Pjesa e njëmbëdhjetë

Ç’është burgu? Është vendi ku mbahen ata që janë dënuar me heqje të lirisë, do të thoshim duke lexuar çdo fjalor. Por kaq është pak. Burgu dhe liria – dy të kundërta. Më parë: ç’është liria? Me pak fjalë: të jesh i lirë do të thotë të bësh atë që do, të mendosh e të veprosh sipas dëshirës në ushtrimin e përmbushjen e lirive e të drejtave të tua, si njeri e si shtetas, por gjithmonë pa cënuar e dhunuar të tjerët. Përsërit: të mendosh e të veprosh. Fjala është për liritë demokratike, nga ajo e fjalës, e shtypit, e tubimit dhe e organizimit në partira e shoqata të ndryshme, sigurimin e kushteve, ku të gjejnë shprehje e konkretizim idetë, kërkesat e vullnetet njerëzore, nga ato të planit biologjik-lidhur me vetë qenien, tek ato të planit social, lidhur me mënyrat e të jetuarit.

Ky vendim nuk mbështetet në ligj dhe në prova. I gjykuari Fadil Paçrami, padrejtësisht është deklaruar fajtor për krimet e sabotimit dhe të agjitacionit e propagandës, parashikuar nga neni 72 dhe 73 të Kodit Penal (të vitit 1952), pasi vendimi i gjykatës, nuk mbështetet as në kërkesat e këtyre dispozitave, për ekzistencën e figurës së krimit të sabotimit e agjitacionit e propagandës, as në prova. Në vendimin e saj, gjykata pranon se i gjykuari Fadil, ka sabotuar vijën e Partisë së Punës, pasi duke qenë sekretar i komitetit të kësaj partie, për rrethin e Tiranës, jo vetëm që nuk ka përçuar në organizatat bazë të institucioneve artistike dhe të kulturës që kishte në varësi, vendimet dhe direktivat e partisë, por shumë prej tyre, i ka shtrembëruar me qëllim armiqësor, duke mbjellë liberalizëm në këta sektorë.

Konkretisht si veprimtari e tillë, janë quajtur pikëpamjet e të gjykuarit Fadil, për trajtimin e brezave të punonjësve të artit e të kulturës, për t’i kundërvënë njëri me tjetrin ata, lënia pa punuar në këto organizata, e disa materialeve të partisë dhe disa pikëpamje të të gjykuarit, për teatrin, pikturën dhe letërsinë e artin në përgjithësi…! Përveç mangësive të rëndësishme në drejtim të provueshmërisë që ka vendimi i mësipërm i Gjykatës së Lartë, për të dy veprat penale për të cilat është deklaruar fajtor i gjykuari Fadil Paçrami, në kundërshtim me ligjin dispozitës së nenit 72 të Kodit Penal, i është bërë një interpretim që del tej caqeve të përmbajtjes së saj.

Kështu, në një kohë kur nga përmbajtja e kësaj dispozite, del qartë se veprimet ose mosveprimet, që përbënin figurën e krimit të sabotimit, drejtoheshin ndaj marrëdhënieve konkrete në fushën e ekonomisë dhe veprimtarisë shtetërore, të kryer me qëllim dobësimin e pushtetit popullor, nga ana e gjykatës, janë interpretuar dhe pranuar si të tilla, pikëpamje të ndryshme të të gjykuarit që nuk ishin në përputhje me vijën politike të Partisë së Punës, ose që kanë dëmtuar veprimtarinë e saj, si veprimtari partiake dhe jo veprimtarinë shtetërore, siç e kërkonte në mënyrë të shprehur ligji, me të cilin është cilësuar veprimtaria e këtij të gjykuari. Duke vepruar kështu, gjykata padrejtësisht e ka deklaruar të gjykuarin Fadil, fajtor, për veprime ose mosveprime që edhe po të ishte vërtetuar se qenë kryer në kohën e kryerjes së tyre, nuk parashikoheshin nga ndonjë dispozitë, e pjesës së posaçme të Kodit Penal në fuqi, si vepër penale.

Gjykata, si prova për krimin e agjitacionit e propagandës, për të cilinë është deklaruar fajtor i gjykuari Fadil, ka pranuar proces-verbalet e pyetjes së disa të pandehurve të tjerë… pa kërkuar që atyre, t’u jepej forma procedurale kërkuar nga ligji dhe pa ia nënshtruar, atje ku ishte e mundur, procesit verifikimit të vërtetësisë së tyre ato veprime, këto kryerja e të cilave bëhet e domosdoshme, për shkak të qëndrimit kategorik mohues që ka mbajtur në hetuesi dhe në gjyq i gjykuari, ndaj shpjegimeve që kishin dhënë këta persona, në ngarkim të tij. Në përputhje me kërkesat e ligjit, janë administru vetëm atribuimet e të gjykuarit Dashnor Mamaqi, por në kushtet kur ata mbetën e vetmja prove, në drejtim të akuzës së agjitacionit e propaganda në ngarkim të të gjykuarit Fadil, gjykata nuk duhej të arrinte në përfundim, se kjo vepër është kryer nga i gjykuari.

Prandaj, duke u ndodhur para fakteve të tilla, plenumi i Gjykatës së Lartë, siç m’u njoftua atë kohë, vendosi: “Me vendim Nr. 65, datë 23.8.1991, të plenumit të Gjykatës së Lartë, është vendosur prishja e vendimit Nr.2, datë 31.3.1977, të Gjykatës së Lartë dhe pushimi i çështjes për të gjykuarin Fadil Paçrami”

Dhe si parashikohej në ligj, shpallja e këtij vendimi u bë nga vetë kryetari i Gjykatës së Lartë, pas disa ditëve, në një mbledhje të gjerë publike me shkrimtarë, artistë e punonjës të kulturës, si dhe me anë të shtypit.

  1. Një kapitull të veçantë përbëjnë letrat dërguar atë kohë nga burgu, Ramis Alisë, me qëllim që të mos bënte të paditurin dhe të mos i përmbahesh, “vazhdimësia”, për të cilën u pat betuar edhe publikisht, por të ndreqte ç’të qe e mundur dhe sa më parë, si dhe të mos pengonte proceset e demokratizimit të vendit. Nga burgu vinim re, krizën që kishte përfshirë regjimin totalitar të modelit sovjetik edhe te ne, si në të gjitha vendet e tjera të Lindjes dhe gjithë sa ndodhnin, ndienim tronditjet, plasaritjet dhe afrimin e përmbysjes së diktaturës, ndiqnim manovrimet për t’i zgjatur jetën dhe penguar zhvillimet demokratike, shqetësoheshim edhe për rreziqet që bartnin ngurrimet, pavendosmëritë e dredhat, tipike alla ramizçe, që mund të ishin me pasoja katastrofale, për fatet e vendit.

Me rast, herë hapur e drejtpërdrejt, herë në formën e pyetjeve sugjestionuese, duke prekur çështje nga e shkuara dhe ato të shtruara për zgjidhje, pa kursyer vërejtjet e mendimet, i bëhej thirrje të vlerësonte drejt, situatat dhe të veprohej në kohë. Kjo ishte më shumë se një sfidë. Ishte koha që të denoncoheshin gjithë sa qenë bërë keq, prapësitë dhe pa ligjësitë, të hidheshin poshtë mendësi, koncepte, metoda e praktika që i kishin shërbyer diktaturës dhe të hapeshin rrugët, për shpejtimin me guxim e mençuri të zhvillimeve demokratike. Shqetësimi qe ky: ç’po bëhet, pse nuk ecet më shpejt, cila do jetë e ardhmja?

… DHE APEL

Ato përse u luftua në një mënyrë ose një tjetër kundër totalitarizmit, për t’u hapur rrugë proceseve demokratizuese, qenë dënuar e persekutuar sa e sa shtetas, gjatë afro gjysmë shekulli, ose ndodheshin burgjeve; mendonin e shqetësoheshin me të drejtë edhe shumë nga njerëzit e ndershëm intelektualët të përparuar, nuk kishin qenë dhe aq më pak ishin tani, çështje thjesht vetjake – për mua, ty e atë tjetrin, si persona, por shqetësime për vendin e të ardhmen e tij. Për këto flasin letrat drejtuar atyre që atë kohë ishin në krye të partisë – shtet, si dhe ato drejtuar forcave të reja anti diktatoriale e demokratike, – krerëve të partive politike kryesore të porsakrijuara edhe atyre për liritë e të drejtat e njeriut, para zgjedhjeve pluraliste të 31 marsit 1991-së, në të cilat shprehen disa mendime për të realizuar e çuar më tej, kthesën e porsa nisur.

Ishte ky një apel për t’i prerë urat me të shkuarën moniste, për të hyrë me guxim e vendosmëri në rrugën e demokratizimit, ndrequr e vënë në vend, ç’ishin bërë keq, mënjanuar pengesat e çdo lloji dhe nga kushdo, shmangur e kapërcyer dasitë e revanshizmat si mbetje nga e shkuara dhe mllefet e grumbulluara, për t’i parë gjërat me realizëm, që të fitonim edhe kohën e humbur.

Koha vetë, zhvillimet që po ndodhnin jashtë e brenda vendit, idetë frymëzuese për liri, të drejta e demokraci me përmasat që kishin marrë ato në këtë fundshekulli, ndryshimet e përshpejtuara në proces e që kërkoheshin gjithandej, nxitën edhe tek ne mendime të shumëllojta për alternativa, të cilat duheshin vlerësuar, matur, ballafaquar e u dhënë zgjidhje. Koha dhe zhvillimet e mëvonshme, do të sillnin të tjera edhe më të thella.

Duke patur kurdoherë për bazë e qëllim përparimin e të mirën e vendit, parimet e njohura të demokracisë dhe çështjen e shenjtë kombëtare, mund e duhej gjetur gjuhë e përbashkët, për të ndalur rënien e mëtejshme, nxjerrjen e vendit nga gremina në një fushë më të gjerë, si dhe për të ecur me hapa më të shpejtë në rrugën e nisur – ky ishte apeli i kohës, atë u përpoqa të bëj me sa munda edhe në ato kushte që u ndodha.

Pa pretenduar për asgjë; duke respektuar edhe mendimet e të tjerëve, synoja të jepja ndonjë mendim, sado modest, ashtu si po ndodhte atë kohë, me të gjithë që shqetësoheshin për fatet e vendit. Asnjëherë s’kishte parë ky vend, një gjallërim të mendimit, aspiratave dhe kërkimit të formave e mjeteve më efektive, për përparimin në të gjitha fushat, të gjithë gjerësinë dhe përmasat e zhvillimeve të kohës, për rënien e diktaturës dhe fitoren e demokracisë.

SI TESTAMENT LETRAR

           (Dy letra)

I quajta kështu: “Si testament letrar”, i nisur nga qëllimi dhe mesazhi që bartnin në kushtet e në kohën kur u dërguan: e para me 6.9.1988 dhe e dyta më 11.10.1990. I veçova nga të tjerat, si edhe ato katër të tjerat, që i shoqërojnë më poshtë, meqë trajtojnë çështje të krijimtarisë.

E para

Marrin: Dritëro Agolli, Dhimitër Shuteriqi, Ismail Kadare

Ju drejtohem si; tre “personalitete… të mirënjohura në fushë të letrave, arteve, shkencës…”, siç është shkruajtur për ju në një kryeartikull të “Zërit të Popullit”, të datës 2.4.1988.

Po e qartësoj që në fillim: nuk do t’ju flas asgjë për tragjedinë time, që po vazhdon. (Me kaq – këto dy fjalë, e mbyllë këtë kapitull).

– Se nuk dua t’ju ngatërroj, me asgjë dhe për asgjë;

– Se nuk jam i llojit të qaramanëve, as që kam përse, arsye e shkak;

– Se njerëzit e artit – ata me bindje të qëndrueshme, mund të kërkojnë, të protestojnë, të revoltohen, etj., por jo të ankohen ose të lëpihen.

Atëhere përse, ç’më shtyn? Vij të trokas në portën tuaj, për diçka që mendoj se ju takon. E kam fjalën këtu: krijimtaria letrare dhe artistike – veprat, pasi “derdhen” në letër (në telajo, pentagram, bronz, celulozë, etj.) nga dorëshkrimi e gjithë rruga që ndjekin deri te (lexuesi, shikuesi e dëgjuesi), nuk i përkasin më vetëm autorit (theksoj: jo vetëm atij), por janë diçka më shumë – janë vlera të fondit të kulturës së vendit, për të cilat ka detyrë të kujdeset, t’i ruajë e t’i mbrojë, cilido shtetas, vetë shteti, aq më tepër ata që e duan artin, e çmojnë, i gëzohen, u dhemb… e ç’të them tjetër, me një fjalë – ia dinë vlerat.

Këtu në burgun (famëkeq siç është cilësuar ai me të drejtë) të Burrelit, kam shkruar deri tani 37 drama. I bie, pra 3-4 në vit. Kështu që, bashkë me ato 13 të tjerat, të shkruajtura më parë, kur isha i lire, bëhen 50 gjithsej. (Nga kjo edhe u nisa t’u dërgoj këtë letër). Numrat, dihet, nuk thonë gjë, por të paktën flasin, se nuk kam ndenjur duarlidhur edhe në këto kushte. Vërtet ia pashë “hajrin” keq, atij – teatrit, por nuk u zemërova me të (se mos ka faj ai!).

Pastaj se mos e kisha në dorë veten, – pasione të tilla qenkan më të forta se vullnetet e njerëzve. Njëheri kjo flet; edhe se me gjithë sa më ndodhen, nuk u bëra shërbimet zemëratave e inateve, por u vajta në takim shoqërisë, e ndërtimit të vendit, sado që më kishin mohuar, po në atë rrugë që kisha nisur, pa u larguar nga idealet dhe nga vetja. Ndryshe, nuk mund të ndodhte, as nuk shpjegohet.

(Çdo e keqe ka edhe të mirën e saj. Nuk di të ketë vend tjetër, meditimi e përqendrimi, si burgu. Gjithë ditën dhe një pjesë të natës, rri me veten, mendimet e shqetësimet, që të nxitin e të mundojnë – sigurisht po arrite të shkëputesh e, të ngrihesh mbi mjedisin e zymtë, të rëndë e të ndotur, të burgut. Apo kohë për të punuar, sa të duash.

Me këtë s’dua të them se krijuesit, duhet të kalojnë këtyre qelive, prapa mureve të trasha dhe hekurave, nga e sheh qiellin “të copëtuar në katër-dhjetë copë” – siç thotë Migjeni ynë i madh. As që të thuhet një ditë, se; “burgu pat edhe një të mirë, sepse shkroi shumë, mbase edhe mirë, ç’ka nuk do të arrinte po të qe i lirë!” Diçka për kuptimin e këtyre fjalëve, mund të nxirret, sigurisht, duke ruajtur përmasat, nga i madhi i kulturës sonë Fan Noli, në librin; “Rron or rron dhe nuk vdes shqiptari”, aty nga mesi i faqes 230, duke zëvendësuar fjalët; “pa bukë”, me; “pa liri”. Nejse, më falni… desha të them se, nuk qe aspak e thjeshtë, as e lehtë, por ia dola në krye dhe kjo është kryesorja).

M’u desh të gjeja kyçin (në kohët e sotme më saktë, është të them butonin) për të ndezur motorët – mendimin krijues, imagjinatën, frymëzimin, mjeshtërinë, guximin e gjithë çfarë duhej. Dhe e gjeta atë: në abstraksionin – daljen me mend e zemër nga “e imja gropë”, (po Migjeni – “Kënga e të burgosurit”), të ngrihesha mbi vuajtjet shpirtërore e fizike, monotoninë mbytëse, gjithçka të errët e gri, që ka këtu ku ndodhem dhe të bëhem një me njerëzit, atje ku rrojnë e punojnë, jashtë këtyre mureve e hekurave.

Shkurt fjala: vendosa të mbetem njeri, të mbetem me artin, të mbetem ai që isha. Dhe ia arrita. Ku i mora nxitjet, idetë, temat, ngjarjet, personazhet, do të thoni me të drejtë? Po përgjigjem shkurt:

– Në ato që nxora nga thellë vetja ime, ku qenë, mbase edhe dremitnin, lastrat e gjithë sa kisha përjetuar e grumbulluar, gjatë një kohe shumëvjeçare, të rrojtur intensivisht në mes dallgëve nga më të mëdhatë, që kalonte vendi dhe i ri pashë, i ripërtypa, i përpunova e u dhashë formën që kanë marrë, të dramave.

– Në ato që lexoja për jetën e zhvillimet e saj, me dukuritë e kontradiktat e kohës, ligjësitë me të përpjetat e të tatëpjetat, zigzaket, etj., duke i ndjekur hap pas hapi, jo nga larg, por duke u shkrirë me to, dhe jo vetëm nga lart, si dikur, por edhe nga poshtë.

– Ne atë aspiratë të zjarrtë e të pashuar për të ardhmen, të mirën e të bukurën që ka, e mund të ketë, t’i ndjejë e t’i dojë, në mënyrë të veçantë, ai të cilit i janë mohuar e i ndalohen.

– Në atë si e mendon, e trajton dhe e zgjidh (dhe unë mendoj se e zgjidha drejt), atë lloj konflikti që, vetëkuptohet, nuk mund të mos lindë në kushtet si këto që u ndodha, kur shoqëria dje, shteti, me vetëdije ose jo, mbajtën qëndrimin e njohur ndaj meje në një kohë, e që po vazhdon. Në leximet e lloj llojta e të vëmendshme, si asnjëherë më parë, megjithëse jo gjithnjë kam patur mundësi të zgjedh sa më janë dashur, sepse të tilla qenë kushtet.

Sa dhe si ja dola në krye, gjithë këtyre, atë le ta thonë të tjerët. Më saktë akoma – vepra. Si thotë Lasgushi: “Poeti bën veprën – Vepra le të përgjigjet. Po të mos flasë ajo, poeti s’ka ç’të thotë”. Qe me shumë mend plaku! Nuk më takon mua, pra, të flas për gjithë sa kam shkruar.

Po vij te konkretja – ajo pse po ju shkruaj. Më falni nëse u zgjata pak, por ndiej shumë nevojë të fjalosem e diskutoj për këto gjëra, prandaj. Vetmia është e rëndë.

Mendova t’ju dërgoj këtë letër që, gjithsesi, të dini se ekziston, pra, edhe kjo krijimtari dhe ku gjendet e mund të gjendet ajo, (se nuk i dihet si merr jeta e, më prin shëndeti – jam tashmë 67 vjeç, e ndër ta 13 vjet burg në qeli), t’ju dërgoj edhe titujt e dramave, që kam shkruar deri tani (të tjera kam në duar, për të cilat mund t’ju njoftoj më vonë) dhe t’ju them se; sa kohë të jem në këto kushte që ndodhem, ato do të mbeten doemos këtu me mua, edhe pse herë pas here, punoj mbi ta, edhe pse janë objekte të së drejtës së autorit, si në formën e dorëshkrimeve të paprekshme dhe të mbrojtura nga ligji;

– Që të dihet ku të kërkohen dhe të gjenden në çdo kohë, po doli nevoja.

– Se do ishte krim në radhë të parë, ndaj artit e trashëgimisë kulturore të vendit, po t’u ndodhte gjë, të dëmtoheshin ose të cënoheshin, sado pak e nga kushdo;

– Se shpreh bindjen, që do të përkujdeseni për sa ju kërkoj. Më falni për shqetësimin dhe ju falënderoj paraprakisht.

Titujt e dramave dhe disa qartësime të tjera:

  1. Tragjedia e atyre ditëve
  2. Fundi pa emër
  3. Përmbysja e perëndive
  4. Një histori nga miniera
  5. Kur bien kambanat
  6. Rënia tragjike
  7. Ndeshje në rrugë
  8. Dy jetë
  9. Qëndresa
  10. Kufijtë e krimit
  11. Moti i madh dhe pavdekësia
  12. Pas fitores
  13. Mara (ose: Një natë pa gjumë)
  14. I huaji
  15. Drejt ngjitjes
  16. Drama e kësaj toke
  17. Zgjimi i doktor Zamirit
  18. Galerive njerëzore
  19. Rënia e maskave
  20. Forca e së vërtetës
  21. Prapa britmave
  22. Rrugët e rritjes
  23. Enigma
  24. Ku ishit ju?
  25. Dukuri dhe jetë
  26. Myku i kohës
  27. Vite të trazuara
  28. Peizazh në lëvizje
  29. Çështja mbeti e hapur
  30. Më shumë se një ngjarje
  31. Ngrica e rrjedhje
  32. E quajnë Diana
  33. Mbarim dimri
  34. Shqetësimet e Ermirit
  35. Dritë dhe hije
  36. Rënia groteske
  37. Ngjyra të kohës

Gjithsej: 2258 faqe tekst, 85 faqe të tjera, si hyrje në fillim dhe 46 faqe me shënime, në fund të çdo drame.

Nga këto: 2,3,5, janë një trilogji, po kështu edhe 6,21,23.

Tani dy fjalë edhe për 13 dramat e shkruajtura më parë, ku gjenden e mund të kërkohen:

  1. Në tufan
  2. Mbi gërmadha
  3. Shtëpia në Bulevard
  4. E bardha dhe e zeza
  5. Lagjja e varfër
  6. Ngjarje në fabrikë
  7. Rrugëve të pashkelura
  8. 20 ditë
  9. Nuk kam mall për vjetërsirat
  10. Viti ’61
  11. Çështja e inxhinier Saimirit
  12. 4 Shkurti
  13. Në uzinë s’ka qetësi

Nga këto: 1,2,3,4,5,6,7,8, janë botuar në libra të veçantë: “Dy drama”, “Tri drama”, “Edhe tri dasma”, 9-ta është botuar në revistën “Nëntori, 10-ta e 12-ta, duhet të gjenden në arkivin e “Teatrit Popullor”, 11-ta në arkivin e Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, kurse për 13-ën, nuk di asgjë ku mund të ndodhet.

Kam këtu edhe tri fletore shumëfaqëshe me shënime, për disa nga veprat e Shekspirit, një tjetër për veprat e Eskilit, si dhe një tjetër me; “Mendime mbi krijimtarinë, kryesisht teatrin”. Mbase paraqesin ndonjë farë interesi. Këto janë e gjitha sa desha të them, – le të shërbejë kjo letër si një testament letrar.

Burrel, 16.9.1988

P.S. – Për t’jua lehtësuar barrën, si dhe për të mënjanuar çdo lloj keqkuptimi ose telashi, një kopje të kësaj letre, po ia dërgoj edhe Sekretarit të Komitetit Qendror për propagandën, Foto Çami.

– Dhe e fundit: në çdo rast, trashëgimia si e drejtë e autorit, u mbetet gruas e fëmijëve, të cilëve ua kushtoj. Memorie.al

                                                                 Vijon numrin e ardhshëm

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: