Pjesë e protestës që po ndez prej 11 ditësh kryeqytetin, ka qenë edhe një person më aftësi të kufizuara nga Shoqata e të Verbërve, i cili në fjalën nga podium ka bërë thirrje për4 bashkim, si e vetmja mënyrë që sipas tij Atdheu të ndryshojë.
Në fjalën e tij, protestuesi u kërkoi pensionistëve, personave me aftësi të kufizuara dhe të gjitha shtresave të shoqërisë që t’i bashkohen tubimit, duke theksuar se pjesëmarrja e gjerë qytetare është thelbësore për të përcjellë mesazhin e protestës.
Më tej, protestuesi deklaroi se qeveria dhe klasa politike kanë humbur besimin e qytetarëve, duke shtuar se mandati i tyre moral është konsumuar. Sipas tij, sovraniteti i përket qytetarëve dhe jo atyre që ushtrojnë pushtetin.
“Jemi këtu i gjithë populli për të kundërshtuar padrejtësitë e kësaj qeverie. Jam këtu të bëj thirrje për shqiptarët që të bashkohen e të vinë në protestë, sepse është një moment shumë i rëndësishëm për të gjithë kombin. Personat me aftësi të kufizuar, pensionistë etj, bashkohuni, sepse vetëm kjo do të bëjë që Shqipëria të ndryshojë. Nesër më shumë në këtë shesh. Kjo qeveri dhe politika e ka humbur legjitimitetin, e ka mbaruar mandatin e vet.
Shqipëria i takon popullit, jo atyre që janë në pushtet”, tha ai.
