TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka dhënë sot masa disiplinore vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra për dy gjyqtarë, të propozuar nga Ministri i Drejtësisë Nasip Naço. Bëhet fjalë për ish-gjyqtarin e Gjykatës Dibër, aktualisht gjyqtar në Shkodër A.J. dhe gjyqtarin e Rrethit Gjyqësor Kavajë, O. A.
Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, vendosi të miratojë propozimin e Ministrit të Drejtësisë, për t’i dhënë masën disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”, gjyqtarit A.J. Mbledhja vijoi me kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, për shqyrtimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, O. A. Në përputhje me procedurën, pasi dëgjuan observacionin e gjyqtarit, anëtarët e KLD-së, rrëzuan propozimin e Ministrit të Drejtësisë për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit O.A. Sipas parashikimeve ligjore, një nga anëtarët e KLD-së, propozoi masën disiplinore të “Vërejtjes me paralajmërim për shkarkim nga detyra”, për gjyqtarin O.A, e cila u votua nga Këshilli.
Në përputhje me rendin e ditës, anëtarët e Këshillit shqyrtuan propozimin e Ministrit të Drejtësisë për dhënie mase disiplinore ndaj gjyqtares të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, P.F. Pas dëgjimit të observacionit të gjyqtares dhe diskutimeve, Këshilli vendosi të rrëzojë kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, për masën disiplinore “Vërejtje me paralajmërim” për gjyqtaren P.F. Pas kësaj vendimmarrje, nuk u propozua asnjë masë tjetër disiplinore për gjyqtaren P.F.
Gjithashtu, Këshilli shqyrtoi propozimin e Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor të gjyqtares P.A. Pas dëgjimit të observacionit të gjyqtares, Këshilli vendosi të rrëzojë propozimin e Ministrit të Drejtësisë për dhënien e masën disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”, për gjyqtaren P.A. Edhe pas rrëzimit kësaj vendimmarrje, nuk u propozua asnjë masë tjetër disiplinore për gjyqtaren në fjalë.
Në vijim të mbledhjes, Këshilli vendosi edhe për çështje të tjera të parashikuara në rendin e ditës si: Miratimi i studimit vlerësues mbi ngarkesën e punës në Gjykatën Administrative të Apelit, përgatitur nga grupi i punës së ngritur për këtë qëllim. Miratimi i “Planit mbi inspektimin tematik të gjykatave për çështjet e dhunës në familje”. Miratimi i “Planit mbi inspektimin tematik të gjykatave administrative” përgatitur nga Inspektorati i KLD.
Sipas përcaktimit të rendit të ditës, anëtarët e KLD-së diskutuan mbi zbatimin e vendimit nr. 4, datë 13.10.2014 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë për rishqyrtimin e kërkesës për procedimin disiplinor të Ministrit të Drejtësisë, ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, A.Ç.
Më tej Këshilli miratoi kërkesën e Ministrit të Drejtësisë për shpalljen publike të një vendi vakant për gjyqtarë, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë, si dhe kërkesën e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës për miratimin e listave të gjyqtarëve që kanë aplikuar për pjesëmarrje në formimin vazhdues, viti akademik 2014-2015.
Mbledhja vijoi me zgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit për të Verifikuar Mbarimin Para Kohe të Mandatit të Anëtarit, parashikuar në ndryshimet më të fundit që i janë bërë, ligjit nr. 8811/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së”. Pas procesit të votimit, anëtarë të këtij Komisioni u zgjodhën Artan Broci, Dritan Caka dhe Albana Shtylla.
Gjithashtu, Këshilli, shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, për vitet 2007-2009, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”. Pasi shqyrtoi ankimet përkatëse, Këshilli miratoi aktet e Vlerësimit për 20 (njëzet) gjyqtarët e mëposhtëm:
Klodiana Gjyzari, Rrethi Gjyqësor Vlorë.
- Albert Spiro, Rrethi Gjyqësor Vlorë.
- Artan Gjermeni, Rrethi Gjyqësor Tiranë.
- Rezarta Mataj, Rrethi Gjyqësor Tiranë.
- Eda Kaja, Rrethi Gjyqësor Durrës.
- Merita Xhani, Rrethi Gjyqësor Durrës.
- Enerjeta Deraj, Administrative Shkalla e Parë Tiranë.
- Zihni Shahu, Rrethi Gjyqësor Elbasan.
- Durim Hasa, Rrethi Gjyqësor Berat.
- Arben Mullaj, Rrethi Gjyqësor Tiranë.
- Elda Vrioni, Administrative Shkalla e Parë Tiranë.
- Mimoza Margjeka, Rrethi Gjyqësor Durrës.
- Drita Veliu, Rrethi Gjyqësor Kukës.
- Taulant Banushi, Rrethi Gjyqësor Fier.
- Roland Hysi, Rrethi Gjyqësor Fier.
- Adelina Zarka, Rrethi Gjyqësor Fier.
- Alfred Gjoni, Rrethi Gjyqësor Kurbin.
- Luan Dervishi, Apeli Shkodër.
- Arta Llazari, Rrethi Gjyqësor Shkodër/Këshilltare në Gjykatën Kushtetuese.
- Pëllumb Zaimi, Rrethi Gjyqësor Berat.
Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.
(m.k/BalkanWeb)