ZAGORI
“Në raste kur do të bëhen investime që kanë një karakter të gjerë që kanë një impakt mbi natyrën, të merret parasysh mendimi i kualifikuar, mendimi akademik dhe intelektual, si edhe mendimi i banorëve të kualifikuar të asaj zonë në mënyrë që kjo të reflektohet edhe në planet e zhvillimit”. Kjo është ajo çfarë kërkon edhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në mbledhjen që organizoi në Akademinë e Shkencave për shpimet për naftë e gaz që po bëhen në Zagori nga kompania SHELL.
Në këtë rast bëhet fjalë për një zonë që është park kombëtar, që sipas arkeologut Neritan Ceka, ndërhyrja duhet të jetë shumë e kujdesshme. Zagoria është zonë me intensitet arkeologjik. Dhe përtej peizazhit cenohet edhe potenciali arkeologjik i zonës, një nga asetet më të mëdha të kësaj zonë, e quajtur kultura postbizantine.
Lidhur me shqetësimin e ngritur nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, menjëherë ka reaguar edhe Kryeministri Rama.
“Debati për kërkimet e naftës në Parkun Kombëtar të Zagorisë është i mirëseardhur për të kujtuar se: Ne e kemi shpallur Parkun Kombëtar në vazhdën e programit të mbrojtjes së bukurive të natyrës sonë nga HEC-e, gurore, etj. Si mund të lejojmë aty shpime naftëkërkuese! Nuk bën vaki”, deklaroi Rama.
Banorët e Zagorisë, të cilët janë kundër shpimeve me eksploziv, kanë paralajmëruar protesta, dhe më e afërta është të premten, më 25 janar, një protestë marshim nga sheshi “Skënderbej” tek Ministria e Energjetikës, më tej tek ministria e Turizmit dhe Kryeministria, në mbrojtje të Zagorisë, Lunxhërisë, Libohovës dhe Luginës së Vjosës e Kanionit të Holtës.
(n.m/BalkanWeb)
