Tradhtia është një ngjar je e hidhur që prek shumë çifte, por pak ia dalin ta hedhin pas krahëve dhe të shërohen plotësisht. Një specialist tregon rrugën e dhimbshme, por të bukur të ruajtjes së dashurisë. Një tradhti nuk do të thotë domosdoshmërish se një marrëdhënie ka dështuar.

Së fundmi, një nga faqet më të suksesshme të flirteve pësoi një sulm kibernetik, ku hakerat kanë premtuar të publikojnë identitetin e anëtarëve dhe fantazitë e tyre seksuale. Ky skandal sjell në vëmendje të vërtetat e hidhura të dashurisë, jetës në çift, tradhtisë dhe ndoshta pajtimit. Në fakt, e vërteta është se shumë persona nuk e dinë se një lidhje mund ta marrë veten nga një tradhti dhe të jetë më e fortë se kurrë.

Kjo nuk do të thotë se tradhtitë janë të mira, por ka shpresë edhe në marrëdhëniet që kanë shkelur premtimet e martesës. Faqja që u sulmua nga hakerat mendohet të ketë 33 ose 37 milionë përdorues kudo në botë, e për më tepër është vetëm një nga shumë faqe, ku njerëzit mund të flirtojnë apo thënë ndryshe, edhe të tradhtojnë. Por çfarë tregon kjo për suksesin ose dështimin e martesës si një institucion kulturor?

Disa kërkues kanë vlerësuar se tradhtia martesore ndodh në rreth 2.3 për qind të grave dhe 4.3 për qind të burrave. Studime të tjera sugjerojnë se 25 për qind e burrave dhe 11 për qind e grave, në një farë pike të jetës, përfundojnë në shtrat me dikë që nuk është partneri i tyre. Numri mund të jetë edhe më i lartë. Kërkimet e fundit sugjerojnë se pavarësisht supozimeve kulturore dhe fetare, njerëzit nuk janë në fakt të prerë për monogami. Thënë kjo, tradhtia është një nga faktorët kyç përse çiftet u drejtohen këshillimeve të specialistëve. Ata që duan të vazhdojnë të qëndrojnë së bashku, punojnë fort për të kaluar dhimbjen. Tradhtia dhemb si çdo ndodhi tjetër e hidhur në jetë. Ajo është në fakt tamam si një vrasje, vrasje e martesës së vjetër. Por kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë një martesë të re. Një specialist mund t’ua verifikojë nëse një martesë mund të shpëtohet apo jo pas tradhtisë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë mund të ndani rrugët dhe të vazhdoni jetën.
Këshillat e specialistit Joe Kort
Tradhtitë nuk janë tregues i domosdoshëm i një martese të keqe. Njerëzit tradhtojnë për arsye të ndryshme. Disa nga klientët e mi kanë tradhtuar, sepse kanë pasur turp t’i tregojnë partnerit të tyre rreth preferencave seksuale që kishin. Ata kanë besuar se një preferencë seksuale e tyre do të haste në mosbesim, shpërfillje ose pështirosje të tjetrit. Por specialistët e dinë se shtypja e një fantazie ose dëshire nuk do të thotë se e keni hequr qafe.

Në shumicën e rasteve qëndron e fshehur në nënndërgjegje dhe me kalimin e kohës gjen mënyrën për të dalë në pah. Disa burra, në vend që të flasin për temën që duan, ndihen të turpëruar se gruaja e tyre do të tronditet dhe nuk e diskutojnë. Por kjo nuk i jep gruas një zë për t’u shprehur. Edhe nëse fillimisht ajo nuk është e hapur për eksperimente, dëshira e burrit nuk do të venitet, ndaj në një pikë do gjendet një e mesme e artë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mungesën e gatishmërisë së një burri kundrejt dëshirave të gruas së tij.

“Unë punoj me çiftet që të flasin hapur për këto biseda, që të shohin pikëpamjet e ndryshme të njëri-tjetrit dhe të ndiejnë simpati e ndoshta me kalimin e kohës, edhe dëshirë për të eksperimentuar”, thotë specialisti. Një nga vështirësitë e punës është të kalosh klimën autori-viktima. Dashuria dhe dëshira janë emocione shumë të ndërlikuara. “Dilemat e dashurisë dhe dëshirës janë shumë të ngatërruara për t’iu përgjigjur më mirë ose keq, viktimë dhe autor, e drejtë ose e gabuar”, thotë autorja e njohur e fushës, Esther Perel.

Nëse partneri i tradhtuar për shembull, mban rolin e viktimës, atëherë problemi as nuk do kuptohet dhe as nuk do zgjidhet. Problemi mund ta ketë rrënjën në zemërimin seksual, të ndjerit i/e neglizhuar, shpërfillur apo në vetmi. Fjalët e inatit në kuadër të rolit të viktimës janë të padobishme. Duhet kurajë që të përballesh me problemet që vijnë nga tradhtia, por dëshira e treguar, duhet vlerësuar pa bërë tragjedi. Gjithnjë nëse doni të zgjidhni problemin. Njëkohësisht, partneri që ka tradhtuar duhet që të ketë dëshirë të flasë hapur për këtë, edhe duke u sforcuar që të dalë disi nga vetja. Ai që tradhton duhet të dëgjojë dhimbjen që i ka shkaktuar partnerit dhe të kuptojë se çfarë pasojash ka lënë te tjetri. Besimi duhet rifituar nga e para. Personi që ka kryer tradhtinë duhet të jetë në gjendje të ndiejë pendesën, fajin dhe të solidarizohet me dhimbjen e shkaktuar. Gjithashtu, duhet biseduar për mënyrën si do të kontrollohet situata.

(m.k/SummerPages/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: