Udhëheqësi i Koresë së Veriut, **Kim Jong Un, ka kërkuar forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve bërthamore të vendit**, duke theksuar veçanërisht nevojën për zgjerimin e përdorimit të armëve bërthamore taktike në fusha të ndryshme operacionale.
Gjatë një inspektimi në objektet e prodhimit të materialeve bërthamore dhe qendrat kërkimore të sektorit të armëve bërthamore, Kim deklaroi se kapacitetet e vendit në këtë fushë po zgjerohen në mënyrë sistematike. Lajmi u bë i ditur të enjten, më 26 nëntor, nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.
Sipas tij, statusi i Koresë së Veriut si fuqi bërthamore është i panegociueshëm dhe nuk mund të vihet në diskutim nga presioni apo akuzat ndërkombëtare.
“Aftësitë tona bërthamore janë tashmë një realitet”, deklaroi Kim, duke shtuar se asnjë retorikë për denuklearizimin nuk do të ndryshojë pozicionin e Phenianit.
Gjatë vizitës, udhëheqësi koreano-verior nënvizoi se vendi duhet të përqendrohet në përdorimin e armëve bërthamore taktike në fusha të shumta operacionale dhe për misione të ndryshme ushtarake.
Ai i cilësoi përparimet në prodhimin e armëve bërthamore si një arritje të rëndësishme në zbatimin e politikës së vendit për forcimin e kapaciteteve bërthamore.
Kim paralajmëroi gjithashtu se çdo përpjekje për të sfiduar statusin bërthamor të Koresë së Veriut do të konsiderohet si një “deklaratë e hapur lufte”. Ky status është përfshirë edhe në Kushtetutën e vendit, përmes ndryshimeve të miratuara në vitin 2023.
Ai u shpreh se Pheniani nuk do të heqë dorë nga armët bërthamore, të cilat i konsideron garanci themelore për sovranitetin dhe sigurinë kombëtare.
“Zotërimi ynë i armëve bërthamore është një zgjedhje absolutisht e pakthyeshme, për sa kohë që ekzistojnë forca keqdashëse që i përdorin armët bërthamore si mjet për të arritur hegjemoninë e tyre”, deklaroi Kim.
Koreja e Veriut ka kryer gjithsej gjashtë prova bërthamore që prej vitit 2006. Testi i fundit dhe më i fuqishmi u zhvillua në vitin 2017.
Ndërkohë, në gusht, ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut deklaroi se vlerësimet e përhapura sugjerojnë se Pheniani mund të zotërojë nga 80 deri në 120 koka bërthamore.
Megjithatë, ai sqaroi se këto shifra bazohen në vlerësime të organizatave private kërkimore dhe nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Deklaratat e fundit të Kim Jong Un vijnë në një kohë kur udhëheqja koreano-veriore vijon të këmbëngulë se arsenali bërthamor është pjesë e pandashme e strategjisë së saj të sigurisë dhe se nuk ka ndërmend të negociojë heqjen dorë prej tij.
