Këshilltarja për Integrimin Evropian e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Ilda Zhulali, tha sot në një intervistë për “News24” se Komisioni i Venecias i dha të drejtë Presidentit, duke e cilësuar legjitime shtyrjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

“Komisioni i Venecias, në të gjithë analizën e tyre nuk u frenuan vetëm në shqyrtimin gërmë për gërmë të Kushtetutës, por iu futën edhe një analizë edhe më të detajuar për të parë se cilat ishin kushtet, cilat ishin rrethanat, cili ishte qëllimi i Presidentit të Republikës. Dhe ata në fund fare kanë vendosur se qëllimi i Presidentit të Republikës për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor dhe shtyrjen e tyre më 13 tetor ishte një qëllim legjitim. Ky ishte edhe konkluzioni më i rëndësishëm i këtij raporti”, u shpreh këshilltarja e Metës.

Ndërkohë, duke folur për nismën e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit Meta, Zhulali deklaroi se: “Fjalia përfundimtare e Komisionit të Venecias është që ai, Komisioni pra, nuk gjen asnjë arsye që do të çonte në një vendim për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Dhe në fund të ditës, konstantimi i tyre ishte që Presidenti i Republikës nuk mund të shkarkohet”.

Intervista e Këshilltares për Integrimin Europian të Presidentit të Republikës, znj. Ilda Zhulali dhënë për Televizionin “News 24”

Gazetarja: Duam ta nisim me ju zonja Zhulali, sepse ky raport përfundimtar i Komisionit i Venecias po lexohet në mënyrë ta ndryshme. Nga njëra anë mazhoranca pretendon se u vërtetuan ato që ajo kishte thënë më herët se është shkelur Kushtetuta. Nga ana tjetër Presidenti këmbëngul se u vërtetua e kundërta. Tani këto janë deklarata politike? Dua të di prej jush se cila është e vërteta?

Ilda Zhulali: E vërteta është se opinioni paraprak i Komisionit të Venecias u keqpërdor nga mazhoranca, sepse u dorëzuar duke shkelur konfidencialitetin mes palëve, pasi ai ishte ende objekt shqyrtimi dhe diskutimi deri në njëvendimmarrje përfundimtare nga Komisioni i Venecias.

Dhe kështu ndodhi. Deri në minutat e fundit ka pasur një debat të hapur mbi pyetjet që ishin shtruar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe aty u mor vendimi për të bërë rreth 21 amendamente, të cilat kanë ndryshuar substancën e opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias.

Ne pritëm dhe respektuam deri në fund konfindencialitetin e këtij procesi, derisa raporti u publikua zyrtarisht nga Komisioni i Venecias. Por i gjithë ndryshimi, për të cilin edhe ne kemi qëndrime të ndryshme, vërtitet rreth amendamenteve që kanë ndryshuar dhe intonacionit të verdiktit përfundimtar të Komisionit të Venecias.

Gazetarja: Si ishte dhe çfarë u bë? Çfarë ndryshoi?

Ilda Zhulali: Atëherë Komisioni i Venecias në fillim ishte shumë i qartë që Presidenti i Republikës nuk kishte shkelur Kushtetutën. Ky ishte përfundimi i parë. Por Komisioni i Venecias vlerësonte se Presidenti i Republikës mund të kishte tejkaluar kompetencat e tij. Megjithatë, pas paraqitjes së fakteve shtesë, pas sqarimit të rrethanave eksplicite në të cilat ndodhej Shqipëria,…

Gazetarja: Pas paraqitjes së fakteve nga cilët? Nga aktorët kryesorë? Pas takimeve që ata zhvilluan?

Ilda Zhulali: Nga të gjitha palët. Sigurisht që përpos takimeve, dorëzoi edhe një material shumë voluminoz ku bëmë një shpjegim të fakteve, edhe të dispozitave ligjore. Dhe pasi të gjitha këto u morën në shqyrtim nga Komisioni i Venecias, u kuptua se kishim të bënim me një situatë mjaft specifike, me një situatë ekstreme, e cila nuk mund të kishte zgjidhje tjetër përveç vendimit që mori Presidenti i Republikës. Sepse Presidenti i Republikës nuk kishte asnjë mekanizëm tjetër, që nuk e kishte përdorur më parë për të qenë efikas në shmangien e gjakderdhjes, për mbrojtjen e pluralizimit politik dhe për mbrojtjen e kredencialeve demokratike të Shqipërisë. Kjo gjë u mirëkuptua nga Komisioni i Venecias. Dhe jo pa qëllim, ata në të gjithë analizën e tyre nuk u frenuan vetëm në shqyrtimin gërmë për gërmë të Kushtetutës, por iu futën edhe një analizë edhe më të detajuar për të parë se cilat ishin kushtet, cilat ishin rrethanat, cili ishte qëllimi i Presidentit të Republikës. Dhe ata në fund fare kanë vendosur se qëllimi i Presidentit të Republikës për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor dhe shtyrjen e tyre më 13 tetor ishte një qëllim legjitim.

Ky ishte edhe konkluzioni më i rëndësishëm i këtij raporti.

Gazetarja: Zyra e Presidentit të Republikës i ka mëshuar faktit se ka ndryshuar pika 99, nëse nuk gabohem e draftit paraprak të Komisionit të Venecias, ku është hequr fjala tejkalim kompetencash apo jo? Për faktin që kjo frazë, zonja Zhulali, përdoret ende në pikën 110, a mos e rrëzon argumentin tuaj?

Ilda Zhulali: Është shumë i saktë konstatimi juaj! Dhe duhet sqaruar për të gjithë opinionin publik. Atëherë këtë janë amendamentet: Nga pika 99 është hequr fjala ku vetë Komisioni i Venecias arrin në konstantimin se Presidenti i Republikës ka tejkaluar kompetencat e tij. Kjo fjali është fshirë.

Por çfarë bën Komisioni i Venecias? Bën diçka shumë interesante: Bën, thur katër skenarë në të cilët shqyrton tendencën që mund të ketë Kuvendi i Shqipërisë për ta trajtuar kërkesën për shkarkimin e Presidentit. Dhe thotë: “Nëse Kuvendi i Shqipërisë do ta shikojë këtë sjellje të Presidentit nën dritën e tejkalimit të kompetencave…” – pra e heq nga vetja dhe ia kalon Kuvendit përgjegjësinë për këtë gjë, “edhe nëse Kuvendi e shikon nën këtë dritë, kjo përsëri nuk përbën mjaftueshëm arsye dhe argumente për shkarkim”. Merr edhe dy-tri skenarë të tjerë, edhe nëse Kuvendit, thotë se Kuvendi do të gjejë që Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën, përsëri në këto rrethana, ai nuk mund të shkarkohet, sepse kjo do të përbënte një shkelje të rëndë. Merr edhe një skenar tjetër: Edhe nëse Kuvendi, thotë do të vendoste se Presidenti i Republikës ka bërë shkelje, madje ka bërë një shkelje të rëndë, do të jetë përsëri Gjykata Kushtetuese, e cila do të vendosë nëse Presidenti i Republikës ka kryer apo jo këtë.

Megjithatë, në të gjitha rastet, fjalia përfundimtare e Komisionit të Venecias është që ai, Komisioni pra, nuk gjen asnjë arsye që do të çonte në një vendim për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Gazetarja: Kjo është e shkruar kështu? E zezë mbi të bardhë?

Ilda Zhulali: Kështu është e shkruar. Ju mund t’i lexoni vetë. Pra, janë katër skenarë, po t’i lexoni, ata kanë bërë vlerësim edhe nëse Kuvendi, i cili po shkon drejt tendencës për ta lexuar kështu këtë vendim të Presidentit të Republikës, apo për ta lexuar kështu. Gjithsesi Komisioni i Venecias thotë që në përfundim duke marrë tërësinë e të gjitha fakteve, duke njohur qëllimin legjitim të Presidentit të Republikës për të ndryshuar datat e zgjedhjeve vendore, përsëri, këto nuk përbëjnë arsye për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Madje, ajo që është edhe më interesantja, dhe këtu Komisioni i Venecias këtu ka avancuar pak, përtej rolit të tij këshillimor-juridik, ai ka dhënë edhe një këshillë politike për Kuvendin e Shqipërisë.

Gazetarja: Që është?

Ilda Zhulali: Thotë dhe po jua citoj, në nenin 93, që Kuvendi i Shqipërisë duhet të marrë parasysh, pra për shkarkimin e Presidentit të Republikës, do të ulte apo do të rriste tensionet në vend. Dhe nëse do t’i shërbente apo do të prishte qëllimin për të ruajtur sistemin e kontrollit dhe balancës në vend, në një situatë kur parlamenti dhe të gjitha bashkitë dominohen nga nja parti.

Atëhërë, thotë Komisioni i Venecias, pyetja që i shtrohet parlamentit është: A do të ishte ndjekja e këtij qëllimi, pra shkarkimi i Presidentit diçka që do t’i shërbente unitetit të popullit shqiptar? Për mua kjo është një fjali shumë e rëndë, që i vën përpara përgjegjësisë mazhorancën dhe të gjithë klasën politike shqiptare, pasi këtu duket qartë që Komisioni i Venecias ka një shqetësim të thellë për situatën.

Kështu që këtë shqetësim duhet minimalisht ta ndajnë autoritetet shqiptare.

Gazetarja: Shqetësimin e kanë, përderisa…?

Ilda Zhulali: Jo vetëm ta ndajnë, por të bëjnë përpjekje për ta zgjidhur krizën.

Gazetarja: Këtë raport paraprak dhe final. Sigurisht që shqetësimi i tyre është. Duhet të ndalem pak te pikat që janë ndryshuar zonja Zhulali. Nga raporti paraprak te ai përfundimtar. Ajo që keni në duar, ato nëntë pika mund të konsiderohen pikat e ndryshuara apo…?

Ilda Zhulali: Janë 21 amendamente.

Gazetarja: Cilat janë pikat e ndryshuara?

Ilda Zhulali: Janë 21 pika. 21 amendamente nga opinioni fillestar dhe këtu përfshihen edhe konstantimet e fakteve, të cilat kanë peshë në krijimin e këtij opinioni. Po ashtu edhe në analizë, ashtu edhe në konkluzionet, pra janë reflektuar në tërësi në të gjithë trupin e opinionit.

Gazetarja: Pyetje e radhës është përse mendoni ka ndryshuar, nga parapraku te përfundimtari?

Ilda Zhulali: E thashë edhe pak më herët që Komisioni i Venecias mund të kishtë bërë një zgjidhje shumë të thjeshtë dhe t’i referohej vetëm gërmës së Kushtetutës, por ata kuptuan që këtu kanë të bëjnë me diçka shumë të rëndë. Kanë të bëjnë me një krizë të paprecendetë, ku nuk funksionon Gjykata Kushtetuese prej 19 muajsh, dhe kjo është një krizë e jashtëzakonshme për çdo vend demokratik, dhe veçanërisht për një institucion si Komisioni i Venecias që merret me të drejtën, mungesa e këtij institucioni është problem serioz.

Kujtojmë këtu që Komisioni i Venecias ka qenë ai që ka dhënë rekomandime edhe për hartimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi. Kështu që ata me të drejtë e kanë ndjekur me shqetësim këtë aspekt, mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe pasojat që ajo sjell qoftë për prishjen e ekuilibrave politikë, qoftë për prishjen e sistemit të kontrollit dhe balancës së pushteteve apo edhe pasoja të tjera që mund të ketë, në funksionimin e rendit kushtetues dhe demokratik në Shqipëri.

Prandaj siç vinte re Komisioni i Venecias edhe për reformën në drejtësi, kur thonte se kjo është një reformë kaq e thellë, sa rrezikon që nëse zbatohet në mënyrë të njëanshme, mund të kapet nga partia që është në pushtet.

Prandaj ata këmbëngulën që zbatimi i reformës në drejtësi të vijë përmes konsensusit. Kjo gjë fatkeqësisht nuk ndodhi në Shqipërti. Reforma në drejtësi u zbatua në mënyrë të njëanshme dhe ky lloj zbatimi, kjo lloj fryme, solli në disa pasoja si mungesa e Gjykatës Kushtetuese, mungesa e Gjykatës së Lartë, ngritja e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm që nuk ekziston në Kushtetutën tonë ky term.

Jo vetëm kaq, por zgjedhja e Prokurit të Përgjithshëm me më pak se parashikimi ligjor që kishte vendosur Komisioni i Venecias. Ju e mbani mend që u zgjodh me 69 vota nga 140 vota, ndërkohë që Komisioni i Venecias kishte vendosur dy lloj kufijsh që duhet të ishin ose me 2 të tretat, ose me 3 të katërtat për shkak të numrave që kishte në atë kohë koalicioni qeverisës mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Por të gjitha këto nuk u morën parasysh dhe erdhëm këtu, por kjo nukmund t’i shpëtonte vëmendjes së tyre, sepse ata kanë qenë palë e investuar në këtë proces. Dhe në një farë mënyrë pasojat e këtij lloj investimi u ndjenë edhe në këtë opinion të dytë, prandaj mendoj unë se ata kanë marrë guximin që të kalojnë pak përtej edhe opinionit ligjor, e të japin edhe disa këshilla miqësore për Shqipërinë, siç e theksoi edhe zoti Gianni Buquicchio, presidenti i Komisionit të Venecias gjatë seancës plenare, duke përmbyllur fjalën e tij kur tha se problemi në Shqipëri është mungesa e dialogut mes palëve.

Dialogun politik, vullnetin politik nuk mund ta zëvendësojë asnjë ligj.

Gazetarja: Zonja Zhulali, ne jemi mësuar tashmë në Shqipëri ndodh që raporte të ndryshme të lexohen në mënyra të ndryshme nga politika, edhe kur ato janë të shkruara e zezë mbi të bardhë, siç edhe ju e pohuat. Ajo që më intereson të di tani është se çfarë ka ndodhur në mbledhjen e Kimisionit të Venecias, një mbledhje jo publike ku edhe ju keni qenë e pranishme? Për shembull, fill pas saj, Këshilltari dhe Zëdhënësi i Presidentit Meta, z.Tedi Blushi deklaroi se zoti Balla bashkë me delegacionin që e shoqëronte ishte kritikuar në atë mbledhje nga Komisioni i Venecias. A është kështu? Përtej kësaj, çfarë ndodhi në atë mbledhje?

Ilda Zhulali: Tani unë do të doja që të respektoja deri në fund konfindencialitetin e një procesi, ku nuk kemi qenë vetëm palë, por mbi të gjitha duke respektuar Komisionin e Venecias. Është shumë e rëndësishme që të theksohet se vullneti i palëve për të respektuar opinionin e Komisionit të Venecias,nuk është në dorën e Presidentit të Republikës. Është në dorën e gjithsecilit. Nuk ishte Presidenti i Republikës ai që i dërgoi disa pyetje Komisionit të Venecias, por ishte mazhoranca aktuale. Kështu që i takon mazhorancës aktuale të vendosë nëse do ta respektojë këtë opinion të Komisionit të Venecias apo jo. Është në vullnetin e tyre për ta lexuar drejt ashtu siç është shkruar ky raport dhe për ta respektuar atë deri në fund, sepse edhe njëherë po përdor analogjinë me reformën në drejtësi.

Përsëri Komisioni i Venecias na ofroi ne si vend këshillë, një orientim ligjor se si ne duhet të vepronim, por pastaj ishte vullneti i palëve ai që mbizotëroi, që nuk e respektoi rekomandimin e Komisionit të Venecias. Këtij vullneti nuk mund t’i mbivendoset askush! Prandaj ne do të donim që Parlamenti i Shqipërisë ta respektojë këtë opinion të Komisionit të Venecias edhe për faktin se shqyrtimi i kësaj kërkese që iu vu përpara është i pazakontë dhe në fund të ditës, vuri në peshë institucionin më të lartë të vendit që është Presidenti i Republikës. Dhe ky nuk është skenari më imirë dhe më i bukur për njëvend që është kandidat për në Bashkimin Europian, që kërkon të çelë negociatat e anëtarësimit, që është anëtar i NATO-s, që do të marrë kryesinë e radhës së OSBE-së në vitin 2020, e të gjitha këto nuk e bëjnë më të bukur imazhin e Shqipërisë.

Gazetarja: Au u ndikuan ata apo junuk doni që ta publikoni këtë informacion?

Ilda Zhulali: Mendoj se këto amendamente e tregojnë fare mirë qasjen që raportuesit dhe Komisioni pati ndaj secilës palë. Ata e mirëpritën gjithë kontributin e Presidentit të Republikës. Mund t’jua pohoj këtë gjë se çfarë ka ndodhur në raport me ne. Ishin falënderues ndaj të gjithë sqarime që ne na u desh t’u jepnim, që edhe ata të kishin një kuptim sa më të plotë të situatës në vend, e cila është e paprecedent.

Dhe në fund të ditës, konstantimi i tyre ishte që Presidenti i Republikës nuk mund të shkarkohet.
Gazetarja: Dhe nuk ka një bazë ligjore për t’u bërë kjo, edhe nëse do të ishte e shkruar në raportin përfundimtar? Do të kishte një bazë ligjore në Shqipëri, që do të çonte në shkarkimin e një titullari të lartë, siç është në fakt Presidenti i Republikës apo gjithçka mbetet në kuadrin e sugjerimeve, këshillave?

Ilda Zhulali: Proceduralisht, Komisioni Hetimor Parlamentar që ka marrë në shqyrtim këtë çështje duhet të dalë me një përfundim, dhe më pas të vendosë nëse do të kërkojë apo të autorizojë dërgimin e kësaj çështjeje, pra të shkarkimit të Presidentit të Republikës në Gjykatën Kushtetuese, ose jo.

Më tej, nëse do të vendoset kështu, do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë përfundimisht. Por këtu ka edhenjë tjetër vlerësim shumë interesant: Kaq i kujdesshëm është treguar Komisioni i Venecias që ka përfshirë një pikë dhe është pika 80, dhe thotë: Është për të ardhur keq që Gjykata Kushtetuese mund të themelohet në një çështje kaq të rëndësishme, tashme në pritje. Ndërsa përbërja e një Gjykate Kushtetuese është gjithmonë me një interes të madh për aktorët politikë, trajtimi i një rasti të tillë specifik, në kushtet kur bëhet përzgjedhja e gjyqtarëve, nuk është sfondi ideal për të siguruar pavarësinë e tyre.

Kështu që ky është një paralajmërim i Komisionit të Venecias. Të keni kujdes me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese!

Gazetarja: E qartë! Ju falënderoj shumë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb