Në një takim me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, më 15 tetor 2018, ndërsa ngriti zërin e foli me tonë të ashpra ndaj tyre, kryeministri Edi Rama u ndal edhe në arrestimin e Klement Balilit, aso kohe në kërkim.

“ Dinjitet do të thotë që asnjë profil kriminal i kësaj republike të mos kthehet dot në legjendë urbane, as si gjobëvënës biznesesh, as si pushtues klubesh me bodyguard-ë të armatosur pa leje, dhe as si konsumator shampanjash të shtrenjta mes Bllokut.

Për shembull, unë nuk dua, i dashur drejtor i përgjithshëm i policisë së shtetit që të presim të vijë ambasadorja e re amerikane për të na kujtuar gjatë ndonjë fjalimi përshëndetës që Klement Balili nuk është kapur akoma. Ashtu sikundër, nuk dua që të vazhdojnë të rrinë në detyrë, drejtorë dhe shefa komisariatesh, në zona apo në pika ku dinjiteti për të cilin fola vihet në diskutim, jo vetëm nga “të fortët” dhe nga makinat e tyre, por as nga kundërvajtësit që gërryejnë lumenjtë e male, që presin pemë, që ndërtojnë tek-tuk ende, por ndërtojnë, pa leje, që hedhin plehra dhe inerte, në vende të paautorizuar dhe me radhë.

Unë e di shumë mirë se sa seriozisht po përpiqeni, qoftë për të kapur Klement Ballilin, qoftë për të gozhduar zvarranikë të tjerë të botës së krimit, përmes operacionit Forca e Ligjit, statistikat e punës së të cilit flasin qartësisht për këtë përpjekje apo qoftë për të parandaluar edhe autorët e krimeve ndaj mjedisit, që sot janë shumë më pak se dje, por ne nuk kemi luksin që të vazhdojë të pritet, qoftë dhe një pemë.” – deklaroi Rama në takimin me strukturat drejtuese të policisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb