Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan rrëzon kërkesën e ish kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici për zëvendësimin e pjesës së mbetur të dënimit me qëndrim në shtëpi për shkak të kushteve shëndetësore.
Pala mbrojtëse ka pretenduar se Gjici deri më tani ka kryer mbi 2 vite burgim, nga 3 vite totale, ku pjesën e mbetur të dënimit kërkohet që ta kryejë në banesën e tij.
Arsyeja mbetet ajo shëndetësore, ku ish-kryebashkiaku, për shkak dhe të gjendjes së tij të rënduar psikologjike, është rënduar dhe aktualisht është diagnostikuar me zgjerim të aortës, probleme kadiovaskulare dhe diabet, një sëmundje ku i dënuari ka marrë mjekim dhe më parë, duke iu referuar dhe kartelave mjekësore.
Ish-kryebashkiaku i Kukësit është dënuar me formë të prerë nga Apeli i GJKKO me 3 vite burgim, për “korrupsion pasiv”, pas skandalit seksual në zyrën e tij, i publikuar në qershor 2023.
Akuzat ndaj ish-kryebashkiakut të Kukësit
Safet Gjici u arrestua më 24 qershor të vitit 2023, pas video-skandalit të regjistruar në zyrën e tij ku ai kryen marrëdhënie intime me një grua (Akma K).
Fillimisht më 7 shkurt të 2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e dënoi Gjicin me dy vite burg.
Por më 24 qershor 2024 Gykata e Posaçme e Apelit e hodhi poshtë vendimin e shkallës së parë për Safet Gjicin, dhe e dënoi me 4 vite e 6 muaj burg, por falë gjykimit të shkurtuar atij iu zbrit 1/3 e dënimit duke u dënuar përfundimisht me 3 vite burg.
Ndërsa Alma Kaçi u dënua me 1 vit heqje lirie.
Gjithashtu Safet Gjicit iu hoq edhe e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.
VENDIMI
Gjykata e Shkallёs sё Parё e Juridiksionit tё Pёrgjithshёm Elbasan në kuadër të transparencës, me qëllim mirëinformimin e publikut në vlerësim të interesit të lartë publik, informon në lidhje me seancën gjyqësore të Kërkesës Penale në Fazën e Ekzekutimit të paraqitur nga kërkuesi Safet Gjici me objekt “Zëvëndësim i Vuajtes së Dënimit me Qëndrim në Shtëpi” Në seancë nuk u paraqit kërkuesi Safet Gjici, u paraqit mbrojtja përfaqësuar nga av. Markeljan Jança, u paraqit organi akuzёs me prokuror z. Ledian Tema, u paraqitën Ekspertët Mjekoligjorë. Shërbimi i Provës ka paraqitur aktin e ekspertimit. U paraqit përfaqësuesi ligjor i Institucionit të Vendimeve Penale Lushnje.
Sot më datë 30.01.2025, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan me trup gjykues të përbërë nga: Kryesues Gjyqtar znj. Suela Lika në përfundim të gjykimit, pasi dëgjoi palët në diskutimin përfundimtar me vendim Nr. 295 Vendimi të datës 30.01.2025 në zbatim të neneve 112, 379, 470 të Kodit të Procedures Penale dhe nenit 59/a e Kodit Penal vendosi:
- Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit Safet Gjici,
- Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit Safet Gjici,
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit
U shpall Elbasan, sot më date 30.01.2025
(BalkanWeb)