Gazetari i News24, Osman Stafa, ka mbajtur një fjalim nga protesta masive qytetare në ditën e 49-të të saj, ku ka ngritur shqetësime për problematikat kryesore me të cilat, sipas tij, përballet sot Shqipëria.
Stafa u ndal veçanërisht te gjendja e sistemit shëndetësor, duke akuzuar qeverinë se nuk po investon mjaftueshëm në spitalet publike, ndërsa fondet shkojnë për projekte të tjera. Gazetari kundërshtoi edhe deklaratat e një deputeti të Partisë Socialiste lidhur me pajisjet mjekësore, duke thënë se, sipas tij, në QSUT nuk kanë mbërritur pajisjet e premtuara dhe se pacientët vijojnë të përballen me mungesa.
Ai ngriti shqetësime edhe për trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale, duke kritikuar mungesat e medikamenteve dhe pajisjeve në spitalet publike. Stafa foli edhe për raste konkrete të qytetarëve që, sipas tij, nuk kanë marrë trajtimin e duhur shëndetësor, duke përmendur një pacient nga Korça që po kërkon ndihmë jashtë vendit pas një qëndrimi të gjatë në QSUT.
Në fjalimin e tij, gazetari preku edhe çështjet mjedisore, duke akuzuar institucionet për dëmtimin e lumenjve dhe ndryshimin e rrjedhave natyrore. Në fund, Stafa theksoi se protesta, sipas tij, nuk i përket asnjë partie apo individi. “Para pak ditësh kam publikuar një listë ku QSUT kërkonte donacione, kurse paratë tuaja shkojnë për koncerte, për kopshtin Eden, për projekte që nuk i shohim. Pasi i publikova, prisja që këta të vinin mend. Çfarë bëjnë këta? Asgjë.
Shalsi, deputet i PS, tha se ato pajisje janë. Ai gënjeu. Nuk ka shkuar asnjë pajisje në QSUT, nuk ka asgjë të tillë për pacientët. Një skaner nuk punon prej vitesh. Pacientët sorollaten. Shkojnë në urgjencë në QSUT dhe përfundojnë te privati.
Onkologjiku është spitali më kriminal i mundshëm. Mungojnë medikamentet. Ilaçet e tjera janë dy muaj, dy muaj jo. A shërohet kanceri kështu?
Vetë i gjejnë mundësitë, marrin para nga buxheti i shtetit dhe ikin në spitale të huaja, apo marrin paratë e vjedhura nga shqiptarët. Pse nuk qëndrojnë te spitalet publike kur kanë halle? Duhet të bëhet ligji që ata të kurohen në spitalet publike dhe të shikoni ju, do të rregullohen spitalet apo jo. Nënat dhe motrat tona që vuajnë nga kanceri gjinekologjik vuajnë mungesën e pajisjeve. Nuk pret kanceri. Këta, kur nuk shërojnë dot nënat dhe gratë tona, a kanë shpirt që të na dalin neve para?
Njerëzit ngelin të paralizuar nga goditjet ishemike. Një qytetar nga Korça, 43 vjeç, qëndroi dy muaj në QSUT, nuk u trajtua. Po pret ndihmën e shqiptarëve, se ka ikur në Greqi, rrezikon të paralizohet, baba i 3 fëmijëve. Kur këta nuk trajtojnë sëmundjet, problematikat shëndetësore, për çfarë na duhet koncerti i Kanye West? Një temë tjetër, lumenjtë e Shqipërisë i kanë shkatërruar, kuçedrat kanë dalë maleve të Shqipërisë për t’i pirë ujin, për të shkaktuar krim mjedisor. Vetëm dje kam denoncuar çfarë ndodh në lumin Shkumbin.
Kam marrë mijëra SMS nga shqiptarë që tregojnë se çfarë ka ndodhur në lumenjtë e Shqipërisë. I kanë shkatërruar me HEC-e. I kanë ndryshuar rrjedhën. Këta janë politikanët, pushteti që ka vjedhur këtë komb. Kjo protestë është protesta juaj, e asnjë partie, e asnjë individi. Secili nga ju është kryetar, organizator! E për të kaluar te organizatorët realë, ata të cilët ju kanë bërë të vini këtu, e di cilët janë? Është korrupsioni. Ai ka pasuruar klasën qeveritare. Është shpopullimi. Është vrarë frika në Shqipëri se do të na heqin nga puna.
Por ky shesh është plot dhe është bashkë, nuk ka fuqi që t’ju heqë njeri nga puna. Ju jeni pjesë e historisë. Mos dëgjoni më se ju kanë mashtruar në 36 vite, dëgjoni zemrën, flamurin, dëgjoni Shqipërinë. Zoti ju bekoftë juve. Zoti bekoftë Shqipërinë, vendin më të bukur që kemi dhe flamurin më të bukur që kemi. Nuk do ta lëmë në duart e hajdutëve!”, tha ai.
