Markelian Hoti, 27 vjeç, vëllai i deputetes demokrate Elda Hoti, është arrestuar në Romë në zbatim të një urdhër-arresti europian të lëshuar nga autoritetet gjyqësore belge për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Hoti konsiderohej nga agjencitë ligjzbatuese si një nga organizatorët e një rrjeti kriminal të përfshirë në trafikun e kokainës mes Belgjikës, Dubait dhe Italisë.
Ai dyshohet se kishte rol kyç në koordinimin e lëvizjes së ngarkesave të drogës, përfshirë një sasi prej 50 kilogramësh kokainë.
Prokuroria belge kishte dokumentuar përfshirjen e 27-vjeçarit shqiptar në organizatën kriminale, ku ai vepronte në cilësinë e organizatorit.
Sipas autoriteteve, ai udhëtonte shpesh me automjete të fuqishme nga Europa Veriore drejt Dubait për të menaxhuar aktivitetin e paligjshëm.
Kthesa në hetime erdhi pas sekuestrimit të 50 kilogramëve kokainë të fshehur në kontejnerë në portin e Antverpenit.
Pas këtij operacioni, Hoti humbi gjurmët, ndërsa në janar u shpall në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e drogës, vepër penale që parashikon deri në 15 vite burg.
