Deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri është përballur me drejtorin e Policisë së Tiranës Oligert Torba i cili sipas tij u filmua teksa tërhiqte zvarrë studentët në protestën e sotme para Ministrisë së Arsimit.
Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale nga deputeti i Mundësia, shihet se Kapri i kërkon shpjegime drejtorit të Policisë përse ai ka marrë zvarrë studentët teksa protestuesit ishin mbledhur para godinës së Ministrisë dhe kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Siç shihet nga pamjet, deputeti Kapri shtyhet nga efektivët e policisë teksa si ndjek drejtorin Torba duke i kujtuar atij përgjegjësinë para ligjit për veprimet e kryera ndaj studentëve.
“Drejtori i Policisë së Tiranës, Oligert Torba, tërhoqi personalisht zvarrë studentët gjatë protestës. Ai dhe të gjithë drejtuesit e Policisë së Shtetit do të mbajnë përgjegjësi për dhunën joproporcionale të ushtruar ndaj protestuesve!”,- u shpreh Kapri.
