Gazetari i News24 Osman Stafa ka denoncuar mbrëmjen e sotme se është intimiduar dhe kërcënuar nga punonjës të Policisë së Shtetit, teksa po filmonte një ndërhyrje të uniformave blu ndaj një qytetareje pranë Piramidës në Tiranë.

Stafa rrëfeu se gjithçka nisi pasi një punonjës policie iu afrua dhe e pyeti se përse po filmonte. Gazetari i është përgjigjur se, në cilësinë e tij si gazetar, ka të drejtë të filmojë veprimet e policisë në hapësira publike. Sipas tij, polici e ka kërcënuar se do ta shoqëronte në komisariat, me pretendimin se nuk mund të filmonte një punonjës policie.

Stafa tregon se, pasi ndezi sërish telefonin për të dokumentuar situatën dhe për të pyetur arsyen e kërcënimeve, u rrethua nga disa persona civilë, të cilët, pavarësisht se e identifikuan dhe e thirrën në emër, i kërkuan edhe kartën e identifikimit si gazetar.

Më pas, sipas rrëfimit të tij, disa prej tyre e kapën nga krahët, ia vendosën duart pas shpine dhe i morën telefonin, duke ndërprerë filmimin. Gazetari pretendon se katër deri në pesë persona tentuan ta ulnin në tokë dhe e mbajtën të ndaluar për më shumë se 10 minuta, ndërsa i përsërisnin se do ta shoqëronin në komisariat dhe se mund ta kalonte natën në qeli.

Vetë gazetari Stafa tregoi të gjithë ngjarjen në emisionin Prime Newws24. Ai intervistoi edhe një nga dëshmitaret e ngjarjes, e cila rrëfeu gjithçka ndodhi. Dëshmitarja rrëfeu të njëjtat skena si gazetari Stafa.

Dëshmitarja tregoi me detaje gjithçka ndodhi, se u trajtua në mënyrë të dhunshme nga policia. Më tej, ajo u shpreh se në momentin që mori telefonin dhe po filmonte, civilët e kanë distancuar dhe e detyruan të fshinte videon nga celulari.

Dëshmitarja: Unë isha dëshmitare e asaj që ndodhi, isha 30 metra larg ngjarjes.

Isha vetëm, po filmoja arrestimin e Agronit që mban flamurin. Aty më rrethuan disa civilë, më thanë që duam kartën e identitetit, ua dhashë dhe më thanë se do më shoqëronin, sepse po filmoja civilë. Gjatë shoqërimit, ndaluam aty ku ishit edhe ju (i drejtohet gazetarit Osman Stafa). Pashë Osmanin që e kishin kapur për të njëjtën arsye si dhe mua, sepse po filmonte.

Ata e dinin se kush ishte Osmani, e thërrisnin në emër, ndërkohë që dhe Osmani po thoshte se unë jam media e kjo është puna ime. Ia morën telefonin në mënyrë tepër të dhunshme. Osmanin e kapën nga të dyja krahët në mënyrë prapë të dhunshme. Unë tentova që të hap telefonin dhe ta filmoj e më distancuan dhe më bënë që të fshija dhe videon që kisha bërë e më larguan nga aty.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb