait mbi nënën e tyre e konfirmoi përpara policisë edhe vajza e tyre e madhe, Rozalinda, e cila rrëfeu edhe bisedën e fundit që pati me të, vetëm pak çaste, para se ajo ti jepte fund jetës. Por edhe se si babai i saj, pavarësisht se më të shumtën e kohës ndodhej në emigrim, e dhunonte bashkëshorten e tij, duke ushtruar presion psikologjik, edhe nëpërmjet komunikimeve që ata kishin në telefon.

“Prej një viti ato nuk i kanë pasur mirë marrëdhëniet. Gjyshja ime kishte kaluar një trompozë dhe babi nuk e linte mamin të shkonte për vizitë te ajo. Mami më thoshte shpesh se ishte e lodhur dhe do ti jepte fund jetës. Biseda e fundit që unë pata me mamin ka qenë rreth orës 22:30. Ajo më tha që kishin debatuar prapë.

I thashë: ‘Po leje pra atë muhabet dhe qepe’ dhe ajo më tha; ‘mirë mo mami, mirë se e qep unë’.”, ka dëshmuar e bija e çiftit, Rozalinda Loka.

Por vetë Xhemal Loka, nuk pranoi në polici, as përpara gjykatës, kur u njoh me masën e sigurisë, se ishte ai shkaktari që çoi në vetëvrasjen e bashkëshortes së tij. Ai tha se gruan e tij e vrau Tik-Tok-u, dhe se ai e donte atë, por ai u përpoq ta fshihte dhunën që kishte shkaktuar ndaj saj.

“Unë u ngrita në mëngjes dhe e pashë Bedrien të shtrirë në tokë te dhoma e ndenjjes, në mes të shtëpisë. Fillimisht e transportova me automjetin e vëllait për në urgjencën e spitalit në Durrës. Aty më thanë se kishte konsumuar fotoksinë dhe e kanë nisur menjëherë me ambulancë në drejtim të QSUT ku e kanë dërguar në reanimacion. Gruaja ka pasur stres dhe ankth të shtuar kohët e fundit. Unë mendoj se këtë veprim ajo mund ta ketë bërë pasi një vit më parë i kanë hapur një adresë tik-tok në emrin e saj. Ajo prej kohësh shprehej se nuk mund ta përballonte dot foton që i kishin publikuar në rrjetin Tik-Tok”, ka dëshmuar në polici, Xhemal Loka.

Por një video e publikuar në media, tregoi se Xhemal Loka, nuk ishte i sinqertë në thëniet e tij. Ai shikohet teksa dhunon bashkëshorten brenda banesës, me fjalë nga më fyeset, në prani të djalit të tyre të dytë, i cili përpiqet me sa të mundet që të frenojë tërbimin e babait të tij, që sulet të godasë bashkëshorten. Episod ky i vazhdueshëm dhunës, që ajo përjetonte, dhe që është dokumentuar vetëm disa orë para se e ndjera t’i jepte fund jetës.

“Më datë 2 Janar në sallën operative të policisë në Manzë, ka mbërritur njoftimi që bënte fjalë se shtetasja Bedrie Loka ka konsumuar lëndë të dyshuar fostoksinë në banesën e saj, dhe është dërguar me urgjencë nga familjarët e saj fillimisht në spitalin rajonal në Durrës dhe më pas në QSUT. Nga kryqja e banesës së familjes Loka në: ‘Katin e parë të banesës janë gjetur shishe plastike me ujë dhe disa kapsula të dyshuara fostoksinë, të cilat mendohet se i ka konsumuar kjo shtetase. Pavarësisht se gjendej e shtruar në QSUT ‘Nënë Tereza’ dhe nën kujdesin e mjekëve, më datë 3 janar 2024, Bedrie Loka ka ndërruar jetë si pasojë e komplikacioneve shëndetësore.”, thuhet në dosjen hetimore.

Por është Tik-Toku në të vërtetë shkaku që çoi Bedrije Lokën, drejt aktit të vetëvrasjes, apo një intrigë më e madhe njerëzore luhet nën rrogoz, ku një nga personat që mund të ketë gisht mund të jetë vetë bashkëshorti i saj Xhemal Loka, një personazh me dritëhije të shumta në jetën e tij. I dënuar për disa vepra penale brenda jashtë vendit, kryesisht për vjedhje dhe përfshirje në drogë në Zvicër dhe Francë, të cilit në momentin e arrestimit, në ambientet e jashtme të banesës iu gjet edhe një armë zjarri dhe një sasi fishekësh. Burri që pas vetëvrasjes së gruas tentoi të fshihte provat, duke e çuar telefonin  e tij te e motra, ndërsa, policia gjeti në celularin e djalit të mitur të çiftit, videot me përmbajtje të dhunës dhe kërcënimit, që babai i tij ushtronte ndaj nënës. Video të cilat, pasi ai kishte dokumentuar dhunën, ia kishte dërguar të motrës së tij, Rozalindës që ishte ndërkohë e fejuar, ku e informonte për situatën e rëndë që ishte krijuar në familje.

“Ato gjithmonë ziheshin me njëri tjetrin. Unë kam bërë me celularin tim ca video dhe ja kam çuar motrës ku i thoja: ‘Ja çfarë po bën babi me mamin. Telefoni im është në polici, e ka marrë babi dhe ka thënë që është i veti.”, ka dëshmuar djali i vogël i çiftit.

Por familja e Xhemal Lokës, u përpoq t’i dilte në krah njeriut të tyre. Para Gjykatës, ku ai pritej të njihej me masën e sigurisë, nëna e tij, tha se i biri  ia kishte falur të shoqes historinë e Tik-Tokut, duke aluduar kështu për një histori të mirëqenë. Madje duke kthyer në vëmendje edhe një incident që kishte ndodhur 12 vite më parë në familjen e Xhemal Lokës, ku ishin grabitur një sasi e konsiderueshme parash, por që sipas nënës së tij, Xhemali ia kishte falur të dyja historitë Bedries, duke e bërë këtë të fundit indirekt fajtore.

“Djali ja fali tik toku, ja fali dhe lekët. Bedria ka fjetur në shtëpinë e lekëve të djalit”, ka dëshumuar nëna e Xhamal Lokës, Sanije Loka.

Vëllai i Xhemal Lokës, shfajëson Xhemalin, duke thënë se ai nuk e dhunonte gruan e tij, ndërsa akuzon vëllezërit e të ndjerës për kërcënime.

“Vëllezërit e Bedries na kanë kërcënuar”, ka dëshmuar vëllai i Xhemalit, Fatmir Loka.

Por vëllezërit e Bedries Lokës, kanë një tjetër mendim nga familja e bashkëshortit të saj. Ata bëjnë fajtor, për humbjen e jetës së motrës dhe njeriut të tyre të afërt, bashkëshortin e saj Xhemal Loka, që sipas tyre e ka dhunuar bashkëshorten e tij, që ditën e parë, që ata janë lidhur në martesë.

“Që në muajin mars 2000 që kur është martuar motra ime ai e ka trajtuar keq. E ka dhunuar fizikisht disa herë. Besoj se dhe këtë veprim e ka bërë vetëm prej dhunës së Xhemalit. Nuk ka lidhje puna e tik tokut”, ka deklaruar vëalli i Bedrie Lokës, Avdi Bushi.

Por a ishte Tik-Toku një sebep i sajuar enkas, qoftë edhe nga bashkëshorti, për të vënë në një pozitë që nuk e kishte të ndjerën Bedrije Loka, i cili me të ardhur nga Greqia në fundin e vitit 2023, filloi ta akuzonte të shoqen për imoralitet dhe për gjoja një lidhje të saj jashtëmartesore, siç është edhe kjo dëshmi e djalit të dytë të çiftit.

“Më 27 dhjetor kur babi erdhi në shtëpi, u zu me mamin, pasi thoshte se kishte dëgjuar fjalë të njerëzve të tjerë për të. Ai i tha mamit lloj-lloj fjalësh. I tha po kështu se do të vras, e ka ofenduar me fjalë të rënda dhe e ka goditur mamin me grushte dhe shkelma. Madje e akuzonte duke i thënë që kë zënë dashnor”, ka dëshmuar Kledjan Loka.

Por ndërsa shumë mendime rrotullohen rreth asaj që mund të jetë intriga e vërtetë e shkakut që çoi në flijimin e Bedrije Lokës, është vetë Rozalinda, vajza e madhe e çiftit, e cila në dëshminë e saj dhënë në polici, i jep tashmë një tjetër dinamikë, skenarit të mundshëm të arsyeve që çuan në shkaktimin e vetëvrasjes së nënës së tyre. Ku tanimë në mes të kësaj historie futet një grua franceze, e cila dyshohet se kishte krijuar një lidhje me babain e saj, çka duket se e intrigon edhe më tej ngjarjen e rëndë që pasoi dhe pse jo, shkakun dhe autorët që u investuan për të hapur një profil të rremë tik-toku, për nënën e katër fëmijëve.

“Diku nga muaji Shtator 2023, mami i ka gjetur babit disa letra në gjuhën franceze të cilat ja ka dërguar një femër. Ajo ishte një franceze dhe ka komunikuar me vëllain tim dhe i ka thënë që ka pasur një lidhje me Xhemalin. Kjo ka qenë një arsye që e ka vrarë edhe më shumë psikologjikisht mamin tim.”, ka dëshmuar Rozalinda Loka.

Tashmë debati më i madh publik është nëse të ndjerën Bedrie Loka, nënën e katër fëmijëve e vrau Tik Toku, apo ligësia njerëzore, një lloj bime helmuese që gjendet dhe rritet rëndom mes nesh. Dhe a është kjo kriza e vërtetë morale ku shoqëria shqiptare është zhytur….

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb