Policia e Shkodrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për Vincesk Pirolin, i cili dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e ish-efektivit të policisë, Frrok Lleshaj, ngjarje e ndodhur më 4 gusht 2025 në Vaun e Dejës. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala, ndërsa sqaron se është lëshuar dhe një urdhër arrest tjetër.

Zhvillimi vjen vetëm pak ditë pasi Piroli u lirua nga qelia me vendim të Gjykatës së Apelit, e cila ndryshoi masën e sigurisë ndaj tij, duke e kaluar në arrest shtëpie. Sipas dyshimeve të grupit hetimor, Piroli mund të ketë lidhje me ekzekutimin e Frrok Lleshajt. Ky i fundit u vra në fshatin Paçram të Vaut të Dejës, ndërsa po lëvizte pranë banesës së tij, ndërsa dyshohet se krimi është kryer për interes.

Vrasja e 65-vjeçarit ndodhi mbrëmjen e 4 gushtit 2025 dhe autorët ende nuk janë identifikuar publikisht. Ndërkohë, emri i Vincesk Pirolit është përmendur edhe në një tjetër dosje kriminale. Ai u arrestua në tetor 2026, së bashku me dy persona të tjerë, në kuadër të operacionit policor “Detajet”, pasi dyshohej se po përgatitej një atentat në zonën e Lezhës. Më 19 nëntor, Apeli ndryshoi masën e sigurisë për të, duke e kaluar në arrest shtëpie.

Hetimet për zbardhjen e vrasjes së Frrok Lleshajt vijojnë, ndërsa pritet të mësohen detaje të tjera mbi dyshimet që kanë çuar policinë drejt nxjerrjes së urdhrit të ndalimit për Pirolin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb