Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni foli gjatë një deklarate për shtyp pasditen e sotme për vendimet e sotme të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Ajo tha se Këshilli kishte miratuar planet e përgjithshme vendore të 11 bashkive të financuara nga qeveria, për ato të Krujës, Kukësit, Gjirokastrës, Urës-Vajgurore, Skraparit, Poliçanit, Cërrikut, Librazhdit, Kurbinit, Divjakës, Korçës.

“Zhvillimi i territorit nuk udhëhiqet më nga mendësia e “zapto një sipërfaqe tokë e ndërto çfarë të duash e si të duash”, por nga instrumenta planifikimi që shërbejnë si udhërrëfyes të zhvillimit urban, investimeve dhe ndërtimit.  Janë 16 bashki (nga të cilat 5 bashki Lushnjë, Berat, Kuçovë, Elbasan dhe Fier të mbështetura nga Programi i USAID për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore) që kanë tashmë plane vendore. Në 15 bashki të tjera ky proces është drejt finalizimit dhe dorëzimit të planeve për miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit,” tha Gjermeni.

Gjithashtu ministrja u bëri apel bashkive të tregohen të kujdesshme dhe të respektojnë me përgjegjshmëri zbatimin e planeve, të cilat i kanë hartuar vetë.

“Sfida që kemi përpara tani fill pas miratimit,  do të jetë monitorimi dhe nxitja për zbatimin e këtyre instrumenteve, për të garantuar që zhvillimi urban, ekonomik dhe social, të jetë sa më i qëndrueshëm,” tha ajo.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: